Si 16 vjeçe ‘theu’ kufirin jugosllavo-shqiptar, për 9 vjet dërgoi 1000 letra familjes
Ferdeze Mujaj Sadiku është një farmaciste shumë e suksesshme në Kosovë. Në vitet e 70-ta ishte arratisur për Shqipëri, atëherë kur kishte vetëm 16 vjet. Tre muaj, familja e saj nga Hogoshti i Kamenicës nuk kishte ditur se nëse vajza e tyre ishte e gjallë apo e vdekur. E për këta tre muaj, Ferdezja, bashkë me tre bashkudhëtarë ishte arrestuar nga ushtria shqiptare. Arratisja, kalimi i kufirit mes ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë, qëndrimi në burg për tre muaj, lejeqëndrimi në Shqipëri, komunikimi i saj me familjen përmes 1 mijë letrave, takimi me nënën pas katër viteve dhe shumëçka tjetër, janë shpalosë ekskluzivisht në intervistën e dhënë për KultPlus, ku Ferdeze Mujaj Sadiku e ka ndarë edhe nëpërmjet lotëve.
Ardianë Pajaziti
“Baba ka me të qu në shkollë në Elbasan”, ishte premtimi i babait të Ferdezes, në njërën nga mbrëmjet në shtëpinë e familjes Mujaj në Hogosht të Kamenicës, ku Ferdezja ishte në atë kohë vetëm gjashtë vjeçe, dhe ishte me temperaturë.
Ajo mbrëmje sikur hapi një dritare të re për Ferdezen, dhe qysh prej asaj kohe, ajo filloi të ëndërronte për Elbasanin, Shqipërinë dhe shqiptarët. Babai i Ferdezes, njëri nga mësuesit e parë të asaj rrethine nuk e kishte pas idenë se një bisedë çasti, mund të zgjonte dashurinë e vajzës së tij të madhe për Shqipërinë.
Emocioni i Ferdezes, përderisa rrëfente dalëngadalë për krejt përjetimet e saj që kapërcejnë edhe një film, vërehej në sy, në tingullin e fjalëve e në lëvizjet e duarve. Përderisa fliste për Hogoshtin, për moshën e saj të vogël kur edhe kishte dëgjuar për Elbasanin, për rrugëtimin e mëtejmë të Ferdezës që lëvizi në atë kohë edhe kufijtë, shoqëroheshin edhe me lot, që nuk ndaleshin vetëm në bebëzat e syve, por rridhnin pavetëdijshëm në faqet e saj.
65 vjeçja, që është një farmaciste shumë e suksesshme, tregon rrëfimin e saj në intervistën e dhënë për KultPlus, që mund të jetë një ndër përjetimet e rralla që mund të hasë një njeri, sidomos kur bëhet fjalë për moshën e saj të vogël që kishte atëherë.
“Babai im kishte një dashuri të madhe për Shqipërinë, sikurse të gjithë shqiptarët e Kosovës. Përgjatë një mbrëmje, kur unë isha me grip, babai im ma përmendi Elbasanin”, rrëfente Ferdezja përgjatë takimit, takim që po shpaloste një jetë të tërë të një zemër gruaje, e që zanafillën e kishte qysh në vegjëli.
Dhe si fëmija më i madh i familjes, ajo jo vetëm që po rriste shtatin, por brenda saj po rriste dashurinë për Shqipërinë, një mollë super e ndaluar për kosovarët. “Dëgjoja tinëzisht radio Tiranën, lexoja letërsi shqiptare, dhe unë çdo ditë ëndërroja atë vend që po më tundte pafundësisht”, tregonte Ferdezja, me një gjuhë të pastër shqipe, që për nga theksi, tashti tingëllon si një zonjë nga Shqipëria, dhe jo nga Kosova.
Ajo tregon se si duke dëgjuar Radio Tiranën, dashurohej në aksionet rinore që zhvilloheshin në atë kohë në Shqipëri, dhe përmend se i ishte ngulitur në kokë emri i një vajze, që në atë kohë kishte moshën e Ferdezes. Ajo kishte humbur jetën gjatë një aksioni, dhe shteti shqiptar atë kohë e kishte shpallur heroinë. Emri i Shkurte Palvatës ishte bërë si një dritë për Ferdezen, që ta adhuronte edhe më shumë këtë shtet, që vetëm e imagjinonte, por që nuk e kishte idenë më të vogël se si mund të ishte.
Prindërit e dërguan për shkollim në Prishtinë, me çantë të shkollës u arratis në vitet e 70-ta për Shqipëri
Ferdeze Mujaj kishte vijuar shkollimin në Hogosht e Kamenicë, për të vazhduar më pas shkollën e mesme në Prishtinë, në medicinë, ku edhe përfundoi vitin e parë.
Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe, dhe pikërisht në një kohë kur dukej se gjërat kishin marë rrjedhën e tyre, ajo kishte dëgjuar një informatë që e kishte goditur. Tre djem nga fshati i saj kishin vendosur të arratiseshin për Shqipëri, dhe kjo iniciativë e tyre kishte mjaftuar që të niste një rrugëtim të panjohur, por të ngulitur në shpirtin e saj qysh nga vegjëlia.
“Dëgjova se tre bashkëfshatarë të mi donin të arratiseshin për Shqipëri dhe pa menduar dy herë vendosa tu bashkëngjitem”, kujtonte ajo për këtë vendim, që më pas bëri të kalojë shumë peripeci, por asnjëherë t’ia thyente dashurinë për tokën e premtuar.
Me një çantë shkolle, me rrobat e trupit, një fund pak mbi gjunjë dhe me këpucë me taka të ulta, me pak para sa i kishte ndarë familja për qëndrimin e saj në Prishtinë, Ferdezja ishte nisur për Shqipëri, bashkë me Rexhep Malën, Isa Kastratin e Sami Dërmakun, dhe një rrugëtim të tillë kishte marë vetëm nga dashuria që kishte për Shqipërinë.
Pse kishte marë këtë vendim që të arratisej dhe që mos ti tregonte asgjë familjes, Ferdezja edhe sot është e bindur se nëse do ti tregonte, ata në asnjë mënyrë nuk do ta lejonin që ta merrte këtë hap. “Babai im më kishte premtuar që të më shkollonte në Shqipëri, por ai kishte menduar se deri sa të rritesha, do të ndryshonin edhe marrëdhëniet mes Jugosllavisë së atëhershme dhe Shqipërisë. Por gjërat ishin keq të bllokuara, dhe mënyra e vetme ishte arratisja, pa ia bërë me dije prindërve”, ka thënë Ferdezja.
“Në vitin 1970 kemi kaluar kufirin nga Gjakova, atje na informuan për një zonë ku nuk kontrollohej nga ushtarët e ish Jugosllavisë, dhe po në atë pikë kaluam pa na vërejtur, por rruga ishte shumë e vështirë për t’u kaluar, me shkëmbinj e me terren të papërshtatshëm, sa që disa herë jam rrëzuar përgjatë kalimit të kufirit. Duke pas parasysh se isha e veshur me fund e me këpucë me taka, gjendja ime u përkeqësua edhe me lëndime, shenja që i kam edhe sot në këmbë”, rrëfen Ferdezja për rrugëtimin e saj në një mbrëmje shtatori të vitit 1970, udhëtim që kishte zgjatë për shumë orë nëpër pyje ku nuk shihej qielli, dhe që ujë kishin pirë edhe nga prrockat.
Tre muaj burg në burgun e Laçit, familja e saj nuk kishte lënë vend pa e kërkuar
Dhe përderisa kaluan kufirin, brenda territorit të Shqipërisë u takuan me ushtarët shqiptarë, ku burgosën që të katër udhëtarët kosovarë, për ti vendosë fillimisht në Bajram Curr, aty i mbajtën tetë ditë si të burgosur, e më pas në burgun e Laçit, ku Ferdezja, bashkë me tre bashkëfshatarët e saj u mbajt për tre muaj.
“Ata dëshironin të dinin se pse kemi hyrë në Shqipëri dhe cili ishte qëllimi i arratisjes tonë, kemi pas pyetje çdo ditë nga hetuesit, por tretmani ka qenë i mirë, nuk na ka munguar as ushqimi dhe as kujdesi. Unë isha e ndarë nga djemtë, dhe nuk dija për ta, sikurse që as ata nuk dinin për mua, përgjatë këtyre tre muajve vetëm njëherë na kanë lënë që të takohemi, dhe pas atij takimi më nuk i kam parë. Pas tre muajve hetuesi, më erdhi lajmi se organet e shtetit kishin marë vendim që mua të më lejonin të qëndroja në Shqipëri, por djemtë i kthyen, nuk kemi arritë as të përshëndetemi. I pyeta se çfarë ka ndodhë me tre djemtë, më thanë se nuk mund të japim shpjegime, përpos asaj se mua më ishte dhënë leja e qëndrimit” shpjegon Ferdezja.
“Shteti ka vendosur që të qëndrosh në Shqipëri” ky ishte vendimi që ia kishin kumtuar dy shtetas të Shqipërisë, vendim që solli qëndrimin e Ferdezes në shtetin të cilin e kishte ëndërruar aq shumë.
“Kërkova që të më dërgonin në Elbasan, se u thash që aty do të shkollohem, po kur kuptuan se unë kam përfunduar një vit të shkollës së mesme të medicinës, dhe në kohën e arratisjes isha në fillim të vitit të dytë, ata më rekomanduan që të më dërgojnë në Vlorë, ku edhe zgjodha farmacinë, sepse profesionin e farmacistes e adhuronte nëna ime. Nuk arrita ta plotësoja dëshirën e babait, të paktën po vija në vend dëshirën e nënës”, shpaloste kujtimet Ferdezja, e cila tregon se si në atë kohë, ishte njoftuar edhe shkolla se kishte ardhur një vajzë nga Kosova, dhe kërshëria e njerëzve që ta takonin ishte shumë e madhe.
Dhe regjistrimi në shkollën e mesme të farmacisë, vendosja në konvikt sillte edhe një hap tjetër. Kishte ardhë momenti që të njoftonte familjen e saj që ishte gjallë. Kishin kaluar tre muaj që ajo nuk kishte asnjë komunikim me familjen, dhe përmes një telegrami, ajo po dërgonte përshëndetje nga Shqipëria.
“Unë jam në Vlorë, jam mirë, mos keni merak për mua”, kaq ishte përshkrimi i telegramit të parë të Ferdezes dërguar për në Hogosht
“Unë jam në Vlorë, jam mirë, mos keni merak për mua”, kaq ishte përshkrimi i telegramit të parë të Ferdezes dërguar për në Hogosht, e cila më vonë kishte mësuar se familja e saj për këta tre muaj e kishte kërkuar në të gjitha anët, dhe kishin pas shumë frikë se nëse i kishte ndodhë më e keqja.
“Edhe familja ime më pas më ktheu telegramin e tyre dhe kuptova se ishin lehtësuar për faktin se kishin kuptuar se jam shëndoshë e mirë, duke më këshilluar që të kem kujdes”, tregonte Ferdezja, e cila shpaloste etapat e jetës së saj, që kishin shumë përjetime, e në anën tjetër, për kohën kur fliste, ajo kishte një moshë jashtëzakonisht të vogël.
Por, nëse kishte shijuar atë Shqipërinë e Radio Tiranës dhe të romaneve që kishte lexuar para se të shkelte këtë tokë, Ferdezja këmbëngulë, se në kohën kur kishte shkuar në Vlorë, në vitet e 70-ta, Shqipëria nuk ishte ajo Shqipëria e viteve të 80-ta, e as e viteve të 90-ta, Shqipëri që e panë shumë kosovarë, por ishte një Shqipëri shumë stabile dhe e sigurt.
“Jetoja në konvikt, më pritën në mënyrën më të jashtëzakonshme, si mësuesit, si nxënëset, isha e vetmja kosovare që kam qenë edhe në shkollë të mesme, por më pas edhe në Universitet. Pastaj, shteti i Shqipërisë më shpërbleu për faktin se si një vajzë e re theu kufirin jugosllavo- shqiptar, dhe më dhuroi 20 mijë lekë të asaj kohe, të cilat kishin vlerën e tri rrogave të një doktori. Edhe në fakultet, përpos bursës, më ndanë 10 mijë lekë, kështu që nuk e kisha problem ekzistencën, më shkolloi shteti shqiptar dhe isha në një rreth shumë të sigurt”, vazhdonte këtë rrëfim Ferdezja, që me vite është jashtëzakonisht i largët, por emocionet e kësaj gruaje, tregonin që këto përjetime janë ende shumë të gjalla brenda saj.
Dhe përderisa vazhdonte jeta e Ferdezes në Shqipëri, ajo më vonë kishte mësuar se në fshatin e saj të lindjes, admirimi për të, rritej dita ditës. Tri vajza të fshatit ishin pagëzuar me emrin Ferdeze, me të cilat komunikon edhe sot nëpërmjet facebook.
Shkollohej, shërbente në akisone të ndryshme dhe dita ditës shndërrohej në një qytetare të Shqipërisë, e cila, duke mos komunikuar me asnjë kosovar, theksi i saj kosovar, dalëngadalë po i linte vend atij të Shqipërisë.
Ajo më pas kishte marrë të drejtën e studimeve, po në drejtimin e farmacisë, ku edhe ishte vendosur në konviktin me numër 18, konvikt ku qëndronin studentë të huaj, pasi në ato vite kur studionte Ferdezja, ajo tregon se kishte shumë shtetas të huaj.
Pas katër viteve takova për herë të parë nënën time, ishte plakur shumë
Dhe në vitin 1974, vjen një emocion i madh, ku Ferdezja katër vite pas arratisjes e përjeton. Nëna e saj, bashkë me vëllain që kishte lindur pas arratisjes së saj për në Shqipëri, kishin marë të drejtën e vizitës në Tiranë.
Ajo, përderisa kujton takimin e saj më nënën dhe vëllain, që pikërisht Ferdezja e kishte pagëzuar me emrin Alban, nuk mbanë lotët dhe kthen kohën dhe emocionin e vitit 1974.
“Takimi i parë me nënën më ka sjell shumë dhimbje, shumë emocion, nuk e harroj as sot. Edhe pse ishte shumë e re, atë kohë vetëm 41 vjeçe, mua më dukej se nëna ime ishte plakur shumë, ishte mbushur me rrudha, thjeshtë iu kishin thelluar rrudhat. Qëndruan një muaj në Tiranë, por asnjëherë nuk i treguam ndjenjat e vërteta, prej frikës që mos po e lëndojmë njëra tjetrën”, vazhdon Ferdezja, e cila shton se vragë të thellë i ka lënë edhe pritja dhe përcjellja e saj në kufi, që pasojat e asaj kohe e rrëqethin edhe sot, sa herë që kalon kufirin me Shqipërinë.
“Kur dola ta prisja nënën dhe vëllain në kufi, kishin ardhur edhe anëtarët e tjerë të familjes, babai, motrat dhe vëllezërit, vetëm që të më shihnin nga distanca. Rregullat e asaj kohe ishin që ti mund vetëm të shikoje, po në asnjë mënyrë që të lëshoje ndonjë zë, apo të bëje me dorë. Thjeshtë shikonim njëri tjetrin ashtu të shtangur, në një distancë diku prej 150 metrave. Thjeshtë isha e mpirë, shihja figura nga larg, e në të njëjtën kohë ishte familja ime”, tregon Ferdezja.
Vizita tjetër e radhës ishte ajo e babait, i cili kishte vizituar vajzën e tij në vitin 1978, dhe kishte qëndruar për 15 ditë. Gjithë atë dashuri që kishte pas për Shqipërinë, përgjatë atyre 15 ditëve, ai as që e kishte ndjerë. Ferdezja tregon se nga frika se çfarë do të ndodhte me të bijën, nëse do të mund të kthehej në Kosovë, e kishin mpirë babain e saj, i cili, më pas i kishte treguar asaj, se asgjë nuk i ishte regjistruar në memorie se si ishte dukur Tirana.
Kërkesën për riatdhesim e bëra në vitin 1978, shpesh mendoja se nëse veç edhe njëherë do të kthehesha, do të puthja tokën e Kosovës
Dhe ndryshimi i kushtetutës në vitin 1974, që ndryshonte situatën edhe në Kosovë, kishte bërë të mundur që Ferdezja të ëndërronte kthimin e saj në vendlindje, Kërkesën për riatdhesim e kishte bërë në vitin 1978, dhe leja për kthimin e saj në Kosovë i ishte aprovuar në vitin 1979.
Nëntë vite distancë kishin bërë që nga një vajzë 16 vjeçe, një vajze të arratisur nga Kosova për në Shqipëri, ta kthente për vendlindjen e saj si 25 vjeçe, por tashti jo si një çapkëne, por një farmaciste e diplomuar.
“U ktheva më 10 qershor të vitit 1979, sa isha në Shqipëri, kisha menduar se kurrë nuk do të mundja ta shihja edhe njëherë Kosovën, dhe shpesh mendoja se nëse veç edhe njëherë do të kthehesha, do të puthja tokën e Kosovës, dhe me të vërtetë ndodhi kthimi. Mbaj mend që kanë dalë mijëra njerëz të më prisnin në fshatin tim dhe fshatrat përreth, të cilët më preknin duart, më përqafonin dhe më puthnin, më shihnin si një heroinë që kisha thyer kufirin e Jugosllavisë me atë të Shqipërisë.
Por jo gjithçka shkoi lehtë, për tre javë rresht asaj i është dashur të lajmërohej për çdo ditë në Sekretariatin e Brendshëm të asaj kohe në Gjilan, dhe pyetjet dhe dhuna psikike që ia kishin bërë, e kishin dërguar edhe deri në vjellje. Ajo kujton që nuk kishte përjetuar dhunë fizike, por psikike po, dhe ata që merrnin në pyetje ishin shqiptarë, por për emrat e tyre nuk dëshiron të flasë.
Ferdezja, për 11 vite punon si farmaciste në Obiliq, vend në të cilin në atë kohë nuk kishte shkuar asnjë farmacist, dhe pikërisht në këtë vend lind edhe dashuria me bashkëshortin e saj, të cilët gëzojnë jetën e tyre me fëmijët dhe nipat e mbesat.
“Bashkëshortin tim e kam pas në klasë, në shkollë të mesme në Prishtinë. Isha e vetmja vajzë, dhe 40 djem. Kur u ktheva, pothuajse të gjithë shokët e shoqet e klasës erdhën e më vizituan, duke përfshirë edhe bashkëshortin tim. Po vizitat e tij u shpeshtuan aq shumë, sa që na dërgoi deri në martesë, ku sot jam nënë e gjyshe shumë e lumtur”, tregon Ferdezja, e cila shpjegon se sa herë që i bie malli për Shqipërinë, bashkëshorti i saj është i gatshëm që ta shoqërojë.
E martuar në një familje të madhe, me tetë vëllezër, ajo thotë se ishte e admiruar nga familja e burrit të saj, dhe se kurrë nuk e kanë trajtuar si grua, por gjithmonë ka bërë ndeja në odën e familjes Sadiku, të cilët dëgjonin rrëfimet për Shqipërinë, nga përvoja e Ferdezes. Me të njëjtën dashuri ka rritur edhe dy fëmijët e saj: Brikenën e Ermalin, ku vajza ka emrin e vajzës së Eqrem Çabejit, që Ferdezja e kishte shoqe gjatë shkollimit të saj në Shqipëri.
Edhe sot e blej bukën e zezë
Përpos gjuhës që edhe tash tingëllon si të jetë nga Shqipëria, Ferdezja ka edhe një ves tjetër, është adhuruese e bukës së zezë, që edhe sot e blen. Poashtu, ajo në vizitat e shpeshta në Shqipëri, vazhdon të vizitojë burgun e Laçit ku qëndroi për tre muaj, postën, ku kishte pas kutinë e saj, nëpërmjet të cilës kishte shkëmbyer një mijë letra, e që nuk e ka asnjë prej tyre, pasi që familja e saj kishte hequr të zitë e ullirit nga pushteti i atëhershëm në Kosovë.
Ajo ka edhe disa shoqe që edhe sot mbanë kontakte. Dhe befasitë për Ferdezen nuk mbarojnë, Shkurte Palvata, vajza heroinë që e kishte magjepsë qysh nga Radio Tirana, ngacmoi këtë vit që po e lëmë pas përsëri Ferdezen. Gjatë pushimit të fundit në Shën Gjin, duke treguar me një çift shqiptar historinë e saj, përderisa kishte treguar edhe për Shkurte Palvatën, rastisi që gruaja me të cilën po ndante rrëfimin, kishte qëlluar të jetë po motra e Shkurtes.
Ferdezja, e cila qysh prej viteve të 90-ta ka farmacinë e saj në Prishtinë, krejt këtë rrugëtim e adreson edhe te mosha e saj e re, sepse, sipas saj, në moshën që ka tashti, një hap i tillë do të ishte shumë i vështirë për tu menduar, por për krejt këtë përvojë jetësore ajo thotë se asnjëherë nuk është penduar, dhe se dashuria për Shqipërinë edhe sot është shumë e madhe./KultPlus.com