Vrasje në një fshat të Kumanovës, policia masa emergjente
Një trup i pajetë është gjetur në dalje të fshatit Ropalcë në afërsi të aksit të vjetër rrugor Kumanovë-Shkup. Siç mëson agjencia e lajmeve INA, bëhet fjalë për 28 vjeçarin Sherif Salihi nga ky fshat i Kumanovës, zhdukja e të cilit pasdite ishte konfirmuar nga familja e tij. Trupi i pajetë i viktimës është gjetur rreth orës 18.00 në dalje të fshatit.
Forcat të mëdha policore kanë shtuar kërkimet dhe janë në kërkim të vrasësit, i cili është i njohur për policinë. Masat e shtuara policore janë vërejtur përskaj rrugës së vjetër Kumanovë-Shkup dhe në hyrje – daljet e Shkupit, gjegjësisht në lagjen Hasangeb, ku janë vërejtur njësi speciale dhe fluturime të helikopterëve të policisë. Deri tani MPB nuk ka dhënë hollësi për operacionin, ndërsa nuk janë bërë të ditur as motivet e vrasjes. (INA)