Nobelisti Peter Handke është shpallur person i padëshirueshëm në Republikën e Kosovës. Vendimi është marrë sot dhe është bërë publik nga ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli.

“Sot kam vendosur ta shpall Peter Handke si persona non-grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që ai i dha Millosheviçit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë dhe mohimin e gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Komiteti i Nobelit treguan mos-respekt ndaj viktimave të genocidit”, shprehet Pacolli.

Shkrimtari dhe laureati i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, njihet për mbështetjen që i ka dhënë Sllobodan Millosheviçit dhe luftërave të përgjakshme që ai kreu në ish-Jugosllavi.

Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Turqia dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm, duke kritikuar edhe vendimin e Akademisë suedeze, ndërkohë që mbështetje u dha nga liderët serbë.

Shpërndaje artikullin në: