Haradinaj propozon tryezë kombëtare
Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka propozuar krijimin e një tryeze politike kombëtare për të diskutuar e marrë vendime për çështjet më akute dhe strategjike që preokupojnë Kosovën.Duke folur në një intervistë për BBC-në, zoti Haradinaj, ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeverie teknike në Kosovë, apo të ndërhyrjes në qeverisjen aktuale, por ka vlerësuar se tryeza kombëtare do ta ndihmonte Kosovën që të trajtohen të gjitha temat aktuale për vendin.
“Ne mendojmë krijimin e një tryeze nacionale e cila do të sillte rreth vetes përfaqësuesit e institucioneve, të partive të tjera parlamentare opozitare, shoqërinë civile, por edhe aktorë ndërkombëtarë ku do të trajtoheshin temat kryesore, ku do të merrnim vendime për temat me rëndësi apo strategjike,” tha zoti Haradinaj për BBC-në.
“Disa prej tyre tashmë janë në tavolinë: vazhdimi i luftimit të korrupsionit, aftësimi i mëtejmë i Kosovës për zbatimin e juridiksionit të vet në veri, bisedat e mundshme me Serbinë, ” tha kryetari i AAK-së.
Zoti Haradinaj tha se nuk e ndjen nevojën e takimit me kryeministrin, Hashim Thaçi, por shfaqi gatishmërinë e tij që të jetë afër aktorëve politikë në Kosovë për, siç tha, “mosthellimin e krizës në vend”.
Kryetari i AAK-së ka shprehur gatishmërinë për të marrë përgjegjësitë e tij për të siguruar përmbylljen e mandatit të qeverisjes aktuale duke i zvogëluar, siç tha ai, “pasojat e mëtejme për vendin dhe duke kontrolluar krizën e qeverisë në Kosovë”.
“Mënyra më e mirë e daljes nga gjendja e sotme është që koha e tashme të shfrytëzohet për të ndalur korrupsionin,” tha zoti Haradinaj për BBC-në.
“Një temë që e ka arritur një shkallë kaq të lartë të preokupimit të qytetarëve të vendit, duhet të ndalet, duhet të pastrohet Kosova nga kjo temë,” tha ai.
“Periudha e tashme tre deri në gjashtë muaj duhet të shfrytëzohet për këtë temë, por me trajtimin e kësaj teme kërkohet një garancë se Kosova do ta menaxhojë vetveten me temat e ndjeshme, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare,” tha zoti Haradinaj për BBC-në.
Zoti Haradinaj kërkoi që zgjedhjet parlamentare të përcaktuara për në vjeshtë të vitit të ardhshëm, duhet të mbahen në pranverë dhe kërkoi garanci nga autoritetet që ato të jenë të rregullta.