Juncker: Zgjedhjet të mbahen, për prespektivën europiane të Shqipërisë
Ashtu edhe si ishte paralajmëruar, këtë të martë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte në Bruksel, ku ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtues të lartë të Bashkimit Europian.
Ndër të tjera, Rama ka takuar dhe ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
Gjatë kësaj konference, Juncker ka folur dhe për vendimin e shtyrjeve të zgjedhje lokale në Shqipëri. Juncker nënvizoi se populli nuk mund të ndalohet të votojë dhe se zgjedhjet duhet të zhvillohen më 30 qershor.
Ai gjithashtu theksoi se moszhvillimi i zgjedhjeve do të ndikonte në perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Për Komisionin Europian Shqipëria është gati për hapin e radhës, prandaj i kemi kërkuar Këshillit të BE-së hapjen e negociatave. Nëse i kërkojmë një vendi plotëso këtë apo atë dhe kur një vend i plotëson ne nuk kemi pse t’i themi jo hapjes së negociatave. Shqipëria ka plotësuar kërkesat, por nuk është sekret që disa vende kanë dyshime. Puna nuk ndalon në qershor, pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, Shqipëria do të vijojë me reformat. Progresi i bërë për sa i përket luftës kundër kanabisit është një shembull ku shihet rëndësia e unitetit politik, të gjitha partitë politike në vend duhet të angazhohen.
Zgjedhjet janë parashikuar për në fund të qershorit. Jam aq i interesuar sa Shqipëria që të ketë progress; njerëzit nuk duhet të ndalohen të kryejnë këtë të drejtë demokratike. Mendoj se këto zgjedhje duhet të mbahen, nëse jo do të shtynin prespektivën europiane të Shqipërisë. Jam në favor të hapjes së negociatave për Shqipërinë sa më shpejt”, tha Juncker.