Fadil LUSHI

Të nderuar lexues të vëmendshëm dhe të paanshëm. Këtë shkrim do ta filloj duke iu referuar një miku, i cili zhvillimet e fundit politike në hapësirat e Republikës së Maqedonisë, të Kosovës dhe Shqipërisë politike, lëre që nuk i ndjek me vëmendje, por përkundrazi, në krahasim me të tjerët, ato i percepton dhe i koncepton bythëprapthi, shkarazi dhe në instancë të fundit, ashtu thjesht i sikteris deri në atë shkallë sa që i koncepton si lojëra kalamajsh.

Këtë nuk e bën pse mendja i është bërë havale, livadh dhe lesh, jo pse (nuk) i mungon intelektualizmi politik, jo pse (nuk) i mohohet e drejta për ta thënë të vërtetën, jo pse mençuria e tij është i (pa) dobishëm për familjen, për mëhallën e për miqtë e tij, jo pse është transformuar në njerikërkues të ideve, jo pse është katandis dhe dembelos, jo pse është konvertuar në “lypsar”dhe kërkues të një politikëbërje krejt tjetëfare, jo pse gjatë gjithë ditën e Perëndisë, paratë e shtëpisë i bën rrush e kumbulla.., jo pse është bërë tapë, jo pse është inatosur me të gjithë njerëzit përreth tij.., por, pse këto habere ndaj zhvillimive në fjalë, i janë bërë bajat, ashtu siç i janë bërë bajat llafet që llafosin përditshmërinë e bezdisshme të partive politike, të cilët gjithandej hapësirave shqiptare bëjnë politikë të trazuar, joparimore, politikë të kulaçit, politikë të rebeluar dhe politikë klandestine.

Dhe, me që ra fjala për partitë politike shqiptare, miku im, tok me të tjerë shqiptarë, hiç nuk do “sikletoset dhe sëkëlldiset” me mënyrën e politikbërjes së disa politikanëve, të politikanëve të cilët në vijimësi paturpësisht do të ballafaqohen me pakënaqësin e votuesit, me kalvarin (e tyre) korruptiv, me mungesën e profesionalizmit, me indiferencën e palejueshme, dhe papërgjegjshmërinë, qoftë individuale apo kolektive. Ai nuk do pandehë të merret me politikanët tonë të cilëve kohë të fundit, lëre që u shterret por edhe u humbet kredibiliteti dhe autoriteti politik, sidomos tek njerëzit të cilëve, duke ua “marrë”me apo pa dhunë votat deliberative, u shtroi premtime të rreme!

Dhe, ngjarjet e fundit që ndodhën në muajin Maj, në vendin ku jetojmë dhe veprojmë, padyshim se do karakterizohen me fillimin e ndërtimit të një politike të re, një politikë skajshëm të denigruar, një politikë e shtrembëruar dhe në instancë të fundit një “sikter” politike të cilës do i mungojë emri, mbiemri, kallëzuesi, kryefjala dhe periudhat e saj të emancipuara, që gjithsesi nuk mund të ndërtohen nga ustallarë dhe çirakë të “makijavelizmit shqiptar”!?

Ata që merren me studimin e historisë dhe filozofisë së politikbërjes shqiptare, do të thonë, se nuk mbahet mend që politikbërja shqiptare, të ketë qenë kaq shumë e mbikqyrur, e kontrolluar dhe kaq shumë e gjunjëzuar qoftë nga faktori i brendshëm, qoftë nga faktori i jashtëm, gjegjësisht nga ndërkombëtarët. Shembulli i parë do shtrihet në hapësirat e Republikës së Kosovës, ku kohë më parë ndërkombëtarët, ua “sollën kosovarëve lirinë, ua falën sovranitetin territorial të sakatosur”, ua ndërtuan autonominë (e kufizuar) e të bërit politikë të brendshëm dhe atë botorë, ua ndërtuan Kushtetutën e ashtuquajtur të kontrabanduar një Kushtetutë, që përdhunon shpresat dhe perspektivën e bashkimit kombëtar, ua “qendisën” flamurin apolitik dhe në fund, shqiptarëve të Prishtinës, u sugjeruan që ta harrojnë të kaluarën, të bëjnë politikë konstruktive dhe transparente, ta luftojnë korrupcionin, nepotizmin, t’i bëjnë detyrat e shtëpisë, të “prodhojnë ndryshime” në kuadër të institucioneve vendore dhe institucioneve qendrore dhe kushtetuese, që do ta përmirësonin statusin social, politik dhe ekonomik të gjithë qytetarëve, përfshirë aty edhe serbët! Dhe, kur ndërkombëtarët konstatuan mungesën e ndryshimeve, në veçanti mungesën e luftës kundër korrupcionit të “organizuar institucional” atëherë “urdhëruan” EULEX-in, që të bëjë bastisjet në hapësirat e Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit të Prishtinës, në banesën e Ministrit dhe institucione tjera, ndërkaq Kryeprokurori i EULEX-it, Johannes van Vresweejk, nuk do harrojë të thotë se, së shpejti pritet të arrestohen tre zyrtarë të lartë të involvuar në rastin e Ministrit për TPT të Prishtinës!? Dhashtë zoti që Kryeprokurori këtë haber ta ketë me shaka. Ku ta dijë njeriu!

Zija Çela nga Shqipëria, për nocionet si: të heshtësh dhe të flasësh, dikur kishte ndërtuar këto dy paragrafe: “Të FLASËSH, do të thotë që më parë ta kafshosh gjuhën me dhëmbë, në atë mënyrë që ta vetëndiesh sa vret fjala”, dhe “Të HESHTËSH, do të thotë që sot ta bësh gojën blush, duke brejtur hekur me dhëmbë”. Dhe, ky miku im i cili ende është pjesë i shkrimit tim, të cilit ky vit i nisi ters, nuk do ta bëjë gojën blush për ta heshtur politikbërjen e gabuar të politikanëve shqiptarë të Shqipërisë politike, por edhe do këmbëngulë që me llafe (pa kafshuar gjuhën, nuk e bën dot atë, sepse gjuha nuk kafshohet me proteza) ta kritikojë politikën inatçore dhe hileqare të kryeministrit tonë të nderuar z. Sali “bej” Berishës, partia e të cilit kohë më parë ishte njollosur si vjedhëse votash. Miku im do ta kritikojë edhe politikën greviste të Edvin Ramës, partinë politike të të cilit do ta konceptojë si parti trashëgimtare e diktaturës enveriane! Ndonëse Edvinit i shkoi huq greva e urisë, ai, nuk do heqë maskën nga fytyra, që me çdo kusht të rimarë pushtetin e humbur.

Ky miku im, do kërkojë që të futet në “furgonin politik” shqiptar të ngarkuar e të mbingarkuar me gënjeshtra, trillime, gazepe, me mosmarrëveshje, mesazhe të gjymtuara dhe të gabuara..,me të vetmin motiv për të gjetur të vërtetën karshi një morali të ekzekutuar, karshi një politike të dështuar dhe të gjunjëzuar si të lidershipit të Partisë socialiste, njashtu edhe të lidershipit të Partisë demokratike të doktorit, të cilët tok do vazhdojnë të kërkojnë rrugë tjera në rimarrjen e pushtetit gjegjësisht, të ndërtojnë pushtete të reja qendrore dhe legjislative.

Edhe politika e partive shqiptare në Republikën e Maqedonisë, në vijimësi do trazohet, rebelohet, do kontrollohet dhe gjunjëzohet nga ndërkombëtarët dhe politikanët axhaminj dhe nga kalorësit e vonuar që mëtojnë të diskutojnë çështjen e kauzës. Kjo politikë e shqiptarëve “maqedoncë” edhe në të ardhmen do udhëhiqet nga taze politikanë me çallëm katundari dhe me sherr shehërliu!

Kështu si menaxhohet politika aktuale shqiptare të lë përshtypjen se kjo politikë gjendet pothuajse në rrafshe fillimtare.

Thonë se politika lindi bashkë me kurvërinë njerëzore, lindi atëherë kur ende nuk frymonte gënjeshtra.