Veljanovski përçan koalicionin LSDM-BDI!?
Trajko Veljanovskit nuk i merret imuniteti i deputetit. I gjykuari mbi dyshimet për organizimin e 27 prillit të përgjakshëm, do të mbrohet në liri. Pas dështimit të një dite më parë për të votuar në kohë për imunitetin e Veljanovskit, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi fajin e hodhi te deputetët, konkretisht te deputeti i LSDM-së Muhamet Zekiri. Xhaferi nuk pranoi të ketë shkelur me qëllim afatin, duke thënë se ai nuk mbron askënd, aq më pak ata që kanë probleme me ligjin.
Zekiri kondërshtoi akuzat e Xhaferit dhe ngriti pyetjen për një koordinim të mundshëm mes kryeparlamentarit dhe VMRO-DPMNE-së.
NË MËNYRË KATEGORIKE I HEDH POSHTË POHIMET E KRYETARIT TË KUVENDIT, TALAT XHAFERI SE UNË JAM SHKAKU PSE AI NUK KA ARRITUR DERI NË MESNATË TË MBYLL VOTIMIN PËR PIKËN E RENDIT TË DITËS. OPINIONI KËRKON PËRGJIGJE “A KA PASUR MBRËMË KALKULIME APO JO” NDËRSA KRYETARI I KUVENDIT, TALAT XHAFERI DUHET TË PËRGJIGJET E JO TË KALKULOJË SIÇ E BËRI NË KONFERENCËN E SHTYPIT”- THEKSOI MUHAMET ZEKIRI, DEPUTET I LSDM-SË.
Pas situatës së krijuar në seancën e fundit, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Jovan Mitrevski njoftoi se ata nuk do të marrin pjesë në koordinimet e mëtejme, për aq kohë sa Xhaferi nuk sqaron situatën dhe për aq kohë sa organet e partisë nuk vendosin për hapat e ardhshëm.
BDI-ja, e gjendur në qendër të akuzave për shkak të mos-pjesëmarrjes së deputetit të saj gjatë votimit në Komisionin amë për imunitetin e Veljanovskit, fajëson kreun e Komisionit Pavle Bogoevski. Komisioni për çështje të imunitetit, në mungesë të anëtarit të BDI-së, kishte votuar me 4 vota “për” dhe 4 “kundër” dhe nuk kishte një propozim konkret për Kuvendin.
ASGJË MBRËMË NUK DO TË NDODHTE NË RAST SE KRYETARI I KOMISIONIT PËR MANDAT DHE IMUNITET NUK DO TË MERREJ VESH ME VMRO-DPMNE-NË, DUKE E PËRJASHTUAR BDI-NË DHE DUKE E BËRË VOTIMIN NË ORA 21 NË MARRËVESHJE MIDIS ATYRE DY PARTIVE DHE PA NA NJOFTUAR NEVE FARE”- THEKSOI ARTAN GRUBI, DEPUTET I BDI-SË.
Bogoevski, nga ana tjetër, sqaroi votimin në Komision dhe ngriti dilema mbi një skenarë të mundshëm koodinimi BDI-VMRO.
KUR VOTOHEJ NË KOMISION UNË NË TRI RASTE KAM TENTUAR TA KONTAKTOJ KOLEGEN MIRSADA EMINI ASANI DHE I DËRGOVA SMS POROSI. AJO DY HERË MA NDALI TELEFONIN. HERËN E TRETË ME SIGURI GABIMISHT E HAPI TELEFONIN DHE 12 SEKONDA HESHTI PARA SE TA NDËRPRESË LIDHJEN. NGA ATËHERË UNË NDALOVA TENTIMIN QË T’I LAJMËROHEM”- THA PAVLE BOGOEVSKI, KRYETAR I KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE TË IMUNITETIT.
Akuzat dhe kundërakuzat hodhën dritë mbi mundësinë e një krize mes koalicionit të shumicës, gjë të cilën disa nga deputetët tërthorazi e pranuan. Përveç mos-heqjes së imunitetit të Veljanovskit, Kuvendi do të njoftojë gjykatën edhe për mos-heqjen e imunitetit të deputetit tjetër të VMRO-së Lupço Dimovski, për të cilën seancë po ashtu kanë skaduar afatet ligjore. Veljanovski gjykohet me akuzën për organizim të 27 prillit, në kohën kur drejtonte seancën konstituive si ish kryeparlamentar.