Ekspertiza zvicerane zhvesh fshehjen e krimit për rastin “Astrit Dehari”
Bardhyl Mahmuti-Si rezultat i hulumtimeve të tyre, ekspertët zviceranë erdhën në përfundimin, se Astrit Dehari jo vetëm që nuk ka bërë vetëvrasje, por objektivisht as që e ka pasur të mundur të bënte vetëvrasje me sendet dhe me mënyrën që kanë përshkruar institucionet e Kosovës, të përfshira në rastin “Astrit Dehari”. Rrjedhimisht, vdekja e dhunshme e Astrit Deharit është vrasje. Mënyrat dhe mjetet që janë përdorur gjatë kësaj vrasjeje nuk kanë mundur të jenë rezultat i një personi të vetëm. Prandaj një hetim i drejtë i këtij krimi duhet të nxjerrë në shesh të vërtetën rreth asaj sesa persona u përfshinë në vrasjen e Astrit Deharit.
Siç u përmend në shkrimin paraprak, ekipi mjeko-ligjor i Kosovës përpiloi diagnozën e vdekjes së Astrit Deharit, “si pasojë e asfiksisë mekanike nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet me konsistencë solide (i fortë) dhe se shkaktimi i vdekjes mund të shpjegohet me ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës” (në tekstin e autopsisë: ndaljen “reflektore të punës së zemrës”). Ndërsa nga të gjitha lëndimet që shiheshin në trupin e Astrit Deharit, ata zgjodhën të përmendin vetëm lëndimet në anën e djathtë të qafës dhe në pjesën e poshtme të brendshme të parakrahut të dorës së majtë dhe i përkufizuan si “dëmtime (gërvishtje) sipërfaqësore të lëkurës të vetëshkaktuara”. Konstatimet e lartpërmendura i dhanë mundësinë kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, që, më datë 18 nëntor 2016, të shpallë vdekjen e Astrit Deharit si “vetëvrasje”.
Duke analizuar tërësinë e materialeve që u ishin dërguar nga Kosova dhe duke u mbështetur në literaturën shkencore, ekipi mjeko-ligjor zviceran rrëzon njëra pas tjetrës të dyja diagnozat.
Ekspertët zviceranë tërheqin vërejtjen se “raporti i autopsisë përmend ndërprerjen e menjëhershme të zemrës, të shkaktuar nga shishja e vendosur në gojë, si mekanizëm kryesor të vdekjes. Në literaturën shkencore ky mekanizëm i vdekjes njihet me emrin “bolus death” dhe përkufizohet si vdekje e shkaktuar nga bllokimi i laringut ose i pjesëve më të poshtme të faringut, i shoqëruar me një ndalim të menjëhershëm të punës së zemrës”.
Diagnozë e tillë hidhet poshtë nga ekspertët zviceranë, sepse “në këtë rast nuk do të kishim të bënim me vdekje prej asfiksisë”.
Përjashtimin e vdekjes së Astrit Deharit me një ndalim të menjëhershëm të punës së zemrës (“bolus death”), siç është thënë në raportin e autopsisë, ekspertët zviceranë e mbështesin në praninë e shenjave të mëposhtme të asfiksisë në trupin e Astrit Deharit, që konsiderohen shenja “klasike” të asfiksisë”: “Petekiet (njolla të kuqe në vjollcë) në cipat e holla të sipërme dhe të poshtme të kokërdhokut të syrit të majtë; në cipën e hollë të poshtme të qepallës së djathtë dhe në cipën e hollë të sipërme të qepallës së majtë, në cipat e holla të sipërme të të dyja qepallave dhe në cipën e hollë të sipërme të kokërdhokut të djathtë, zgjerimi i enëve të gjakut dhe edema në mushkëri (që u shpreh gjatë autopsisë me derdhje gjaku nga zgavrat e hundës dhe nga goja)”.
Fakti i dytë ku mbështeten ekspertët zviceranë për të rrëzuar diagnozën e ndalimit të menjëhershëm të punës së zemrës së Astrit Deharit, ka të bëjë me mbylljen e rrugëve të frymëmarrjes. Sipas raportit të autopsisë, “shishja ka mbyllur zgavrën e gojës në thellësi”, ndërkaq ekspertët zviceranë pohojnë se baza e shishes plastike (me diametër 6 cm) ka qenë mbi epiglotë (epiglota është një strukturë kërcore anatomike në rrënjën e gjuhës, që mundëson ndarjen e faringut dhe të laringut gjatë gëlltitjes) dhe, rrjedhimisht, nuk ka mundur të bëjë bllokimin e laringut ose të pjesëve të poshtme të faringut. Konstatimi i pranisë së madhe të materieve ushqimore në bronke dhe mushkëri, është argument ku mbështeten ekspertët zviceranë, sepse “që të ndodhë një bronkoaspiracion i tillë, është e nevojshme që hapësira ndërmjet mureve të laringut të jetë e lirë”.
Fakti i tretë ku mbështeten ekspertët zviceranë për të rrëzuar diagnozën e ndalimit të menjëhershëm të punës së zemrës së Astrit Deharit, ka të bëjë me konstatimet se kur i është tërhequr shishja nga goja, Astrit Dehari ka pasur puls dhe ka marrë frymë. Kjo vërtetohet në bazë të dëshmive të gardianit të burgut, Daut Kastrati, i cili pohoi se, “kur i ka tërhequr shishen nga goja, Astrit Dehari ende kishte puls, lëvizte dhe se ajri dilte nga goja e tij” (Procesverbalet e datës 5 nëntorit 2016). Të njëjtën gjë pohoi edhe Bukurie Kodraliu, infermierja e Qendrës së Paraburgimit në Prizrenit (anëtarja e parë e personelit mjekësor që e ka ekzaminuar Astrit Deharin), e cila e “ka verifikuar pulsin e Astrit Deharit në qafë dhe ka konstatuar se ai kishte puls dhe se merrte frymë” (Procesverbali i datës 9 nëntor 2016).
Nga sa u tha më lart, del qartë se ekspertiza zvicerane hedh poshtë diagnozën e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës për “ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës si shkaktar i vdekjes së Astrit Deharit”.
Pas çmontimit të pretendimeve për “ndalimin e menjëhershme të zemrës”, ekipi mjeko-ligjor zviceran përqendrohet në cilësimin “e asfiksisë së Astrit Deharit me shishe plastike si vetëvrasje”.
Kur bëhet fjalë për zënien e frymës, ekspertët zviceranë fillimisht sqarojnë se nga pikëpamja teorike, “asfiksia përkufizohet si ndërprerje e furnizimit, e mbartjes së oksigjenit drejt organeve të trupit dhe e shfrytëzimit të tij. Truri është organi më i ndjeshëm në situatat kur kemi mungesë të oksigjenit. Ai është organi i parë që preket nga mungesa e oksigjenit”. (Në raport jepen referencat bibliografike për të gjitha përkufizimet, të cilat nuk do t’i citoj, që të mos e ngarkoj shkrimin. Lexuesit e interesuar për burimin e këtyre përkufizimeve mund t’i gjejnë në raportin e publikuar në internet).
Në grupin e parë, nga katër grupet e asfiksive që përmend ekipi mjeko-ligjor zviceran, hyn “zënia e frymës e llojit “smothering”, që ka të bëjë me bllokim të rrugëve të frymëmarrjes mbi epiglotë”.
Siç e pamë në shkrimin paraprak, sajuesit e interpretimit të rastit “Astrit Dehari” u përpoqën ta prezantojnë sikur gjoja Astrit Dehari fillimisht kishte tentuar t’i shkaktonte vetes lëndime me brisk rroje dhe pastaj kishte zbatuar metodën e zënies së frymës të llojit “smothering”. Interpretime të tilla hidhen poshtë nga ekspertët zviceranë për dy arsye thelbësore:
Së pari, “në literaturën shkencore asnjëherë nuk është përshkruar vetëvrasja komplekse, që përfshin një zënie fryme të llojit “smothering”, të cilit t’i ketë paraprirë përdorimi i një sendi të mprehtë” dhe, së dyti, “vetëvrasjet komplekse karakterizojnë individë me sëmundje psikiatrike, siç janë çrregullimet e personalitetit, depresioni ose skizofrenia. Ndërkaq, z. Astrit Dehari nuk paraqiste asnjë problem psikiatrik dhe as shenja të depresionit”. Përkundrazi, në bazë të “raportit për gjendjen psikologjike të të paraburgosurit Astrit Dehari”, të datës 6 shtator 2016, dhe procesverbaleve të hetuesisë, të gjithë të intervistuarit dëshmojnë se Astrit Dehari ishte person, të cilin e karakterizonte “një gjendje psikologjike e mirë dhe e qëndrueshme”, “ishte njeri me vullnet të mirë”, “person që nuk ka pasur dhe nuk kishte probleme psikiatrike”, “person që nuk ka pasur mendime ose përpjekje për vetëvrasje”…
Sa i përket mekanizmit të asfiksisë, në rastin e z. Astrit Dehari kemi të bëjmë saktësisht me një mekanizëm të zënies së frymës të llojit “smothering” me një send me përbërje të fortë (një shishe plastike, baza e së cilës ishte me diametër 6 cm).
Analiza që bëjnë ekspertët zviceranë dëshmon në mënyrë të pakontestueshme, se edhe në hipotezën më ekstreme, në rastin nëse Astrit Dehari do të kishte dashur të bënte vetëvrasje, ai nuk do të kishte mundur t’ia zinte frymën vetes, në mënyrën si e kanë shpjeguar ekspertët e Kosovës.
Një vetëvrasje e tillë praktikisht nuk është e mundur, sepse kur ndërpritet furnizimi i organizmit me oksigjen, kemi “zvogëlimin ose ndërprerjen e tërësishme të ardhjes së gjakut të pasur me oksigjen në tru dhe kjo shkakton humbje të vetëdijes dhe të tonusit muskulor (tensionit të lehtë muskulor, që mundëson funksionimin e tyre edhe në gjendje qetësie). Humbja e tonusit muskulor e bën të pamundur që t’i zihet fryma vetes duke mbajtur një send në rrugët e frymëmarrjes. Nëse shishja është prej plastike, me skaje të lëmuara, e rrumbullakët dhe pa kënde, ajo nuk do të kishte qenë në gjendje të qëndronte e bllokuar në faring në atë mënyrë, që të mund të pengonte tërësisht frymëmarrjen”.
Në aspektin teorik, një vetëvrasje me mjete të tilla do të kishte mundur të ndodhte vetëm në një skenar të imagjinuar: “Në rast se viktima shtrihet në bark dhe në kohën kur e humb vetëdijen, shishja mbetet e bllokuar në mes të kokës dhe tokës dhe, në mënyrë efikase, vazhdon të mbyllë rrugët e frymëmarrjes. Mundësia e realizimit të një skenari të tillë nuk pranohet nga autorët që citohen. Bëhet fjalë për një mundësi pa asnjë gjasë që të ndodhë, sepse duhet gjithashtu të kemi parasysh, se gjatë fazës së shtrëngimeve muskulore që i karakterizon asfiksitë, lëvizjet e trupit do ta pengonin ruajtjen e këtij pozicioni, do të bënin që shishja të rrëshqiste ose të lëvizte dhe të liroheshin rrugët e frymëmarrjes. Megjithatë, përsëri duhet të nënvizojmë se skenari i fundit për të cilin folëm nuk mund të merret parasysh në rastin e z. Dehari, sepse trupi i tij është gjetur i shtrirë horizontalisht në shpinë (dekumitus dorsal), ashtu siç është thënë nga të gjithë dëshmitarët”.
Pra, sipas ekspertëve zviceranë, edhe në një hipotezë me skenar të imagjinuar, Astrit Dehari nuk ka mundur të bëjë vetëvrasje, sepse trupi i tij është gjetur në një pozitë të tillë, që përjashton mundësinë që shishja plastike të vazhdonte t’i pengonte rrugët e frymëmarrjes.
Në raportin e ekspertizës së tyre, ekipi mjeko-ligjor zviceran thekson se në literaturën shkencore që kanë konsultuar, “kanë hasur vetëm në dy raste të përdorimit të zënies së frymës të llojit “smothering”, si mënyrën e vetëvrasjes. Në rastin e parë kemi të bëjmë me vendosjen e ngjitësit rreth kokës, që i pengonte rrugët e frymëmarrjes, ndërsa në rastin e dytë kemi të bëjmë me futjen e një shamie hundësh dhe dorezat prej llastiku në rrugët e frymëmarrjes mbi epiglotë. Në rastin e fundit vërejmë se karakteristikë e shamisë së futur në rrugët e frymëmarrjes është ndjeshmëria ndaj lagështisë, që ka bërë të ngjitet nga mukoza dhe të pamundësojë hapjen spontane të rrugëve të frymëmarrjes nëpërmjet rrëshqitjes së materialit të përdorur”.
Të gjitha rastet e tjera të zënies së frymës të llojit “smothering”, që përmenden në raportin e ekspertëve zviceranë, janë raste të vrasjeve. Për ilustrim, ata përmendin sende që janë futur në rrugët e frymëmarrjes, gjurmë që janë gjetur në këto raste e kështu me radhë, për të arritur te konkluzioni i tyre:
“Në serinë e rasteve që sjell Boghossian et al (2010), një rast bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes ishte kryer me kravatë, ndërkaq në rastin e dytë bllokimi ishte bërë me doreza. PËR MË TEPËR, SIPAS BOGHOSSIAN ET AL (2010) DHE DIMAIO AND DIMAIO (2001), ZËNIA E FRYMËS E LLOJIT “SMOTHERING” MË TEPËR ËSHTË KARAKTERISTIKË E VRASJEVE SESA E VETËVRASJEVE. MEGJHITHATË, DO TË SHËNOJMË SE SIPAS DiMaio and DiMaio (2001), vrasja me zënie fryme e llojit “smothering” është shumë e vështirë të realizohet te një i rritur me aftësi të plota”.
Për lexuesit që kanë pasur mundësi t’i lexojnë shkrimet e mia paraprake lidhur me falsifikimin e raportit të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari”, është e qartë se teksti me shkronja kapitale është hequr qëllimisht.
Pas reagimit tim lidhur me përkthimin skandaloz të raportit të ekspertizës të Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës, përkthyesi zyrtar i këtij dokumenti,Ismail Ismaili, deklaroi: “Raporti shkencor duhet të përkthehet pothuajse fjalë për fjalë. Nuk kam guxuar t’i interpretoj thëniet e ekspertëve mjeko-ligjorë”.
I takon hetuesisë të ndriçojë tërësisht se kush e hoqi fjalinë thelbësore, se zënia e frymës e llojit “smothering” më shumë është karakteristikë e vrasjeve sesa e vetëvrasjeve dhe përgjegjësit për këtë falsifikim të japin llogari në përputhje me nenin 434 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sa për arsyet pse është hequr konkluzioni i literaturës shkencore rreth kësaj çështjeje, është e qartë: kanë dashur ta fshehin faktin, se zënia e frymës e llojit “smothering”, viktimë e së cilës ka qenë Astrit Dehari, më tepër është karakteristikë e vrasjeve sesa e vetëvrasjeve.
Në përkthimin zyrtar në gjuhën shqipe të raportit të ekspertizës zvicerane ky konkluzion është sakatuar kështu: “Në serinë e rasteve të Boghossian et al. (2010) obstruksioni i rrugëve ajrore ishte kryer në një rast me kravatë dhe në dy raste të tjera me doreza. Sipas Boghossian et al.(2010) dhe të DiMaio and DiMaio (2001), vrasje me ngulfatje të llojit “Smothering” është shumë e vështirë mbi një të rritur, duke pasur parasysh aftësitë e tij”.
Kanë hequr konkluzionin, se kjo formë e zënies së frymës është kryesisht karakteristikë e vrasjeve dhe e kanë lënë fjalinë e fundit, me shpresë se do të tërheqin vëmendjen në faktin se “zënia e frymës e llojit “smothering” është shumë e vështirë të realizohet te një i rritur me aftësi të plota”. Por edhe ky konstatim kthehet kundër falsifikatorëve të ekspertizës zvicerane, sepse qëndrimi i lartpërmendur nënkupton se, për të zbatuar metodën vrastare të zënies së frymës të llojit “smothering” ndaj një personi të shëndoshë, siç ka qenë Astrit Dehari, është dashur të jenë të përfshirë më shumë se një person.
Për ekipin mjeko-ligjor zviceran, zënia e frymës e llojit “smothering” është vetëm njëri nga mekanizmat që është përdorur në rastin “Astrit Dehari”. Në mënyrë të qartë ata theksojnë: “Megjithatë, një kombinim me mekanizmat e tjerë nuk mund të përjashtohet. Në të vërtetë, autopsia ka zbuluar praninë e lëndimeve abrazive të shkaktuara nga goditjet me mjete të forta, jo të mprehta, në pjesën e sipërme të ballit, në pjesën e poshtme të anës së djathtë të fytyrës, në pjesën e djathtë anësore të qafës, në parakrahun e djathtë dhe në shuplakën e dorës së djathtë. Këto lëndime vërtet nuk mund të shpjegohen nëpërmjet një veprimi vetëvrasës me sende të mprehta dhe me zënie fryme. Hipoteza e lëndimeve të shkaktuara nga bartja e trupit, nga tërësia e veprimeve për ta ringjallur dhe nga shtrëngimet e rastësishme nuk e shpjegojnë tërësinë e këtyre konstatimeve dhe nuk duket plotësisht bindëse. Këto ekimoza (mavijosje) vërehen në vendet karakteristike për lëndimet që janë shkaktuar gjatë kapjeve në qafë, të llojit “çelësi i krahut” (“clé de bras” në gjuhën frënge), ose formave të tjera të dhunës në qafë. Si përfundim, hipoteza e vetëvrasjes së z. Astrit Deharit me mjetet e paraqitura nga mjekët ligjorë duket shumë pak e besueshme. Sipas mendimit tonë, për këtë arsye, rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari janë shumë të dyshimta, për shkak të ndërhyrjes së një personi tjetër në procesin fatal”.
Ekspertiza e ekipit mjeko-ligjor zviceran nxori në shesh, se vdekja e dhunshme e Astrit Deharit nuk ka qenë vetëvrasje.
Në dy raportet e ekspertizës së tyre, ekspertët e ekipit mjeko-ligjor zviceran vunë theksin në lëshimet e rënda që janë bërë gjatë procesit të hetimeve, gjatë mbledhjes së provave materiale në skenën e krimit, gjatë analizave të ADN-së dhe të gjurmëve të gishtave që ka bërë “Agjencia e Kosovës për Forenzikë” gjatë autopsisë së trupit të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, konkluzioneve të ekipit të tij mjeko-ligjor dhe përfundimeve që nxjerr Prokuroria Themelore e Prizrenit për gjoja “vetëvrasjen e Astrit Deharit”.
Si rezultat i hulumtimeve të tyre, ekspertët zviceranë erdhën në përfundimin, se Astrit Dehari jo vetëm që nuk ka bërë vetëvrasje, por objektivisht as që e ka pasur të mundur të bënte vetëvrasje me sendet dhe me mënyrën që kanë përshkruar institucionet e Kosovës, të përfshira në rastin “Astrit Dehari”. Rrjedhimisht, vdekja e dhunshme e Astrit Deharit është vrasje. Mënyrat dhe mjetet që janë përdorur gjatë kësaj vrasjeje nuk kanë mundur të jenë rezultat i një personi të vetëm. Prandaj një hetim i drejtë i këtij krimi duhet të nxjerrë në shesh të vërtetën rreth asaj sesa persona u përfshinë në vrasjen e Astrit Deharit.
Është obligim qytetar i çdokujt që ka mundësi të ndihmojë në ndriçimin e plotë të këtij krimi. Është obligim i institucioneve të shtetit të Kosovës, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura, që ata, të cilët e përgatitën, e realizuan dhe e fshehën vrasjen e Astrit Deharit, të ballafaqohen me drejtësinë dhe të marrin dënimin e merituar.
(VIJON)