Armenia dhe Azerbajxhani arrijnë marrëveshje armëpushimi
Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord me ndërmjetësimin e Moskës për armëpushim, por ende jo për kushtet specifike.
Dy javë pas rinisjes së luftimeve mbi rajonin e Kaukazit, Nagorni-Karabah, Armenia dhe Azerbajxhani arritën një marrëveshje armëpushimi, njoftoi ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili ndërmjetësoi midis palëve në konflikt. Por ende nuk është e qartë për sa kohë do të zbatohet ajo, sepse “për kushtet specifike për armëpushimin nuk është rënë dakord ende,” tha Lavrov pas dhjetë orë bisedimesh me homologët e tij nga Armenia dhe Azerbajxhani. Gjithësesi të dy palët kishin dakord në parim për bisedime për paqe.
Armëpushimi pritet të nisë gjatë mesditës së ditës së sotme (10.10.) por të shtunën në mëngjes pati njoftime për luftime të vazhdueshme nga të dy palët.
Sipas marrëveshjes do të shkëmbehen gjithashtu edhe të burgosurit si dhe do të dorëzohen trupat e të vrarëve në luftime. Për zbatimin e armëpushimit do të ndihmojë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, tha Lavrov. Bisedimet e paqes do të zhvillohen nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Qindra të vdekur
Në Nagorni-Karabah në Kaukazin Jugor jetojnë kryesisht armenë të krishterë dhe në vitin 1991 ky u shkëput nga Azerbajxhani, të ciliti takon sipas të ndrejtës ndërkombëtare civile.
Nga luftimet që shpërthyen në fund të shtatorit thuhet se kanë vdekur qindra vetë. Meqenëse Armenia është aleate me Rusinë dhe Azerbajxhani mbështetet nga Turqia, konflikti kërcënon të përhapet përtej rajonit me pasoja të mëdha për ekonominë, sepse nëpër Kaukazin e Jugut kalojnë gazsjellës të rëndësishëm dhe tubacione nafte.
Luftimet aktuale janë më të rëndat që nga lufta e viteve 1991-1994, gjatë së cilës u vranë rreth 30,000 vetë. Kjo luftë përfundoi me një armëpushim, i cili shkelet vazhdimisht.