Hyri Koshtunica, në Kosovë, se e gjeti kapixhikun hapur
EULEX, KFOR-i e Policia e Kosoves duhet t’i përcaktojnë detyrat e tyre, t’ia vejnë shulin kapixhikut e t’i përforcojnë rojet.
Hyri Koshtunica në Kosovë me një suitë të armatosur pa kurrëfarë pengese.Eci me kokën lartë, ashtu sikur që kishte hyrë para 12 vitesh me kallash e me paramilitarë. Atëherë me ushtrinë e paraimlitarët e Millosheviqit e pushtuan Kosovën, kurse tash me bindjen se Kosova ende është tokë e Serbisë dhe mund të shkel kah të dojë, vjen për të vendos pushtet paralel në tokën që nuk është më e tij.Kështu ndodhi kur e gjeti kapixhikun qel e hyri pa vet e s’ia ndjeu a e pa kush a jo! Dhe kështu ndodh nëse s’i del përpara askush ta ndaloj e t’i thotë je hi në oborr të huej, ai ec lirisht, madje e çon kryet haravan e trimërohet se nuk ia prishi tymin askush.
Erdhi Koshtunica, ditë më parë, i shoqëruar nga një suitë e armatosur, duke hyrë përmes portës kufitare në veri të Kosovës për të bërë fushatë elektorale pa kërkuar leje për vizitën e tij. Koshtunica ka qëndruar në Zveçan dhe në veri Mitrovicës. Ka ardh madje deri te ura kryesore i shoqëruar nga sipatizantët duke brohoritur ka kërkuar votën e serbëve për njerëzit e partisë së tij që garojnë në zgjedhjet ilegale për komunën e Mitrovicës, që do të mbahen të dielën, më 30 maj.
Këtë suitë e as bajraktarin e tyre nuk e ndali askush. As rojet e kufirit, as policia e Kosovës, as EULEX-i. Pse u veprua kështu me vonesë dolën disa sqarime të mjegulluara nga ndërkombëtarët dhe vendorët që bashkarisht janë përgjegjës për këtë incident që habiti opinionin.
Ministri i Mbrojtjes Bajram Rexhepi është shprehur se këtë detyrë, në veri të Kosovës e ka EULEX-i. Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë është shprehur se nuk ka qenë i njoftuar për vizitën e kryetarit të Partisë Demokratike të Serbisë Vojisllav Koshtunica në veri të Kosovës. Ata paskanë ardh pa paralajëruar vizitën në Kosovë. Ndaj zëdhënsja e EULEX-it Kristina Herodes ju rekomandon zyrtarëve serbë që në rastin e vizitave zyrtare të përfillin procedurat. Ndërsa kreu i policisë së Kosovës Behar Selimi është shprehur se do të kërkojë nga EULEX-i qartësime rreth vizitave ilegale të zyrtarëve serbë në Kosovë.
Ndonëse thuhet se rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do të njihet nga askush, as nga autoritetet e Kosovës e as nga EULEX-i ky organizim i zgjedhjeve lokale në pjesën veriore të Mitrovicës konsiderohet si provokim dhe tendos situatën në veri të Kosovës. Vizitat e politikanëve dhe qeveritarëve nga Serbia, në Mitrovicë, të përcjellur nga eskorte të armatosura dhe me fjalimet e tyre provokuese,e destabilizojnë situatën këtë pjesë të Republikës së Kosovës
Ndaj, ata që luftuan e u krekosën me kallash në dorë se e patën pushtuar Kosovën si Koshtunica, tash nuk bën të lejohen të shkelin në këto troje të përgjakura nga ata që bënë krime e viktimat i hudhën në varreza masive se ende ata të verbuar e shohin Kosovën të jetë pjesë e Serbisë
EULEX, KFOR-i e Policia e Kosoves duhet t’i përcaktojnë detyrat e tyre. Qeveria e Kosoves duhet të kërkojë llogari për këto lëshime. Çerkin Ibishi