Xhevat Bislimi-Projekti djallëzor për copëtimin e Anamoravës dhe të Kosovës së mbetur nga kafshimet e mëhershme, duke krijuar “komuna” të pastërta serbe, nisi në emër të decentralizimit dhe të ofrimit të shërbimeve te qytetarët. Flamurin për zbatimin e këtij projekti fillimisht e mori dhe e tundte fort, Lutfi Haziri, nga një fshat i Gjilanit. Ideja për hartimin e këtij projekti me formë, përmbajtje dhe qëllime thellësisht kundërshqiptare kishte lindur në qarqe të disponuara armiqësisht ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare. Formën dhe përmbajtjen përfundimtare, që ka edhe sot, e mori në Beograd, në Kuvendin e Serbisë. Pa ndonjë ndryshim përmbajtësor u përfshi në planin e Atisarit – Kushtetutën e Kosovës.

Mirëpo, për zbatimin e tij të plotë dhe pa vështirësi, sipas Beogradit dhe disa qarqeve ndërkombëtare të imponuara në Kosovë, nuk do të duhej të fitonte Partia Demokratike e Kosovës, sidomos në Anamoravë. Reagimet e këtyre qarqeve pas fitores së PDK-së në Viti dhe Gjilan vërtetojnë dyshimin se për Anamoravën ishin hartuar politika të caktuara që për synim përfundimtar kishin dobësimin e elementit shqiptar në Anamoravë dhe fuqizimin e elementit sllav, serb. Humbja e PDK-së në Dardanë dhe Artanë nuk ishte e mjaftueshme, nuk i kënaqi hartuesit e politikave antishqiptare. Fitorja e PDK-së në Viti dhe Gjilan shkaktoi hidhërim, dëshprim dhe revoltë të paparë te këto qarqe. Se sa e madhe ishte pakënaqësia e këtyre qarqeve u pa edhe nga reagimet dhe deklaratat e tyre pa kripë dhe pa takt. Dikush harroi se ishte diplomat dhe kërkoi hapur (duke e parë veten mbi ligjin dhe mbi Kosovën) të përsëriten votimet në Gjilan, sepse atje duhej të humbiste PDK-ja! Këto qarqe ushtruan dhe po ushtrojnë presion më shumë të fshehur, por edhe të hapur për anulimin e votimeve dhe përsëritjen e tyre në Gjilan. Rinumrimi i votimeve në këtë Komunë dëshmoi në sytë dhe praninë e vëshguesëve vendorë e ndërkombëtarë rregullësinë e procesit të votimit dhe fitoren bindëse të PDK-së në këtë Komunë. Por, ata që kishin hartuar projektet dhe planet për zhbërjen ose transformimin e qenësisë shqiptare të Kosovës nuk mund të pajtoheshin me humbjen e radhës. Sipas tyre, Kosova mund të jetë çkado tjetër vetëm shqiptare jo!? Për ta realizuar këtë projekt të pazbatueshëm, këto qarqe mendojnë se PDK-ja duhet të humb ose të jetë një forcë e parëndësishme në Kosovë. Edhe pse, kjo parti, PDK-ja, tashmë është një forcë politike e moderuar, evropiane dhe moderne, qarqet e përmendura nuk e besojnë. I frikëson e kaluara liridashëse e kësaj partie dhe e njerëzve të saj…

Këto qarqe nuk i brengos fare sundimi i ligjit dhe rendit, luftimi i korrupcionit dhe i krimit të organizuar, zhvillimi ekonomik dhe shoqëror në Kosovë. Jo, jo. Këto qarqe kanë vetëm një brengë: Si t’i zbatojnë politikat e tyre kundërshqiptare në Kosovë! Për zbatimin e këtyre politikave këto qarqe janë të gatshme dhe po bashkëpunojnë ngushtë me bashkëpunëtorët e djeshëm dhe të sotëm të Serbisë, janë të gatshme dhe po e tolerojnë krimin e organizuar dhe korrupcionin, janë të gatshme dhe po mundësojnë shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës dhe të pronës së saj, janë të gatshme dhe po bashkëpunojnë ngushtë edhe me Serbinë. Tetë vite UNMIK-u dhe tash EULEX-i ngritën dhe po e mbajnë në këmbë një sistem drejtësie të korruptuar në palcë, një sistem drejtësie me gjyqtarë dhe prokurorë që i shërbyen me besnikëri qeni politikave represive dhe kriminale të Serbisë pushtuese. Me gjyqtarë e prokurorë që kanë shqiptuar qindëra e mijëra vite burgim për rininë dhe popullin shqiptar të Kosovës. Janë po këta gjyqtarë e prokurorë që gjatë këtyre dhjetë viteve vazhdojnë të jenë kontribuesit më të mëdhenj për rritjen e korrupcionit dhe të krimit të organizuar në Kosovë. Gjyqësia sot është streha më e sigurtë e korrupcionit dhe e krimit të organizuar. Madje, edhe fabrika më e madhe e tyre. Shërbim të mirë këtyre politikave dhe planeve po u bëjnë edhe shumë zyrtarë qeveritarë e shtetëror. Mos të flasim për disa media të shkruara dhe elektronike, të cilat, jo vetëm se janë bërë zëdhënëse të këtyre politikave, por shpeshherë bëhen edhe avangardë e tyre…

Deri dje ishte vetëm UNMIK-u, sot është edhe EULEX-i sponzoruesi dhe garancia më e madhe për mbajtjen e statusquos në Veri të Kosovës. Mbetja e Veriut nën kontrollin e Serbisë i atribuohet këtyre dy “misioneve” që mbajnë emblema të ndryshme, por kanë qëllime të njëjta. Për realizimin e këtyre qëllimeve u duhej dhe u duhet edhe një “Veri” i Kosovës, e kjo është Anamorava. Pengesë për jetësimin e këtyre qëllimeve janë lëvizje, parti, grupe dhe njerëz me të kaluar liridashëse. Pengesë është Albin Kurti, të cilin kur nuk mund ta “vrasin” politikisht, provojnë ta fusin në burg dhe ta dënojnë për krimet që i kanë bërë vetë! Kurrë nuk u shkon mendja t’i dënojnë ata që bënë gjenocid dhe holokaust në Kosovë. Kurrë nuk u shkon ndërmend t’i dënojnë ose largojnë nga jeta politike, mediale dhe publike argatët e tyre, që nuk ishin të pakët në Kosovë, sepse ata u duhen edhe sot! Por, edhe më tej digë e pakapërcyeshme për zbatimin e këtyre qëllimeve ogurzeza është dhe do të mbetet kombi shqiptar në Ballkan e më gjerë. Prandaj, këto misione dhe qendrat e qarqet që qëndrojnë prapa tyre do të duhej të heqin dorë nga këto politika të vjetruara. Të shohin përpara dhe të hapin rrugë edhe për liritë dhe të drejtat kombëtare, politike e demokratike të kombit shqiptar në Ballkan. Populli që nuk e humbi rrugën për mijëra vjet nuk do ta humb as sot, as nesër…