image
Udhëtimi nëpër autostradën Durrës – Kukës – Morinë do të bëhet me pagesë, ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili u arsyetua se aplikimi i pagesës do të bëhet për shkak të pamundësisë për sigurimin e mirëmbajtjes së rrugës.
Në këtë rast, Berisha bëri të ditur se edhe tuneli i dytë në Kalimash do të hapet në muajin shtator. Duke e cilësuar si korridorin e kombit, kryeministri Berisha tha se ndërtimi i autostradës Durrës – Kukës – Morinë ka ndikuar në rritjen më të madhe të turizmit në historinë e Shqipërisë.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme është raportuar se kostoja e rrugës Durrës – Kukës ende nuk është përfundimtare, pasi Ministrisë së Financave i kanë mbërritur kërkesat nga ministritë e linjës lidhur me investimet e parashikuara për vitin e ardhshëm.
Në këto kërkesa, vihet re se Ministria e Transporteve, në investimet për rrugët nacionale parashikon afro 1.6 miliardë lekë për ndërtimin e segmentit nga Kalimashi në Kukës e Kosovë, ndërkohë që dublimi i autostradës nga Fushë-Kruja në Milot do të marrë edhe afro 2.8 miliardë lekë.
Është konstatuar se të dy këto segmente që janë pjesë e rrugës Durrës-Kukës, së bashku, të konvertuara në valutë të huaj, sjellin një kosto prej afro 50 milionë dollarësh amerikanë, sipas kursit aktual zyrtar të këmbimit.