Forca e Diasporës (FeD) një lëvizje e re politike që synon Parlamentin e Kosovës
Vehbi Haliti
Se diaspora nuk dëshiron të jetë vetëm portofol parash por edhe faktor politik e dëshmon më së miri lëvizja FeD e shtrirë në të gjitha kontinentet ku jetojnë shqiptarët e cila jo larg do të trokas në dyert e elektoratit kosovarë.Për të mësuar më shumë rreth programit dhe orientimit të kësaj lëvizjeje po paraqesim një pjesë të konceptit politik të shpalosur nga drejtuesi i kësaj lëvizëje z.Mehmet Manovi:
Koncepti politik i FeD-it në skenën politike kosovare futet si opsion i një forcë e re politike që vjen si një lëvizje kreative, inovative dhe dinamike e diasporës dhe qytetarëve të Kosovës.
Bëhet fjalë për një organizim politik mbarëkombëtar që ka potencial multidimensional dhe multidisiplinar politik, ekonomik, financiar dhe kadrovik sepse ka vetëm një qëllim. përmbledhjen e ideve më avangardë, moderne dhe kreative të elitës intelektuale mbarëshqiptare dhe shndërrimin e tyre në një program bashkëkohor politik dhe strategjik i cili dallon në themel nga konceptet konvencionale, gjegjësisht tradicionale, shterpe, sterile e servile të subjekteve të deritanishme politike shqiptare, që ofrojnë programe aspak autentike, përkundrazi programe „cope paste“, apo edhe më saktësisht koncepte plagjaturash, për të mos thënë të vjedhura nga subjektet më të njohura politike europiane.
Ideja jonë është që kjo Lëvizje të shndërrohet në një opsion politik që qëndron jo vetëm mbi interesat e ngushta të politikës ditore por që e pasuron kohën dhe hapësirën ku jetojmë me ide, vlera dhe koncepte kreative, moderne e bashkëkohore, avangarde, racionale dhe pragmatike, e cila është mirëpritur shumë nga bashkëqytetarët tanë. Këtu bëhet fjalë për një koncept që i përshtatet natyrës sonë specifike njerëzore dhe nevojave kombëtare e shtetërore.
Ne jemi thellësisht të bindur se njerëzve të sinqertë, të ndershëm, të ditur dhe mirëdashës nuk iu duhet frymëzim apo inspirim i madh për të qenë shërbëtorë të palodhur të kombit, atdheut dhe shtetit sepse për të tillë është i vetëkuptueshëm raporti korrekt, etik, moral, i përgjegjshëm, ndërgjegjshëm dhe llogaridhënës ndaj familjes, popullit, atdheut dhe shtetit.
Duke pasur parasysh faktin se shumica e aktivistëve që e përbëjnë këtë lëvizje, potencialin e tyre iluminist, kreativ, human, dhe avangard e kanë thithur nga shoqëritë e qytetëruara ku jetojnë e veprojnë dhe ku sjellja e ndershme, e përgjegjshme, e ndërgjegjëshme dhe llogaridhënëse e politikanëve që prezantojnë popullin në pushtet dhe opozitë është e vetkuptueshme, atëhere jemi optimistë se të gjithë së bashku njohuritë dhe përvojat e tyre do t`i implementojnë në konceptin e ri politik, për ta kompletuar deri në detajet më të imta mënyrën e veprimit teorik dhe praktik. Në këto shoqëri, gjegjësisht shtete, ndodh pandalshëm një garë cilësore ndërmjet individëve, subjekteve, ideve dhe koncepti politik që prodhojnë vazhdimisht rezultate konkrete e cilësore ose thënë më saktësisht rezultate cilësore në të gjitha lëmitë, sferat dhe fushat e veprimit politik. Kjo ndodh, sepse pothuajse çdo individ që kyçet në politikën reale është skajshmërisht i sinqertë ndaj vetvetes dhe të tjerëve, ngaqë motivi i tij është i qartë dhe transparent: “Dua t`i realizoj interesat personale nëpërmjet kontributit për realizimin e interesave të përgjithshme shoqërore dhe shtetërore apo më konkretisht dua t`i realizoj interesat personale nëpërmjet kontributit për ngritjen e mirëqënies së përgjithshme sepse duke kontribuar për ngritjen e mirëqënies së përgjithshme, unë në fakt kontribuoj edhe për ngritjen e mirëqënies personale.
Ndërkaq ne jemi në këtë situatë të mjerë, sepse raporti i politikanit të zakonshëm shqiptar ndaj popullit, atdheut, shtetit, politikës, ekonomisë, financave, shoqërisë, natyrës, arsimit, shkencës, kulturës, sigurisë dhe edukatës, është i kundërt me raportin që kanë ndërtuar me shumë mund e sakrificë politikanët gjermanë, francezë, danezë, suedezë, e kështu me radhë, ndaj popujve dhe shteteve të tyre. Në anën tjetër fatkeqësisht të paktë janë ata shqiptarë që kyçen në politikën reale për t`i realizuar interesat e përgjithshme, përkundrazi, shumica e shohin politikën si një Eldorado të veprimtarisë përfituese, ku futen me synimin për të realizuar vetëm interesat puro egoiste, familjare, farefisnore, partiake dhe klienteliste.
Mirëpo tragjedia ndodh kur këta individë fillojnë t`i realizojnë interesat e tyre puro egoiste nëpërmjet dëmtimit të interesave të popullit dhe shtetit, apo më saktësisht nëpërmjet rrënimit të mirëqënies së përgjithshme. Prandaj Kosovës i duhet një koncept i ri dhe i drejtëpeshuar politik, ekonomik, financiar, arsimor, pedagogjik, filozofik, shkencor, psikologjik, sociologjik, etik, moral, edukativ, kulturor, klimatik që gjeneron shpresa, vlera dhe rezultate konkrete. Këtë koncept ne e kuptojmë si një ekuilibrizëm pragmatik dhe racional, që nuk barrikadohet në asnjë ideologji klasike, por që i përmbledh, selekton, sistemon dhe praktikon vlerat më të dëshmuara politike, filozofike, humane, shkencore, kulturore, dhe edukative që e kanë çliruar njerëzimin e qytetëruar nga kthetrat e varfërisë, primitivizmit, hipokrizisë, injorancës dhe dhunës multidimensionale.
Bëhet fjalë për një koncept që synon të rivendosë harmoninë dhe interpelancën ndërmjet njeriut, shoqërisë dhe natyrës, nëpërmjet drejtëpeshimit të nevojave të ndërsjella apo më saktë nëpërmjet marrjes dhe dhënies inteligjente kreative që nuk i dëmton reciprokisht palët. Më konkretisht bëhet fjalë për një koncept që e favorizon reciprocitetin e balancuar multidisiplinar ndërmjet njeriut, shoqërisë dhe natyrës. Nuk mund të ketë individë të shëndoshë pa shoqëri, atdhe, shtet dhe natyrë të shëndoshë.
Prandaj pa parakushtet e lartpërmendura, nuk mund të ketë as zhvillim të shëndoshë ekonomik që e favorizon një barazpeshë të domosdoshme sociale e cila është bazamenti për një shoqëri dhe shtet të balancuar dhe të përparuar, sepse çdo zhvillim i njëanshëm që favorizon vetëm një grup interesi dhe e anashkalon shumicën, del jashtë kornizave dhe koordinatave natyrore, në një botë e cila qysh moti i ka dalë nga binarët e drejtëpeshimit.
Koncepti ynë politik dallon nga konceptet e dështuara konvencionale europiane dhe ballkanike, jo vetëm pse nuk është barrikaduar në asnjë ideologji klasike, por sepse në fokus të vëmendjes ka dinjitetin e njeriut, bimëve dhe shtazëve. Ky program e çliron individin nga varësia prej konsumit të dëmshëm mbiproporcional dhe natyrën nga eksploatimi, gjegjësisht rrënimi i pamëshirshëm që prodhon zhdukje të botëve bimore dhe shtazore, që sigurojnë kushtet optimale për një jetë të shëndetshme.
Në një botë ku pritet një ngrohje globale mbi tre gradë celsius, nuk do të ketë as kushte elementare për një jetë kuptimplotë, prandaj prioriteti primar i konceptit tonë është vetëdijësimi i çdo individi indiferent ndaj dëmtimit të ekosistemit deri sa të arrihet vetëdijësimi i masës kritike të njerëzve me alarm të shkyçur. Këtë vetëdijësim ne nuk dëshirojmë ta ndajmë vetëm me shqiptarët, përkundrazi me të gjithë njerëzit dhe popujt kudo që jetojnë, sepse jemi të bindur se në kohën kur informatat shkëmbehen me shpejtësinë e dritës, përmes rrjeteve sociale, çdo ide që synon për ta bërë njeriun njësh me natyrën që e rrethon do të prodhojë jehonë. Mirëpo një koncept i tillë nuk mund të jetë i suksesshëm nëse nuk gjeneron vende të reja pune.
Për t`ia arritur këtij qëllimi është i nevojshëm një lobim modern deri në arritjen e një bashkëpunimi të ngushtë me të gjitha partitë dhe grupet e interesit në Europë dhe SHBA që kanë koncepte të ngjashme. Duke pasur parasysh faktin që këto koncepte po i imponon vetë natyra, gjegjësisht vetë ekosistemi i rrënuar nga ndotja e ujit, tokës dhe ajrit, atëherë nuk kemi pse të çuditemi që eksploatimi mbi proporcional i resurseve natyrore po e bën të pabanueshëm planetin tokë. Prandaj jemi shumë të bindur që gadishmëria jonë për bashkëpunimin me partitë dhe grupet e interesit që kanë koncepte të ngjashme politike, ekonomike dhe klimatike nuk do të hasë në sy të verbër dhe veshë të shurdhër, përkundrazi, Po ashtu jemi shumë të bindur që ky bashkëpunim do të rezultojë edhe në investime në sektorin e energjisë regenerative dhe riciklimit.
Mirëpo kjo nuk është e tëra: Tentativa për ta shndërruar Kosovën e pasur me resurse të jashtëzakonshme natyrore në një shtet ekologjik, nuk është një opsion i pamundur në programin tonë. Përkundrazi, jo rrallë resurset e jashtëzakonshme natyrore janë dëshmuar si një mallkim për popujt e vegjël që jetojnë me bark të uritur mbi to. Sepse jo vetëm që nuk ua shohim kurrë hajrin por me tonelata sherrin. Në anën tjetër programi ynë nuk lufton jo vetëm pasojat e krimit të organizuar dhe korrupsionit por sidomos burimin që është në kokat e pothuajse e secilit individ të papërgjegjshëm dhe pandërgjegjshëm.
Prandaj ky koncept parashikon një konfrontim permanent të individit dhe kolektivit me ndërgjegjen, edukatën, kulturën primitive dhe arkaike deri në vetëdijësim. Ky vetëdijësim duhet të realizohet nëpërmjet shumë projekteve kulturore, edukative, kreative dhe sociale kudo që frekuentojnë njerëzit më së shumti dhe sidomos nëpër shkolla dhe universitete.
Prandaj është e dëshirueshme dhe e mirëseardhur që pjesë e këtij koncepti të bëhen edhe të gjitha format organizative të shoqërisë civile. Ne në fakt e kemi përpiluar një tabelë të prioriteteve që konceptin tonë e bëjnë autentik dhe të dallueshëm prej koncepteve copy paste të partive tona politike. Bëhet fjalë për një tabelë të prioriteteve që në fakt është një kornizë moderne me koordinata të qarta dhe kreative të veprimit që i nënshtrohen në njërën anë vlerave njerëzore, kombëtare dhe universale e në anën tjetër nevojave ekzistenciale të shumicës.
E dimë që dikjut mund t`i duket si një shpagat i pamundur por jo edhe neve. Ne na duket jo vetëm i mundur por para së gjithash i domosdoshëm. Të kesh prioritet për ndryshim të gjendjes së tërësishme është më tepër se një akt i pritur. Duhet të thekësohet se kjo lëvizje është formuar më 10 Gusht 2019 në qytetin e Hasan Prishtinës,Vushtrri me aktivistë nga shumë vende të botës si dhe nga Kosova dhe tani është në fazën e legjitimimit për çka ka caktuar edhe kuvendin zgjedhor i cili do të mbahet më 2 Prill 2021 në Prishtinë.