Evis HALILI
– Me dy ndihmës dhe asnjë drejtues sektori funksionon Qyteti i Shkupit. Institucioni i pushtetit lokal prej vitesh vazhdon të shkelë në formën më flagrante të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit lidhur me përfaqësimin e drejtë të etniteteve. Situata duket se hëpërhë nuk ka premisa për t’u ndryshuar. Më shumë se prej një viti, që prej zgjedhjeve lokale, marrëveshja e realizuar mes krerëve të Qytetit të Shkupit dhe Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe BDI në nivel lokal, nuk ka gjetur zbatim. Të parët vazhdojnë të jenë të bindur se kjo përbërje aktuale nuk ka asgjë për t’u alarmuar, të dytët në pritje të zbatimit të marrëveshjes mes Koce Trajanovskit dhe Abdylaqim Ademit. “Nuk do të kisha dashur të komentoj përfaqësimin e shqiptarëve nëse është i vogël apo i madh. Ne jemi një institucion ku në pozicionet drejtuese, titullarët nuk zgjidhen sipas kriterit entik, por atij profesional”, thotë zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Nedelko Kërstevski. Sipas kritereve të vendosura nga ky institucion, rezulton se mes shqiptarëve vetëm dy persona, në mesin e 16 sektorëve, gëzojnë aftësi profesionale për t’u ulur në postin jo të drejtuesit, por të ndihmës udhëheqësit në dy sektorë. Në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit pohojnë se të gjitha nivelet e ekzekutivit dhe lokalit duhet të zbatojnë Marrëveshjen. “Çdo institucion duhet të zbatojë marrëveshjen për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe një gjë të tillë duhet ta zbatohet edhe në Qytetin e Shkupit. Në të 16 sektorët që ka të paktën 3 ose 4 duhet të udhëhiqen nga shqiptarë, ashtu siç edhe jemi dakorduar”, thonë në Sekretariat. Sipas tyre, pritet që së shpejti të punësohet një shqiptar në postin e këshilltarit shtetëror, detyra e të cilit do të jetë mbikëqyrja e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në Qytetin e Shkupit, këshilltari i vetëm që pranon të flasë për përfaqësimin e zhdrejtë është Idriz Orana. “Nuk mund të pajtohemi me këtë përfaqësim, i cili nuk korrespondon me realitetin dhe multietnicitetin, thjesht nuk e ndjejmë si përfaqësim të barabartë”, thotë këshilltari. Edhe politikat që rrjedhin nga Qyteti i Shkupit, një pjesë edhe falë mungesës totale të shqiptarëve të pozicionuar në poste drejtuese, i tangojnë shumë pak vendbanimet shqiptare, të cilat kryesisht janë në fund të listës së prioriteteve.
Politikat diferenciale në pushtetin lokal ndiqen edhe nga Qeveria, sidomos në kulturë. Prej bllokut me buxhetin shtesë të Qeverisë dedikuar komunave në vend, 17 komunat shqiptare janë të privuar nga e drejta për kulturë. Mbi 3 milionë euro i janë akorduar vetëm komunave maqedonase, ndërsa gati 10 përqind nga buxheti total janë arkëtuar për Qytetin e Shkupit.