E VËRTETA, NUK DO DËSHMITARË
Fadil LUSHI
Kur anadollakët mllefosen dhe nuk i kanë në dorë frerët e arsyes, zbrazen me dy të shara e tyre karakteristike: e para është “sikanani”dhe e dyta “horospi evladi”. Ndonëse janë shprehje fare të ulëta e denigruese, ngandonjëherë, pasi i përdorin, anadollakëve sikur u bien nervat dhe u kthehen “binarëve të arsyes së tyre”. Për këtë e shkaqe të tjera dhe për respekt ndaj lexuesve të mi të vëmendshëm dhe të paanshëm, sidomos ndaj njerëzve që sadopak llafosin a komunikojnë në gjuhën turke, fillimisht u kërkoj ndjesë për fjalët e pahijshme që hetohen në këtë opinion dhe, për këtë, nuk do t’i përkthejmë nga osmanishtja në shqip.Se ç’më ngacmoi që këtë shkrim gazete ta filloj me këto dy shprehje joshqipe, më shtyri ngjarja a ndodhia që bëri vaki para do kohësh në Prishtinë, kur me urdhër të ca derdimenëve evropianë, do rripa kaishi dhe do “burokratëve”, në mënyrën më spektakolare, në mënyrën më brutale dhe më primitive u burgos Albin Kurti, tok me ditëlindjen gjegjësisht me pesëvjetorin e Vetëvendosjes! U burgos njeriu që kundërshtoi vendimin idiotik dhe çnjerëzor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndaj denigrimit dhe në instancë të fundit, zhvleftësimit të Stemës së Komunës së Ymer Prizrenit, të Lidhjes së Abdylit, të Kryefjalës sonë kombëtare!? U arrestua fjala e lirë, filozofia e politikëbërjes dhe, së fundi, u arrestua simboli dhe “simbolika e retorikës”. U ndalua Kampioni i politikës opozitare gjegjësisht Albin Kurti, koeficienti i kundërshtisë dhe të inatosurit politik i të cilit është goxha i lartë, u fut në burg Martin Luter Kingu dhe Leh Valensa kosovar. U arrestua Albini, gjegjësisht “skllavi i ndershëm i nderit” të lëvizjes së Vetëvendosjes! U arrestua dekurajuesi i dhunës së demonstratave të 10 shkurtit, ideali dhe fryma e shpresës së tij, pra e mbyllën njeriun i cili dikur nuk e njohu Gjykatën serbe, që edhe sot e kësaj dite mëton të mos e njohë edhe këtë Gjykatën e UNMIK-ut, të EULEX-it, po edhe të Martti Kalevi Ahtisarit, emra këta që Kosovës i “sollën” një pavarësi të kufizuar dhe të gjymtuar. Ai, siç vazhdon të veprojë, njëherë e përgjithmonë do ta njohë Gjykatën e popullit dhe vetëm të popullit. U burgos njeriu që asnjëherë nuk mëtoi dhe nuk bëri përpjekje t’i turret pas pushtetit, t’i turret pasurisë materiale, kolltukut të kryeminderit.
Po pra, kësisoj do të arrestohet vullneti i lirë, vullneti i papërkulur, i paepur dhe i patundur, do të burgoset Historia e 175 mijë nënshkrimeve të grumbulluara të shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës. Me këtë arrestim, njëherazi do të anashkalohen, do të shkelen, por edhe do të sikterisen 175 mijë nënshkrimet e shqiptarëve, nënshkrime këto që duhej të kundërshtonin një proces (të planifikuar) të montuar politik albinian. Do të burgoset antikarrieristi dhe antikorrupsionisti Albin Kurti, respektivisht “Kushtetuta e ardhshme e Shqipërisë natyrale”!?…, do të burgoset “fenomeni i politikëbërjes kosovare”. Pikërisht atë ditë u arrestua radikalizmi i një intelektuali të vërtetë, trashëgimtari i ideve të Ukshin Hotit, Aganit dhe të tjerëve si ai. Gojëkëqijtë dhe sherrxhinjtë veçanërisht ata që ia kanë inatin Kurtit, mund të thonë se u prangos “katallani i polikëbërjes ekstreme“.
Në ditën e burgosjes së Albin Kurtit u burgos edhe mendimi filozofik i Monteskies, i cili dikur pat thënë se: “LIGJI DUHET TË JETË SI VDEKJA, ASKUSH S’MUND T’I SHMANGET ATIJ! Sipas Albin Kurtit, kjo “logjikë” e Gjykatës së UNMIK-ut apo edhe EULEX-it nuk përputhet me mendimin filozofik të Monteskies, pasi që korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe institucional edhe më tej vazhdon ta sfidojë ligjin dhe njëherazi i shpëton ligjit gjegjësisht vdekjes këtu e gjetiu në hapësirat e mbikëqyrura të Republikës së Kosovës!? Ku ta dijë njeriu, unë nuk e di, Albini gjithsesi se e ka të qartë.
Kjo burgosje u bë pas paralajmërimit se Lëvizja Vetëvendosja, ishte përcaktuar përfundimisht që të përfshihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo përfshirje, njëherë e përgjithmonë do t’ua prishte komoditetin dhe rehatinë të gjitha partive politike, qofshin ato në pushtet, ose jashtë tij.
Prishtinasit, dëshmitarët okularë do të thonë se me 11 qershor u arrestua dhe u burgos Historia e një njeriu, i cili gjithë ditën e Perëndisë mëton të ndërtojë dhe të krijojë identitete të reja në avllinë e politikës së shtrembëruar kosovare. Burgosja e tij kishte për qëllim, që ta shkëpusin nga e tashmja e të bërit inat. U burgos një e vërtetë, që nuk ka nevojë për dëshmitarë, qofshin ata edhe dëshmitarë jallanë. Populli nuk mund të jetë në cilësi të dëshmitarit jallan.
Dhe, sot të thuash se u arrestua, po edhe u lirua, lideri i lëvizjes Vetëvendosja, nuk është kushedi çfarë lajmi, por ama të thuash se atij iu ngulfat frymëmarrja e politikëbërjes si dhe frymëmarrja e politikës ekzistencialiste sartëriane, vërtet është lajm i dorës së parë. Kështu, si u bë burgosja e tij, vërtet është një punë dreqi, punë lesh arapi, është si puna e hamamxhiut, i cili në vaktin e dovletit, hanëmeve të sulltanit u siguronte ujë për të larë paranicën dhe prapanicën. Kjo burgosje e Albinit u realizua në një përvjetor, “kur të gjithë ne tok nuk jetojmë në kohërat e vlerave, po përkundrazi jetojmë në kohërat e plehrave”, siç do të thoshte Ndoc Gjetja, poeti lirik nga Lezha.
Njerëzit të cilët nuk pajtohen me opinionet e mia, plotësisht kanë të drejtë të parashtrojnë pyetje, se a mos vallë, për hatër të autoritetit të “paprekshëm” të Albin Kurtit në Republikën e Kosovës nuk duhet të sundojë ligji!? Përkundrazi, ligji vlen për të gjithë, pavarësisht se a bëhet fjalë për kryetarin e shtetit, kryeministrin, ministrat, për ushtarakun me paterica të UÇK-së, apo edhe për qytetarin e rëndomtë. Tekefundit, “PAFAJËSIA E ÇDONJËRIT DËSHMOHET VETËM NJË GJYQ E JO NËPËR NDEJA”. Për këtë Albin Kurti, është i ndërgjegjshëm, por ama ai kundërshtinë e tij politike do ta mbështesë në faktin se”Imuniteti i disave ndaj ligjit, të qenit e disave mbi ligjin, është variant i paligjshmërisë. Ligji ose vlen për të gjithë, ose s’është përnjëmend ligj. Ligji në Kosovë na ndan, sepse nuk jemi bashkë përfundi tij. Njerëzit në Kosovë nuk janë të barabartë para ligjit. Prandaj ligji nuk është referencë përbashkuese e shoqërisë, por thikë që e ndan shoqërinë në ata që janë të pambrojtur dhe në ata që janë të paprekshëm”.
Sipas Kurtit, të pambrojtur janë qytetarët, ndërkaq të paprekshëm janë pedofilët ndërkombëtarë, (të cilët pasi dhunojnë fëmijët kosovarë, marrin udhë drejt vendlindjes së tyre) krerët e partive politike dhe institucioneve me klanet e tyre, strukturat paralele të Serbisë, zyrtarët e EULEX-it me familjet e tyre e të tjera subjekte.
Ky paragraf i lartpërmendur që është ndërtuar nga vetë Albin Kurti, nuk do të thotë se ai kërkon që objektivisht dhe subjektivisht të jetë mbi ligjin, ai kërkon respektimin e parimit të barazisë së ligjit. Ai, kërkon rrugë që të ndërtojë vlera morale. Kundërshtarët e politikës thonë se mirë do të ishte që lëvizja Vetëvendosja të shndërrohet a të konvertohet në parti politike, por me kusht që Albin Kurti të mos merret me politikë. Po të shkonte ai kësaj vije, atëherë nuk do të ishte ai që është sot, sepse politika do t’ia hante kokën. Thjesht, do bënte një punë me zarar!?