Shqiptarët në Europë ,punojnë shumë por paguhen pak
Orë të gjata në punë? Shqiptarët, me sa duket, thyejnë rekord në Europë për qëndrimin më të gjatë në vendin e punës.
Sipas të dhënave të INSTAT, publikuar në Tregun e Punës 2016, shqiptarët punonin mesatarisht 42.9 orë në javë.
Nga përllogaritjet e “Monitor”, një shqiptar punoi mesatarisht 2231 orë në vit, më gjatë se vendet e zhvilluara të Europës.
Sipas të dhënave të fundit të përditësuara nga OECD, meksikanët punojnë më gjatë në vit, me një mesatare vjetore prej 2255 orësh, rreth 467 orë më shumë se mesatarja e të punësuarve me pagë në Amerikë.
Sipas raportit të OECD, ata paguhen më pak se një e pesta e fqinjëve amerikanë.
Në vend të tretë dhe të katërt, renditet Greqia me 2035 orë në një vit dhe Turqia me mesatarisht 1832 orë.
Më pas, renditen amerikanët, të cilët punojnë mesatarisht 1783 orë, apo 448 orë më pak se një i punësuar me pagë në Shqipëri.
Nga të dhënat e mbledhura nga vendet anëtare, OECD ka përllogaritur një mesatare vjetore prej 1764 orësh. Në krahasim me mesataren, të punësuarit me pagë në Shqipëri punojnë rreth 467 orë më shumë.
Vendet me numrin e orëve mesatare më të ulët se mesatarja e OECD janë ato të Europës Perëndimore, si Holanda me 1435 orë pune në vit, Franca me 1472 orë në vit, Zvicra me 1589 orë.
Edhe në krahasim me rajonin, ne punojmë më gjatë. Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, orët e punës vjetore janë më pak se 1900.
Të dhënat e INSTAT treguan se në vitin 2016, punonjësit shqiptarë kanë zgjatur kohën që rrinë në punë (nga 42.4 orë në 42.9 orë), ndryshe nga europianët, të cilët kanë ulur numrin e orëve të punës.
Orët e zgjatura të punës jo gjithmonë përkthehen me produktivitet në punë.
Sikurse vihet re në grafikun më poshtë, ato janë tipar i ekonomive jo shumë të zhvilluara.