Ja dokumenti që Rama i dërgon ambasadorëve për shkarkimin e Presidentit Meta
Atë që e ka deklaruar publikisht, është kujdesuar t’ua dërgojë edhe përmes një letre. Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një dokument ambasadorëve perëndimorë të akredituar në Tiranë, ku rendit qëndrimet për shkarkimin e Presidentit Meta.
Në Dokumentin prej 7 faqesh kryeministri Rama sqaron fillimisht se sipas procedurave që përcakton Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, pas konsultimeve edhe me partitë politike, presidenti i Republikës dekretoi datën 30 qershor si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të pushtetit vendor.
Pas këtij vendimi nisi punën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe në 31 maj hapet fushata elektorale vazhdon sqarimi në dokumentin dorëzuar përfaqësuesve të selive diplomatike në vend.
Normaliteti i procesit zgjedhor merr fund me firmosjen e dekretit që shfuqizoi datën e zgjedhjeve dhe këtë kryetari i qeverisë e konsideron një akt arbitrar në kundërshtim me kushtetutën.
“Presidenti po i tejkalon kompetencat e tij siç parashihet me kushtetutë. Sipas nenit 94, Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”.
Njëra pas tjetrës i rendit kryeministri Rama ato i konsideron si shkelje të rënda të presidentit me lëshimin e dekretit të ri.
-“Shkel kushtetutën, duke zgjatur mandatin e autoriteteve vendore;
-Shkel seriozisht simbolin e unitetit të njerëzve, sepse ai ka vepruar në mënyrë të njëanshme pa u konsultuar me palët politike;
-Shkel seriozisht të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur;
-Ndërhyn në kompetencat e trupave ligjorë dhe kushtetues, sepse nëpërmjet shpalljes të një dekreti të ri duke ndryshuar datën dhe periudhën e zgjedhjeve, i ndalon kolegjit zgjedhor dhe KQZ-së të ushtrojnë pushtetin e tyre ligjor dhe kushtetues”, thuhet në dokumentin siguruar nga ABC News.
Duke risjellë si shembull një praktikë të njëjtë që ka ndjekur Gjykata Kushtetuese për shqyrtimin e një dekreti presidencial, kryeministri sqaron se në cilën gjykatë do të përfundojë ankimi i Partisë Socialiste.
“Nuk është subjekt për rishikim nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Në varësi të natyrës së pretendimit apo të thelbit të debatit, mund të jetë nën juridiksionin e gjykatës administrative ose nën juridiksionin e kolegjit elektoral”.
Kryeministri i bën të ditur ambasadorëve në vendin tonë se do të ndjekë të gjithë hapat e nevojshme për të zbardhur ligjshmërinë e dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.