image
Nebi MERSELI

Kushtrimi e la luftën të papërfunduar. Ai ishte luftëtar. E luftëtari kurrë nuk kthehet në shtëpi – ai e bën lirinë!
Kështu filloi në vitin 2001. Atëherë kushtrimin për luftë e kishte dhënë Ali Ahmeti. Afër e kishte komandant Kushtrimin. E kishin dhënë kushtrimin për të luftuar me maqedonasit. U bënë luftë Nikola Gruevskit dhe Menduh Thaçit. Dhjetë vjet më pas, Kushtrimi u vra. U vra në pabesi. E tradhtuan shokët e idealit, të cilët e nxitën si i ri t’i bashkohej luftës së shqiptarëve. Për këtë luftë, ai u mbajt tre vjet në “Bondsteel” dhe kur u kthye në Shkup, e gjeti Ali Ahmetin në pushtet. I zhgënjyer nga bashkëluftëtarët që përnjëherë u shndërruan në demokratë dhe i grahën Marrëveshjes së Ohrit, duke mos realizuar hiç më shumë sesa politika maratonike e Arbën Xhaferit dhe e Lubço Georgievskit. Nuk u pajtua me defaktorizimin e shqiptarëve edhe pas luftës, të cilën e kishte paramenduar ndryshe. I anatemuar nga bashkëluftëtarët dhe i mbajtur në mbikëqyrje të përhershme nga shërbimi i sigurimit, nuk u rreshtua në vijën e komandantëve që për pesë groshë e shitën veten dhe e komprometuan luftën gjashtëmujore. Guximin që e kishte në luftë e vazhdoi edhe pas saj, kur aparati shtetëror maqedonas vazhdoi me avazin e vjetër, duke i goditur shqiptarët. Pas vetes la një djalë njëvjeçar që do të rritet me pezëm, ashtu siç ishte rritur vetë ai. Dikush e ka të shkruar të japë shumë për popullin e tij, e dikush të tradhtojë. Nuk do ta kenë lehtë ata që ia bënë kurthin. Shpirti i tij i trazuar përherë do të jetë në ndërgjegjen e tyre të shlyer nga e kaluara e luftës. Kur kishte nevojë populli shqiptar, Kushtrimi e rroku pushkën. Por, edhe pse i njohu mirë miqtë dhe armiqtë e tij, deri në afshin e fundit nuk deshi të besonte se mund ta tradhtonin. Kushtrimi e la luftën të papërfunduar. Ai ishte luftëtar. E luftëtari kurrë nuk kthehet në shtëpi – ai e bën lirinë!