EUROPA NUK E PËRKRAH “MINI-SHENGENIN”
Nga Bardhyl Mahmuti– Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev përgënjeshtrojnë Edi Ramën: “Europa nuk e përkrah “Mini-Shengenin”, ndërsa Kosova nuk është ftuar si shtet i pavarur”
Për të fshehur të vërtetën, se zanafilla dhe takimet e të ashtuquajturit “Mini-Shengen Ballkanik” nuk janë asgjë tjetër, pos THIKË PAS SHPINE Kosovës, në konferencën me gazetarë që pasoi takimin me Aleksandar Vuçiq, Zoran Zaev dhe Milo Gjukanoviq në Tiranë, z. Edi Rama u kujtoi gazetarëve, se në të kaluarën “udhëheqësit e Kosovës kanë ngrënë dhe kanë pirë nëpër tryeza, darka e dreka pune, me palën serbe”. Më tej vazhdoi deklaratën: “Në kohën që SHBA-ja dhe i gjithë Bashkimi Europian sot janë këtu në tryezë, së bashku me të gjithë të pranishmit, Kosova mungon. Nuk mungon sepse nuk është ftuar, nuk mungon sepse unë apo ne këtu kemi ndryshuar ndonjë qasje apo opinion në raport me të drejtën e saj të pamohueshme për të qenë e njohur edhe nga Serbia dhe nga të gjithë, por mungon, sepse ka hyrë në një rrugë qorre, në një rrugë pa rrugë, dhe prej disa kohësh po i bie vetes, po humb respekt, po humb mbështetje dhe po humb reputacion”. Për të plotësuar mozaikun e tablosë së konstruktuar nga ai, z. Edi Rama u kujton gazetarëve, se në të kaluarën “udhëheqësit e Kosovës kanë ngrënë dhe kanë pirë nëpër tryeza, darka e dreka pune, me palën serbe”.
Dy ditë pas gënjeshtrave, që kanë për qëllim të fshehin të vërtetën dhe të fajësojnë Kosovën pse refuzon të luajë ritmin e valles së njohur serbe “Zhikino Kollo”, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nxori në shesh një pjesë të së vërtetës.
Në intervistën ekskluzive për emisionin “Stav” të TV O2, të datës 23 dhjetor 2019, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera, deklaroi: “Nuk kemi përkrahjen e shteteve më të fuqishme europiane për “Mini-Shengenin”, sepse europianët nuk dëshirojnë t’i shohin ballkanasit që të përcaktojnë vetë fatin e tyre; ata gjithmonë dëshirojnë të jenë tutorë (…)”. Edhe pse në Serbi akuzohet se ka krijuar “Shqipërinë e Madhe”, ai konsideron se “mirënjohja më e madhe për “Mini-Shengenin” është ajo, që në Prishtinë e akuzojnë se ka krijuar Serbinë e Madhe”. Në fund, Aleksandar Vuçiq shprehet i lumtur, që “është duke ndërtuar një hapësirë ekonomike, në të cilën ndërmarrjet serbe do të punojnë pa u penguar”.
Deklaratat diametralisht të kundërta nxjerrin në shesh, se dikush është duke gënjyer sa i përket përkrahjes europiane për “Mini-Shengenin Ballkanik”. Të shohim nëse z. Edi Rama do ta akuzojë presidentin serb për “gënjeshtar dhe të paditur klasik”, apo do të pranojë që gënjeshtra për gjoja përkrahje europiane të “Mini-Shengenit” është sajesë e të “gjithëdijshmit” Edi Rama. Sidoqoftë, përpjekjet e z. Edi Rama për të ironizuar me “darka e dreka” praninë e udhëheqësve të institucioneve të shtetit të Kosovës në takimet ku kanë qenë edhe përfaqësues të shtetit serb, pa përmendur faktin se ato takime janë mbajtur me ndërmjetësimin ndërkombëtar, nuk janë asgjë tjetër, pos përpjekje “moderne” për të ambalazhuar “gënjeshtrën klasike”. Nëse z. Edi Rama dëshiron të luajë rolin e naivit, atëherë duhet të ketë të qartë një gjë, njëherë e përgjithmonë: në Kosovë e njohin fare mirë gjenezën e idesë “Ballkani-ballkanasve” dhe akuzat e stilit, se gjoja “shtetet e Perëndimit dëshirojnë të luajnë rolin e tutorit në Ballkan”. Udhëheqësit e Kosovës kanë pranuar të ulen ballë për ballë me përfaqësuesit e Serbisë vetëm me ndërmjetësimin e shteteve të demokracive perëndimore, që ndërhynë për të ndërprerë barbarinë serbe në Kosovë. Përndryshe, pa ndërmjetësimin e tyre, është tërësisht e papranueshme ulja në tavolinë me ata që nuk dëshirojnë ta shohin se Kosovën dhe Serbinë i ndan një hendek i madh, i mbushur me eshtra fëmijësh, grash, pleqsh, plakash dhe shqiptarësh të moshave të ndryshme, që u vranë gjatë gjenocidit që shteti serb kreu në Kosovë; Kosovën dhe Serbinë i ndan një hendek i mbushur me tmerret e mbi 20 mijë femrave shqiptare, që përjetuan dhunën seksuale; Kosovën dhe Serbinë i ndan një hendek i madh vuajtjesh të rreth 1 milion shqiptarëve, që u poshtëruan dhe u dëbuan gjatë zbatimit të spastrimit etnik, si formë specifike e gjenocidit.
Urat e mirëfillta për ardhmërinë e kësaj pjese të Europës mund të ndërtohen vetëm nga gurët e shtëpive të rrënuara, që bartin me vete ngjyrat e tmerrit që përjetoi populli shqiptar i Kosovës. Vetëm ura të kësaj natyre, që nuk harrojnë viktimat e gjenocidit, mund të ngjallin shpresa se historia në dimensionin e saj tragjik nuk do të përsëritet kurrë.
NË “MINI-SHENGENIN BALLKANIK” KOSOVA NUK ËSHTË FTUAR SI SHTET I PAVARUR
Reagimet e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kundër nismës rajonale pa praninë e Kosovës, e detyruan Zoran Zaevin të nxjerrë në shesh se në çfarë cilësie ftohet Kosova në këto takime. Në deklaratën e tij të 24 dhjetorit, kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, deklaroi: “Kosova mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë”.
Edi Rama dhe Zoran Zaevi duhet ta dinë, se Kosova nuk është “pjesë e një problemi të pazgjidhur”, por është shtet i pavarur dhe i njohur nga shumica dërmuese e shteteve të Bashkimit Europian dhe të Kombeve të Bashkuara, në mesin e të cilave është edhe Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë Veriore (në atë kohë me emër tjetër).
Nuk mund të ketë fyerje më të madhe për shtetin e pavarur të Kosovës, sesa kur ftohet në cilësinë e një vendi që është gjoja “pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë”. Edhe më e rëndë është akuza e z. Edi Rama, se gjoja “Kosova mungon në takime të tilla, sepse ka hyrë në një rrugë qorre, në një rrugë pa rrugë”. E vërteta është krejt ndryshe nga gënjeshtrat që përhap z. Edi Rama: qëndrimi i Kosovës që të mos futet në “rrugë qorre dhe në rrugë pa rrugë”, të cilën e kanë trasuar Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Soros dhe sorrat e llojit të tyre, është vendimi më i mirë për t’u mbrojtur nga thikat pas shpine. Kosovës nuk i duhet “respekti” apo “mbështetja” e atyre që e ftojnë në marrëveshje, ku heqja e kufijve, praktikisht, do të legjitimonte preambulën e Kushtetutës së Serbisë, në të cilën Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë.
Kosova nuk do të sakrifikojë ambiciet për t’u integruar në Bashkimin Europian, për “mini”-projektet, ku Kosova shihet si pjesë e problemeve që vazhdon t’i sajojë Serbia.