KOSOVA NË DY-VJETORIN E PAVARËSISË
1. Dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës konsiderojmë se:
– Institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të brishta ;
– Republika e Kosovës mbetet një shtet i kufizuar dhe i kushtëzuar;
– Drejtuesit e shtetit të Kosovës nuk kanë bërë hapa konkret në përmirësimin e cilësisë së qeverisjes;
– Drejtuesit e shtetit dhe pushtetit, nuk kanë dëshmuar se punojnë për shtetin, për qytetarët, por hallin e kanë te vetja e tyre;
– Shteti i Kosovës nuk ka shënuar hapa serioz në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe konsolidimit. Ai ballafaqohet me jo-funksionalitet, mungesë të politikave të qarta zhvillimore dhe mungesë të vullnetit politik për të realizuar objektiva në interes të Kosovës dhe të popullit të saj;
– Politikanët e veshur me pushtet japin fjalë të shumta dhe bëjnë punë shumë të pakta;
– Shteti i Kosovës ende nuk i ka shpërbërë strukturat paralele serbe që veprojnë në vendet e banuara me serbë, mos të flasim për strukturat shtetërore të Serbisë në veriun e Kosovës;
– Në njërën anë pushteti promovon dhe tregon zell të madh në realizimin e decentralizimit në baza etnike duke krijuar komuna të reja serbe që i kontribuojnë mos-integrimit të Kosovës, në anën tjetër të njëjtit e kanë gojën plot integrim;
– Për integrimet ndërshqiptare rrallë u bie ndërmend! Duket se drejtuesit e këtij shteti kanë vendosur vetëm të flasin ndonjëherë, sa për konsum të brendshëm dhe për poena politikë, ndërkohë që nuk kemi vërejtur hapa të duhur në këtë drejtim, edhe pse mundësitë dhe rrethanat për intensidikimin e integrimeve ndërshiptare janë të favorshme. Mbase, ata kanë vendosur t’i qëndrojnë besnik pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së mbështetur në këtë pako, nenit 1.3 të saj, që sanksionon mosbashkimin e Kosovës me asnjë shtet tjetër;
– Republika e Kosovës nuk ka bërë asgjë lidhur me pozitën e keqe dhe gjendjen e nderë të shqiptarëve në Kosovën Lindore që dhunshëm mbahet nën Serbi, për shqiptarët nën IRJM dhe për shqiptarët nën Mal të Zi, ndërkohë që të tjerët promovojnë enciklopedi e projekte antishqiptare çdo ditë;
– Liberalizimi i vizave për Serbinë, për Malin e Zi dhe IRJM-në, dëshmon se BE-ja po i përkëdhelë politikat diskriminuese dhe shtypëse ndaj shqiptarëve autoktonë, të cilëve pikërisht ky liberalizim aktualisht po iu kushton shtrenjtë sepse ata po braktisin vatrat e tyre dhe po ikin. Përveç gjendjes së rëndë ekonomike dhe shoqërore, shkaktarë të kësaj të keqeje janë edhe: politika e hapur diskriminuese e Serbisë në ato treva, pushteti i padrejtë dhe okupues i saj, pastaj sjellja e subjekteve politike shqiptare atje dhe braktisja e qartë që iu ka bërë këtyre trevave klasa politika shqiptare në përgjithësi. Nëse vazhdon e njëjta sjellje, pra nuk ndryshon qasja ndaj gjendjes me të cilën po përballet populli shqiptar, nuk shohim politikë pro-aktive që angazhohet për interesat e popullit tonë kudo që jeton në trojet e veta, nuk ka përkushtime serioze për ta ruajtur dhe mbrojtur territorin shqiptar, nuk ka nisma konkrete për mirëqenie ekonomike dhe shoqërore, njerëzit tanë do të braktisin vatrat e tyre jo vetëm në atë pjesë, por përgjithësisht në hapësirat shqiptare. Hiq më mirë nuk është gjendja as në trevat shqiptare nën “Maqedoni”. Nesër me liberalizimin e vizave në mungesë të politikave të qarta zhvillimore dhe perspektvës së sigurt për punë dhe mirëqenie, mund të ndodhë edhe me bashkëkombasit tanë në Shqipëri dhe Kosovë.
Nga atje(Kosova Lindore) vijnë njoftime alarmante. Psh. zyra ndërkombëtare për migrim në Preshevë, ka regjistruar rreth 8000 shqiptarë në dy-tre javët e fundit që po i braktisin familjarisht shtëpitë dhe pronat e veta. Askush nuk e ngre zërin ndaj këtyre fakteve rrënqethëse të spastrimit etnik të këtyre viseve. Ku janë institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato të Republikës së Shqipërisë?
***
2. Gjendja ekonomike në Kosovë është vështirësuar, nuk ka zhvillim normal ekonomik, por vetëm pasurim të politikanëve. Çdo ditë e më tepër po thellohen dallimet ndërmjet atyre që u pasuruan dhe po pasurohen në mënyrat më të pandershme dhe masës së gjerë të varfër të popullit. Në këtë aspekt, LIB-i konsideron se Kosova është shndërruar në një vend me kontraste të mëdha dhe të thella shoqërore dhe ekonomike.
– Për shkak të papunësisë,varfëria po thellohet. Mbi 45% të papunë dhe ky numër po rritet çdo ditë. Njerëzit kërkojnë zgjidhje, kërkojnë jetë më të mirë. Pushtetmbajtësit janë në garë kush më shumë po pasurohet, kush më tepër po e forcon grupin e vet të interesit. Ne nuk shpresojmë se gjendja do të ndryshojë për të mirë me të tillë pushtetarë që po ia ngushtojnë përditë e më shumë perspektivën qytetarëve tanë. Prandaj, ideja për ta ndryshuar mentalitetin e qeverisjes është e drejtë, mbi të gjitha kërkesë legjitime dhe domosdoshmëri e madhe e kohës;
– Nuk janë punët mirë as me punëtorët, nëpunësit, shërbyesit civil, mjekët, arsimtarët, policët. Ata me të drejtë protestojnë dhe u hodhën në grevë. Për çka? Për një pagë më të mirë, për një jetë më dinjitoze. Kosova e ka të vështirë t’i evitojë trazirat sociale. Qeveria le të mendojë për valën e pakënaqësive që do të shpërthejnë. Le tu japë zgjidhje kërkesave legjitime të tyre, siç ka ditur të kujdeset për veten, siç po di t’ua shtojë privilegjet deputetëve, ministrave e strukturave tjera qeveritare .
-Flitet shumë se dhënia e tenderëve bëhet duke kërkuar haraç nga 5-25%. Në këtë mënyrë po dëmtohet buxheti i Kosovës, po varfërohet Kosova, po përfitojnë politikanët dhe po dëmtohet biznesi. Ne kërkojmë që të deklarohen hapur ata që kushtëzohen dhe të demaskohen publikisht keqbërësit.
***
3. Gjykimi i Albin Kurtit, dëshmon se EULEX-i merret me punë që nuk duhej të ishin në vëmendjen e tij. Ky mision po vazhdon padrejtësinë sikur pararendësi i tij UNMIK-u. Rasti i Albin Kurtit dhe shumë procese të tjera negative që po ndodhin gjatë këtyre dy viteve në kurriz të Kosovës janë dëshmi se EULEX -i po e vazhdon realizimin e amaneteve që ia la UNMIK-u.
Lëvizja për Integrim dhe Bashkim(LIB) kërkon ndërprerjen e këtij procesi të motivuar politikisht. Ndërsa ndaj bartësve të institucioneve ka një porosi: Jeni përgjegjës për heshtjen dhe përgjegjës për shumë punë të tjera, për të cilat nuk keni as vullnetin më të vogël që t’i kryeni. Ju jeni mumie para ndërkombëtarëve, arrogant ndaj qytetarëve, shpërdorues ndaj interesave të larta të Kosovës, gënjeshtar ndaj popullit, të nënshtruar ndaj të huajve. Politika e udhëhequr nga ju, po e çon Kosovën drejt një vendi me varësi të plotë ndërkombëtare, me ndarje funksionale territoriale, të varfër ekonomikisht, me rreziqe për t’u zhveshur nga identiteti kombëtar. Me një fjalë, me këtë formë të qeverisjes Kosova po hynë në një rrugë qorre, prej së cilës është shumë e vështirë të dilet.
24.2.2010 Smajl Latifi, kryetar i Lëvizjes për Integrim dhe Bashkim(LIB)