Rrugët e Tetovës rrezik për këmbësorët
Shumica e qytetarëve janë të mendimit se këta njerëz duhet të ndëshkohen në mënyrë maksimale sepse këtu nuk është në pyetje ndonjë tendencë politike, as etnike, por kjo ka të bëjë me sigurinë e njerëzve dhe ajo vihet në rrezik nga këta persona që rrugët e qytetit i kanë shndërruar në vende argëtimi dhe matin sa shkojnë veturat e tyre dhe sa të shpejta janë
Urim SALIHU
Vozitësit akoma nuk po i shmangen shpejtësisë në Tetovë dhe Gostivar madje edhe në rrugët e frekuentuara dhe ku ka shumë lëvizje qytetarësh ata nuk respektojnë rregullin e domosdoshëm. Por ata nuk kanë mundur t’i shmangen ndëshkimit dhe gjobave në drejtim të tyre nga ana e policisë së komunikacionit që kontrollon rrugët dhe vozitësit nëse ata i respektojnë ose jo rregullat bazë në komunikacion që janë shpesh edhe të dëmshme dhe krijojnë pasiguri për njerëzit.
Afrim Ahmeti nga Tetova thotë se është i mendimit se këta njerëz duhet të ndëshkohen në mënyrë maksimale, sepse këtu nuk është në pyetje ndonjë tendencë politike, as etnike, por kjo ka të bëjë me sigurinë e njerëzve dhe ajo vihet në rrezik nga këta persona që i kanë shndërruar në vende argëtimi dhe matin sa shkojnë veturat e tyre dhe sa të shpejta janë. “Duhet ndëshkuar me qëllim që të mbushen me mend këta persona”, thotë Ahmeti. Ata, sipas tij, i kanë shndërruar këto rrugë në autostrada ku të paktën as që shikohen shenjat e shpejtësisë.
Por nuk kanë mbetur pa rënë në radarin e policisë këta persona ndërsa janë dhjetë të tillë që tashmë kanë marrë masa ndëshkimi për shkak të mosrespektimit të shpejtësisë gjatë vozitjes. Madje disa prej tyre i ngasin veturës në një shpejtësi që është më shumë se 80 kilometra në orë në një zonë kur nuk është e lejuar që të vozitet në 40 kilometra në orë.
Policia e shërbimit dhe sigurisë në komunikacion kishte vendosur disa pika kontrolli në qytet po për këtë arsye për të kontrolluar shpejtësinë pasi kanë pasur ankesa nga qytetarët se ka shumë vozitës që nuk respektojnë rregullat elementare gjatë kohës sa ata janë nën drejtimin e veturës. Disa nga të gjobiturit nuk kanë mundur t’i ikin masës së ndëshkimit prej 300 euro ndërsa disa të tjerë kanë marrë vërejtje, por edhe ndëshkime pak më të vogla.
Policia e komunikacionit ka konfirmuar se edhe gjatë ditëve të ardhshme do të kontrollojë këto zona të frekuentuara dhe do të vërejë nga afër se si respektohen shpejtësitë nga ana e vozitësve. Ata gjithashtu janë në përgatitje për shkak se tashmë është koha kur komunikacioni do të jetë më i dendur për shkak të kthimit të mërgimtarëve gjatë ditëve në vijim