image
Ne nuk guxojmë të kënaqemi vetëm me puthjen e flamurit, ovacionet para përmendoreve dhe palljen në gjuhën shqipe. Na duhet shumë më tepër. Na duhet edhe standardi përkatës i qytetarëve që dinë qytetarisht të respektojnë flamurin, solemnisht të përkulen para përmendoreve dhe ëmbëlsisht ta lëvrojnë gjuhën shqipe    

Unë nuk merrem me politikë. Hiç, ama hiç nuk më intereson politika. Këto fjalë dëgjohen shumë shpesh, në shumë raste e nga shumë njerëz. Por, posa të fillojë muhabeti, menjëherë shtrohen pyetje që drejtpërdrejt ose tërthorazi janë ekskluzivisht të natyrës politike. Kjo është jeta. E gjithë rreth nesh është politikë dhe këtë topi nuk e luan. Çdo gjë që na rrethon, me çdo gjë që ndeshemi (përveç natyrës), është e lidhur me politikë. A ekziston ndonjë sferë e jetës që nuk është e rregulluar me ligj? Jo. Madje dy ministrat e tanishëm shqiptarë (shëndetësi dhe ekonomi) u përkujdesën që ta ndalojnë edhe tymosjen me cigare. Sepse, të gjitha gjërat tjera: spitalet, shkollat, rrugët, tregjet, dyqanet, çajtoret, restorantet, uji i pijes, mjetet transportuese etj, na  qenkan skajshmërisht të pastra e papastërtinë e shkakton vetëm tymi i cigareve!!! Ministri tjetër, po kështu shqiptar (politika sociale), u mundua të përzihet në punët shumë intime “të natës”, duke i caktuar komunat ku duhet shtuar “pisllëqet”. Dhe njerëzit tanë u revoltuan se mjaft komuna u shpallën si territore ku bëhet mjaft “pisllëk”. Ky kategorizim shkaktoi një hidhërim paksa qesharak sepse njerëzit tanë dëshirojnë që të shpërblehen për “pisllëk”. Shihe, shihe çfarë kërkese?! Ama, njerëzve të komunave të tjera u mundësohet edhe ky luks. Po. Kështu vendosi politika. Pra çdo gjë është bë politikë dhe ajo depërton edhe në shtrat. Atëherë, kujt nuk i intereson politika?
Megjithatë, ndër ne shqiptarët në Maqedoni interesimi për politikë, nga vetë ne, është skajshmërisht i kanalizuar dhe zhvillohet ekskluzivisht në sferën e politikës dhe realizimit të të drejtave politike. Kjo qasje natyrisht se i ka edhe arsyet e veta shumë të qëndrueshme dhe domethënëse. Kushdo që pretendon të minimizojë domethënien e kësaj qasjeje do të vijë në konstatim se nuk e njeh mirë të kaluarën tonë, por ka mungesë edhe të projektimit të së ardhmes. Udhëheqësit e republikave të ish-Jugosllavisë e kishin mundësinë që me një politikë ndryshe të mbështeten ekonomikisht dhe që atëherë (para 20 vjetëve) shteti që u shkatërrua të bëhet pjesë e BE-së, kështu që nuk do të ndodhte mbarë ajo kasaphane e tmerrshme. Por, republikat ishin të interesuara që të krijojnë bashkësi shtetërore ku do të ndjehen zot të vetes, ku politikisht do të realizohen pa ndërhyrjet e drejtpërdrejta të tjerëve. Pra, u përcaktuan që paraprakisht t’i realizojnë të drejtat politike. 
Kësaj rruge ecëm edhe ne brenda këtyre dy dekadave. Madje të arriturat tona në planin politik janë shumë të mëdha (duke marrë parasysh nivelin e të drejtave nacionale politike të para dy dekadave). Meqë në jetë çdo gjë është politikë, me të, pra politikë merren të gjithë. Dhe të gjithë mendojnë se janë të aftë për këtë punë. Por, harrojnë se ajo është shumë më e vështirë dhe ndërlikuar se ndonjë profesioni tjetër më i definuar dhe precizuar. Politika është një lëmi që përcakton kahet e zhvillimit dhe ardhmërinë e jetës së njerëzve. Prandaj, nuk është e preferueshme që në këtë lëmi t’i fusë hundët çdokush, posaçërisht jo në politikën më të lartë, sepse vendimet e mëdha politike i prekin të gjithë njerëzit. Prej foshnjës paralindjes deri te njerëzit para vdekjes, po edhe pas vdekjes. Dikujt pas vdekjes i ngrihet ndonjë pllakë përkujtimore, bust ose shtatore.
Të gjitha këto vendime janë politike, por e kanë edhe koston e vet. Ajo drejtpërdrejt ose tërthorazi ndikon te të gjithë njerëzit. Ndikon në xhepin e tyre, standardin ekonomik dhe mënyrën e jetesës. Kështu ndodh që politikanët në emrin tonë të marrin vendime pa çarë kokën fare për nevojat dhe dëshirat tona. Me këto veprime ato me “dhunë” i fusin duart në xhepat tanë për t’i marrë edhe qindarkat e fundit.
Raste të këtilla në historinë 20 vjeçare të pluralizmit partiak në Maqedoni kemi sa të duash. Kështu ka ndodhur me mjaft ndërtime të objekteve fetare të krishterimit duke filluar nga ndërtimi i kishës në Popova Shapkë (qëllimisht nuk e përdori emërtimin „Kodra e Diellit” sepse për të duhet shkruar një artikull shumë të gjatë për të demaskuar mashtrimin mediatik dhe demagogjinë e nacionalistëve të paformuar shqiptarë), ngritjen e kryqit në „Vodno” të Shkupit, ndërtimin e taze teleferikut për të mbërritur deri te ai, projektin „Shkupi 2014”, muzeun e VMRO-së etj., etj. të kësaj natyre.
Nga kjo vetvetiu imponohet konkluzioni se subjektet politike shqiptare, participuese në qeveritë e R të Maqedonisë, është e domosdoshme që gjatë ushtrimit të pushtetit ekzekutiv pjesë të angazhimit të tyre ta bëjnë edhe segmentin ekonomik të qeverisjes dhe të preokupohen edhe me çështjet që kanë të bëjnë me ndikimin në standardin e qytetarëve. Ata dalëngadalë duhet ta harrojnë se qytetarët shqiptarë janë të interesuar vetëm për realizimin e të drejtave politike, sepse vetëm ato janë të pamjaftueshme për të siguruar një ardhmëri më të mirë për votuesit e tyre. Njësoj si maqedonasit edhe shqiptarët dalin në pazar (tashmë nuk ka katundarë e qytetarë, të gjithë janë bërë sheherli dhe zotërinj) dhe të gjitha prodhimet i blejnë me të njëjtat çmime. Pra duhet të vihen në të njëjtën peshore. Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë, sipas parashikimeve, do të duhet të ndajnë mbi 50 milionë euro, ose nga 100 euro për individë, për ndërtimet e reja kryesisht të proviniencës së krishterë. Është ai interes i tyre? Jo. Pse atëherë subjektet politike shqiptare e lejojnë këtë „plaçkitje” institucionale. Inatet primitive të tipit klasik ballkanik që i bëjnë nacionalistët adoleshentë maqedonas, siç është rasti me Rafinerinë „OKTA”, qytetarëve të Maqedonisë po kështu po ua zë frymën. Të gjitha këto janë veprime që ndodhin në qeveritë ku participientë në pushtet janë edhe shqiptarët.
Opinioni shqiptar fitohet përshtypja se këto „aventura” ekonomike të qeverive përkatëse  nuk i regjistron në konton e nevojës së angazhimit të subjekteve politike shqiptare. Kjo qasje duhet ndryshuar rrënjësisht, sepse çdo gjë që ndodh me mjetet buxhetore duhet të jetë në baraspeshë me angazhimin për të drejta politike. Këto çështje kërkojnë një analizë serioze, pa emocione dhe me një konstruktivitet e pjekuri profesionale, ku shumëçka duhet thënë qartë e mirë. Nevojitet një analizë e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, parciale dhe globale, për të harmonizuar njësoj si mbushjen ashtu edhe zbrazjen e xhepave të qytetarëve.
Duhet t’i vijë fundi kohës kur opinioni shqiptar preokupohet vetëm me tema të natyrës politike. Popullata shqiptare, votuesit e subjekteve politike shqiptare duan t’i realizojnë të drejtat politike. Duan të realizohet edhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Por nënat shqiptare, në mëngjes, në gjuhën shqipe, nuk gjejnë fjalë për t’iu përgjigjur kërkesave të fëmijëve të vet e që kanë të bëjnë me mjete materiale për nevojat e ditës. A mund ta merrni me mend si duken ato skena? Keni parasysh çfarë rrëmuje dhe rrebeshi fjalësh përdoren aty? Me ndjenjën për këto skena, të imagjinuara, duhet nisur në punë çdo funksionar shqiptar qoftë i zgjedhur e emëruar dhe pavarësisht nga funksioni që ushtron.
Andaj, pjesë e preokupimit të shqiptarëve duhet të bëhet jo vetëm ajo që ka të bëjë me të drejtat politike. Të arriturat dhe dështimet e qeverisë në planin ekonomik duhet përjetuar si të arritura dhe dështime të përgjithshme. Nëse me veprime të ndryshe ekonomike, qeveria e dëmton shtetin, shqiptarët duhet ta kuptojnë se janë dëmtuar edhe ata. Për këtë përgjegjësi duhet të mbajnë edhe subjektet politike participuese në pushtet. Këto punë duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë për të mos lejuar të kënaqemi vetëm me kërkesa dhe të arritura politike, sepse ato aspak nuk janë garanci për ndërtimin e një shoqërie të mirë, të shëndoshë e progresive. Ne nuk guxojmë të kënaqemi vetëm me puthjen e flamurit, ovacionet para përmendoreve dhe palljen në gjuhën shqipe. Na duhet shumë më tepër. Na duhet edhe standardi përkatës i qytetarëve që dinë qytetarisht të respektojnë flamurin, solemnisht të përkulen para përmendoreve dhe ëmbëlsisht ta lëvrojnë gjuhën shqipe.