DR: BDI votoi çdo gjë që i servoi Gruevski
Demokracia e Re përmes një kumtese për media thotë se “nga raporti i sotëm i Kryeministrit Gruevski edhe një herë u vërtetuan tezat e Demokracisë së Re se Bashkimi Demokratik për Integrim ka votuar çdo gjë që i ka servuar partneri qeveritar VMRO-DPMNE-ja dhe i tërë programi qeveritar nuk është asgjë tjetër përveç se programi partiak të VMRO-DPMNE-së “Rilindja në 100 hapa, e zgjeruar dhe e plotësuar”.
Nga kjo parti pyesin publikisht BDI-në, a pajtohen me raportin e Kryeministrit Gruevski dhe a mendojnë se në këtë formë i kontribuojnë interesit të shqiptarëve dhe shtetit multietnik? A do të vazhdojë BDI-ja edhe pas këtij raporti të jetë servil dhe shërbëtor i Nikolla Gruevskit në këtë Qeveri?
“Nga ana tjetër, pyesim publikisht Kryeministrin Nikolla Gruevski, si ai përmes këtij raporti ka kontribuar në përmirësimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare në Republikën e Maqedonisë dhe a i sheh shqiptarët si qytetarë të barabartë dhe pjesë përbërëse të shtetit?”, thuhet më tej në kumtesën e DR-së. (INA)