imageNë varrezat e fshatit Hasanbeg, mijëra vetë, i dhanë lamtumirën e fundit Harun Aliut, të cilin policia e vrau dje në orët e para të mëngjesit në afërsi të fshatit Radushë. Në varrimin e tij morën pjesë bashkëfshatarët e tij, bashkëluftëtarët dhe miqtë nga trojet e banuara me shqiptarë. Në varrimin e Aliut morën pjesë edhe kryetari i BDK-së Hysni Shaqiri, deputetët Safet Neziri, Femi Arifi, Abedin Zymberi kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së Fazli Veliu. Gjatë ditës janë varrosur edhe personat e tjerë të vrarë në po të njëjtin aksion të policisë. Në fshatin Merovë është varrosur Shaban Zenuni ndërsa në varrezat e fshatit Gërçec të Shkupit është varrosur Qemal Mustafa 

Dhimbje dhe lotë në Hasanbeg e Merovë

 LAJMI I FUNDIT – Mijëra veta morën pjesë sot pasdite në varrimin e Harun Aliut, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare dhe njërit nga themeluesve të UÇK-së në Maqedoni. Në ceremoninë e varrimit në varrezat e Hasanbegut të Shkupit, familjarë, mijëra miq e shokë nga Maqedonia, Kosova e trojet e tjera i dhanë lamtumirën e fundit Aliut. Amaneti i ish-komandantit të UÇK-së ishte që të varroset në varrezat e vendlindjes së tij pranë familjes.

Ekipi i agjencisë së lajmeve INA

Atmosfera e zymtë kishte mbuluar sot familjet Aliu dhe Zenuni, por me krenari dhe të fortë mbaheshin anëtarët më të ngushtë, duke rikujtuar dy djemtë e tyre, Harun Aliu dhe Shaban Zenuni, që ishin dy të vrarët në Radushë. Familjarët, shokët e luftës, por edhe miqtë e ardhur nga çdo cep i trojeve shqiptare rrëqethen kur dëgjojnë lajmet se djemtë e tyre ishin kontrabandist, ashtu siç i quante policia. “Ata janë bijtë e kombit. U detyruan të ikin, sepse i ndiqte padrejtësia dhe ndjekja e egër e gjuetisë së shtrigave”, thekson Avdili, një ish-bashkëluftëtarë i Harunit në luftën e 2001, i cili mezi mban durimin. Dhembja ka mbuluar familjet dhe ajo që është më kulminante, kur dëgjon lajmin se Haruni kishte lënë fëmijën e tij vetëm një vjeç, Fisnikun, i cili më nuk do ta dijë asnjëherë se kush ishte babai i tij, i cili e kishte lënë si foshnje, për t`i ikur prangave policore, për një rast të montuar.

Atulla Aliu, xhaxhai i Harunit, i cili po priste njerëzit i pikëlluar thotë se s`mund të gjejë fjalë për të përshkruar dhimbjen për vdekjen e çunit të tyre të kombit dhe atdheut, ashtu siç e njihnin shumë veta. “Ai ka qenë shembull dhe djalë i vetëm si për familjen, lagjen dhe për mbarë shqiptarët kudo që janë. Lajmin e pranuam me shumë dhimbje dhe na shqetësoi shumë”, ka theksuar xhaxhai Atullai, duke thënë se amaneti i Harunit ishte që të varrosej pranë familjes në Hasanbeg. Familjarët theksojnë se Haruni, i njohur si Kushtrimi ishte shok i mirë për gjithë patriotët shqiptarë. Familja është e shokuar dhe nuk din të thotë fjalë tjera për hetime apo se çfarë do të ndodhë me rastin. “Haruni kurrë nuk ka qenë ashtu siç e përshkruajnë turpshëm organet shtetërore në Maqedoni. Kjo është tragjike dhe një akt i tmerrshëm. Ai ka qenë djalë shembull që ka pasur ideal dhe djali i shquar i kombit”, theksojnë shokët e tij të luftës së vitit 2001. Harun Aliu i njohur si Kushtrimi kishte mbushur 39 vjet dhe se misioni i tij ishte vetëm fisnik dhe kombëtar, duke qenë i pamposhtur para pardrejtësive, pohojnë bashkëveprimtarët e tij.

Në Merovë- familja nuk dinte se djali kishte ardhur nga Italia

Familja e Shaban Zenunit po ashtu është përfshirë në pikëllim dhe ajo që është më e dhimbshme se tre fëmijët e tij dhe bashkëshortja nuk e kishin parë gati një vit e gjysmë, sepse ai kishte shkuar për punë në Itali. 36 vjeçari ishte një atdhetar i denjë dhe i respektuar si në fshatin e tij Merovë, po ashtu edhe me gjerë. “Jemi thellë të pikëlluar për këtë ngjarje që na preku rëndë. Djali jonë ishte shembull. Ne nuk dimë për fatin e tij se si erdhi nga Italia. Lajmin e rëndë e morën prej kryetarit të komunës së Zhelinës, SPB-së së Tetovës por edhe nga lajmet. Nuk është e vërtetë ajo që thuhet nga Policia e Maqedonisë. Nuk janë të vërteta edhe ato pohime se Shabani ka qenë në shtëpi në ora 12.00, disa orë para vrasjes. Ne nuk e kemi dit se ka ardh nga Italia”, thekson kushëriri Ramiz Zenuni. Në shtëpinë e familjes Zenuni ishin tubuar shumë miq dhe shokë të luftës për t`i shprehur ngushëllimet dhe për tu ndarë nga bashkëluftëtari i tyre. “Ai ishte një hoxhë i mirëfilltë dhe atdhetar i shquar, por edhe komandant në kuadër të një batalloni të brigadës Mujdin Aliu të UÇK-së. Ishte skenar i përgatitur ndaj tij edhe me rastin e akuzës së ngritur nga pushteti maqedonas për maltretim të punëtorëve maqedonas në vitin 2001”, theksojnë bashkëluftëtarët e tij. Shabani kishte braktisur atdheun që nga viti 2001, duke shkuar për punë në Itali. Herën e fundit ishte një vit e gjysmë më parë, ku kishte qëndruar pranë familjes. Banorët e fshatit të tij theksojnë se mbi fshat vazhdojnë të jenë të koncentruara forca të mëdha policore, gjegjësisht në pyjet e fshatit. Edhe Merova por edhe Hasanbegu theksojnë se janë krenarë për dy djemtë e rënë si dëshmorë të lirisë.