Tadiç bllokoi hetimet për varrezat masive në Maqedoni
Autoritetet e Maqedonisë akoma nuk i kanë kthyer përgjigje Prishtinës zyrtare, pas kërkesës së bërë lidhur me praninë e dy varrezave masive në Maqedoni, me viktima kosovare të vrara nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999. Dy varrezat masive dyshohet të jenë pranë bregut të lumit Lepenc, në zonën në afërsi të kufirit të Bllacës.
Nga Ministria e Jashtme e Kosovës kanë theksuar se deri tani nuk ka asnjë përgjigje nga pala e Shkupit, lidhur me shkresën e bërë nga ana e ministrisë së jashtme për hulumtimin e varrezave masive. Mungesa e iniciativës nga ana e Shkupit zyrtar siç mëson agjencia e lajmeve INA është bllokuar me kërkesën e presidentit serb, Boris Tadiç, i cili në rrethana ende të pasqaruara qëndroi javën e kaluar në një vizitë joformale në Shkup.
“Ka zëra se pikërisht kjo çështje është kërkuar nga presidenti serb Tadiç, për shkak se ai ka kërkuar që autoritetet e Maqedonisë të mos nisin hulumtimin, derisa të deklarohet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me ankesën serbe për ligjshmërinë e pavarësisë së shtetit të Kosovës”, ka theksuar një diplomat perëndimor për agjencinë e lajmeve INA, duke kërkuar që kjo çështje të marrë hov dhe përfundimisht të zbardhet.
Ministria e Jashtme në Shkup ka theksuar se po shqyrtohet shkresa e pranuar nga Prishtina zyrtare. zëdhënësi i MPJ-së, Petar Çulev ka theksuar se një kërkesë e tillë është çështje komplekse dhe e rëndë, nëse ekziston me të vërtet. Lidhur me këtë është paralajmëruar edhe një komision i përbashkët për inspektimin e rajoneve ku ka sinjalizime për praninë e dy varrezave të tilla.
Kërkesa për hulumtimin e varrezave masive në Maqedoni pasoi pas një takimi midis ministrit të Drejtësisë të Kosovës, Haki Demolli me ambasadorin e Maqedonisë në Prishtinë, Stojan Karajanov. Në dy varrezat masive që janë në zonën kufitare të Maqedonisë me Kosovën, janë të varrosur viktimat e vrara dhe masakruara nga forcat serbe të rajonit të Kaçanikut, Ferizajit dhe zona të tjera përreth gjatë luftës së vitit 1999. Serbia druan nga hapja e kësaj varreze në vendin fqinj, me qëllim të mos humbjes sërish të imazhit të saj. M.Mellova