Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Deklarata për sulmin izraelit u miratua pas bisedimeve intensive
Presioni diplomatik ndaj izraelit vazhdon të rritet, pasi Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për “një hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm” lidhur me operacionin e komandove izraelite mbi flotën e anijeve që po çonin ndihma në Gazë.

Incidenti, që çoi në vdekjen e të paktën 10 aktivistëve pro palestinezë, diskutohet në një seri takimesh të jashtëzakonshme të organizatave si NATO dhe Liga Arabe.

Në Bruksel, NATO dhe ambasadorët e BE-së u mblodhën për të shprehur shqetësim.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se ishte shumë i shqetësuar lidhur me vrasjen e aktivistëve pro palestinezë.

Burime diplomatike në Ankara kanë thënë se të paktën katër nga të vrarët ishin turq.

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se sulmi ishte një masakër e përgjakshme që duhej ndëshkuar.

Ai tha se Israel nuk duhet të vinte në provë durimin e Turqisë.

Në Gjenevë Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut thirri një mbledhje të jashtëzakonshme.

Presidenti rus, Medvedev e cilësoi humbjen e jetës, “absolutisht të pajustifikueshme’.

Izraeli po duket gjithnjë e më tepër i izoluar.

Ambasadori izraelit në Londër, Ron Prosser, e pranoi që operacioni kishte qënë një dështim, por anashkaloi thirrjet për një hetim të pavarur.

Ai këmbënguli se Izraeli ishte i aftë për ta hetuar këtë vetë.

Rreth 600 aktivistë pro palestinezë mbahen në qendrat e paraburgimit në mbarë Izraelin, pasi anijet u ankoruan në portin izraelit Ashdod.

Disa prej aktivistëve mohojnë akuzat izraelite se kanë qënë të armatosur.

Disa prej atyre që ishin në bord, përfshirë edhe një ish diplomat amerikan, janë deportuar.

Lëvizja Free Gaza, që organizoi flotën e vogël, thotë se ka në plan të dërgojë anije të tjera në Gazë për të sfiduar bllokadën izraelite.