image
Qeveria aktuale me në krye Nikolla Gruevskin, po arrin atë që dëshiron, të derdhë fonde enorme në pjesën e re të qytetit, të ndajë 200 milionë euro për projektin qeveritar “Shkupi 2014”, derisa nuk e shikon të udhës të bëjë një investim më të vogël në pjesën e vjetër të qytetit, aty ku jetojnë shqiptarët. Pra dallimi midis pjesës së re dhe të vjetër të Shkupit është madhor

Blerina SALIU

Ana e djathtë dhe e majtë e Vardarit paraqet fytyrën e vërtetë të Shkupit për çdo qytetar. Pjesa e re dhe e vjetër e qytetit dëshmon ndarjen e qytetit në pabarazinë e investimeve, ku pjesa e vjetër përplot me kulturë është lënë anësh. Përshtypja është kjo: pjesa e vjetër i ngjan një getoje të vërtetë, ndërsa banorët shqiptarë të kësaj ane janë vetëm spektatorë të investimeve përtej Urës së Gurit.
Qeveria aktuale me në krye Nikolla Gruevskin, po arrin atë që dëshiron, të derdhë fonde enorme në pjesën e re të qytetit, të ndajë 200 milionë euro për projektin qeveritar “Shkupi 2014”, derisa nuk e shikon të udhës të bëjë një investim më të vogël në pjesën e vjetër të qytetit, ku dhe ndodhet Çarshia e Vjetër. Një investim në këtë anë të banuar me shqiptarë, paralajmërohet me ndërtimin e Sheshit “Skënderbeu”, projekt i Komunës së Çairit dhe kaq. Autoritetet e Shkupit i ndërruan, madje pamjen edhe Urës së Gurit, duke e zhveshur atë nga kultura turke, kur reagimet ishin nga më të ndryshmet. Sa e sa investime tjera janë bërë në pjesën e re të qytetit, ku qytetari shqiptar është dëshmitar, derisa politika shqiptare vazhdon të mbetet e humbur labirinteve. Kulturologu Salajdin Saliu, këtë ndarje dhe investim të pabarabartë në qytetin e Shkupit e sheh si një tentim për krijim të një subkulture në aspekt negativ. Sipas tij, arsyeja e vetme për mosinvestimin në pjesën e vjetër të banuar me shqiptarë “bëhet vetëm për shkak se në këtë pjesë banojnë shqiptarë dhe përshtypja është se kjo pjesë i ngjan një getoje ku tentohet të krijohet një subkulturë në kuptimin negativ”.
“Nga njëra anë tentohet të krijohet një histori me imitime të tempujve antikë, ndërsa në anën tjetër të lumit nuk investohet asgjë, vetëm për shkak se kjo anë është e banuar me shqiptarë. Kjo logjikë e ndarjes është e kamotshme në Shkup, ndërkaq propaganda të këtilla gjithmonë potencojnë që shumica e shqiptarëve ishin ardhacakë, ndërsa ata që sot paraqesin pjesën urbane të Shkupit dikur ruanin dhitë në rrokaqiej, dhe fatkeqësisht, kjo logjikë nuk është shkulur sot e kësaj dite”, ka thënë Saliu. Ndërkohë, ekonomisti Petrit Pollozhani ka thënë se ky mosinvestim në pjesën shqiptare është një vazhdimësi e diskriminimit që nga periudha e komunizmit dhe tranzicionit i cili vazhdon të diskriminojë shqiptarët, kulturën, traditën e tyre edhe në aspektin ekonomik.
“Investimet shumë pak bëhen në pjesët e banuara me shqiptarë, ndërsa të gjitha ato orientohen në anën tjetër. Struktura ekonomike gjatë gjithë kohës ka qenë në dëm të ekonomisë, por gjithsesi ka qenë e orientuar në investimet e vendeve joshqiptare. Në aspektin ekonomik nuk është i arsyeshëm projekti ‘Shkupi 2014’, sepse një vend i cili ka probleme serioze me papunësinë, zhvillimin ekonomik dhe probleme tjera, nuk ka arsye të ndodhë me këtë projekt, mirëpo megjithatë politika aktuale e shikon të arsyeshme, sepse e ka të vetmin metodë që mban peng votat e qytetarëve. Në kushte bashkëkohore të globalizimit, do të duhej që të dështojë sa më shpejt kjo politikë”, ka theksuar profesori unversitar Pollozhani.

Politika shqiptare në labirint

Autoritetet e Shkupit i ndërruan, madje pamjen edhe Urës së Gurit, duke e zhveshur atë nga kultura turke, kur reagimet ishin nga më të ndryshmet. Sa e sa investime tjera janë bërë në pjesën e re të qytetit, ku qytetari shqiptar është dëshmitar, derisa politika shqiptare vazhdon të mbetet e humbur labirinteve.

Arsyeja, vetëm pse banojnë shqiptarë

Ky investim i pabarabartë në qytetin e Shkupit është një tentim për krijim të një subkulture në aspekt negativ. Arsyeja për mosinvestim në pjesën e vjetër të banuar me shqiptarë, bëhet vetëm për shkak se në këtë pjesë banojnë shqiptarë dhe kjo pjesë i ngjan një getoje ku tentohet të krijohet një subkulturë në kuptimin negativ