Presidenti Topi apelon për respektimin e parimeve të demokracisë.
Luigj Shkodrani-Lajme nga Shqipëria 02 maj 2010
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u shpreh sot lidhur me zhvillimet e fundit në vend, duke iu përgjigjur kështu interesimit të gazetarëve për situatën aktuale politike.
Prononcimi i Presidentit u bë në përfundim të takimit të organizuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive:
“Së pari do të dëshiroja t’ju uroja ditën e gazetarit, një ditë që lidhet me ju! Natyrisht që ka shumë komente që ju doni t’i pasqyroni dhe të informoni, por bëni pak kujdes edhe për veten, promovoni veten tuaj!
Përsa i përket asaj që ju pyetët, unë do të pozicionohem parimisht si Kryetar i Shtetit që do ta respektoja gjithçka që respekton parimet demokratike. Ky është një term disi i përgjithshëm, por secili duhet ta gjejë veten këtu, tek kjo shprehje. Pra, gjithçka që është demokratike duhet të aspirohet dhe duhet të aplikohet. Unë uroj që gjithçka të shkojë në normalitet sipas rregullave demokratike që ne i kemi sanksionuar edhe me ligj!”
I pyetur nëse distancohet nga aktet e dhunës së një dite më parë, Presidenti Topi u përgjigj:
“Mos bëni një pyetje, e cila natyrisht konsiderohet retorike dhe e ka përgjigjen! Pra, kur thashë që gjithçka brenda kontureve dhe parimeve demokratike, ju duhet të gjeni shpjegimin këtu”.
Presidenti Topi takon grupin konsultativ për procesin e përzgjedhjes së kandidaturave në Gjykatën Kushtetuese e Gjykatën e Lartë.
3 maj 2010
Presidenti i Republikës drejtoi sot takimin e grupit konsultativ në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për vendet vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
Në fillim të takimit, Presidenti Topi pasi i falënderoi të gjithë anëtarët e grupit të punës për gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës juridike drejt standardeve të njohura e të pranuara për gjyqtarë me integritet të lartë moral e profesional. Presidenti Topi vuri në dukje se “ky është një proces tejet i rëndësishëm dhe jo thjesht formalitet. Ky proces është transparent, thelbësor analitik dhe i shtrirë në kohë.”
Kryetari i Shtetit përsëriti vendosmërinë për përzgjedhjen e kandidaturave më të spikatura profesionalisht. “Në këtë proces do të bëj kujdes të mos zgjedh kandidatura të një profili politik, për t’i dhënë jetë parimit të ndarjes së pushtetit politik nga pushteti gjyqësor e natyrisht pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Këto zgjedhje, do bazohen në dy shtylla thelbësore: integriteti moral e integriteti professional. Procesi do të realizohet në transparencë, objektivitet dhe ekuilibër për të garantuar për të gjithë konsolidimin e shtetit të së drejtës. Dëshiroj të falenderoj të gjithë të interesuarit që kanë paraqitur kandidaturat e tyre në këtë process, i cili ndodhet në fazën e vet përfundimtare!”
Ekspertët ligjorë vlerësuar ecurinë dhe transparencën këtij procesi për përmirësimin e kritereve në përzgjedhjen e kandidaturave për antarë të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë.
Në takim ishin të pranishëm dhe morën pjesë në komunikim me Presidentin përfaqësues të Misionit “EURALIUS” të Bashkimit Evropian, të Pranisë së OSBE-së e të programit “OPDAT” pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë
Fjala e Presidentit Topi në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.
3 maj 2010
Përshendetje të gjithëve,
Së pari ju falënderoj për ardhjen në këtë ditë të shënuar, e cila në fakt është dita juaj! Unë kam pasur rastin që të jem në kontakt me të gjithë ju, në situata nga më të ndryshmet gjatë karrierës sime politike dhe profesionale. Sigurisht që janë me orë komunikimet, që kam preferuar gjithnjë t’i bëj drejtëpërdrejt. Sot me këtë cilësi dhe për të respektuar këtë ditë të shënuar unë e kam formalizuar fjalën time, në respektin e kësaj dite, në respektin e institucionit tuaj dhe natyrisht kjo ditë bëhet edhe më e vlerësuar në një moment të rëndësishëm të Shqipërisë, të jetës së saj, e cila herë pas here edhe komplikohet nga marrëdhëniet që ekzistojnë midis partive politike, por edhe midis atyre që janë në strukturat e institucioneve shtetërore, por edhe të grupeve të interesit, të shtetit dhe të qytetarit, pra, besoj se më mirë se kushdo tjetër jeni ju që i analizoni, i vlerësoni, keni luksin të prononcoheni hapur, sepse shpeshherë njerëzit që janë në strukturat shtetërore dhe subjektet politike ndoshta janë edhe të kondicionuar nga rrethanat, konjukturat dhe nga niveli i demokracisë së brendshme që në ndonjë rast të jenë më të rezervuar për të shprehur mendimin. Aktorët institucionalë duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të ekuilibrojnë jetën e institucioneve, të gjejnë mundësisht atë mesin e artë, apo mesataren teorike. Pra, të gjitha këto që thashë, i thashë për të pasqyruar një realitet që nuk ndodh vetëm në Shqipëri, ndodh kudo, por duke e bërë këtë lloj vlerësimi të karakterit relativ nuk bëj gjë tjetër vetëm vlerësoj misionin e medias, të gazetarëve, të cilët nga ana ime kanë vetëm vlerësim. Gjërat nuk mund të shikohen me lupë. Ndonjëherë njeriu, pavarësisht nga ç’pozicion është mundet që t’i krijohet dhe ndonjë keqardhje e momentit, por ai duhet të dijë ta kalojë këtë moment për të vlerësuar se cili është dominanti. Ndryshe do të bënim vetëm leksione për demokracinë dhe nuk do të ishim konkludues të saj.
Kështu që edhe një herë ju falënderoj për gjithçka që keni demonstruar, por i duhet dhënë jetë atij debati që ndonjëherë mungon, por që tek ju asnjëherë nuk ka munguar! Jeni bërë jo vetëm interpretë të asaj që kërkojnë demokracia, jeni bërë interpretë në mjaft raste të qytetarëve, ndonjëherë jeni bërë interpretë edhe të grupeve politike, kjo është e natyrshme edhe në momente shumë të rëndësishme të jetës së vendit, por ne duhet të vlerësojmë atë që është substanciale tek misioni i medias, misioni i gazetarisë dhe për këtë ju vlerësoj. Ndoshta ndonjëherë unë mund të jem konsideruar sikur e kam tepruar në komunikim me gazetarët e terrenit, ka qenë një komunikim gjithnjë shumë i sinqertë. Asnjëherë gazetari nuk mund të vijë në nivelet më të larta të interpretimit të misionit të tij pa i kaluar disa shkallë dhe kur bëhet vlerësimi për mediat, natyrisht duhet bërë vlerësimi në tërësinë e vet. Gjithmonë ato kanë shansin të kenë sukses kur vetë e konsiderojnë punën e një mediaje të caktuar në ekip. Kështu që unë besoj se edhe sot, ndonëse e kam prononcuar shpesh, nuk e besoj se e kam tepruar duke vlerësuar dhe punën e gazetarëve të terrenit, të cilët tentojnë të marrin gjithmonë lajmin e parë, tentojnë gjithmonë të marrin prononcimin edhe atëherë kur aktorët politikë, apo institucionalë kërkojnë të sillen ndryshe, mundësisht t’i shpëtojnë një prononcimi, apo tentojnë të bëjnë një prononcim të shpejtë dhe të ikin. Kështu që një vlerësim për të gjithë dhe unë po kaloj tani tek fjala ime e formatuar në funksion të kësaj dite.
Të nderuar gazetarë dhe drejtues mediash,
Zonja dhe zotërinj,
Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit kam kënaqësinë e veçantë të përshëndes të gjithë gazetarët shqiptarë kudo që janë, të cilët më shumë se kushdo tjetër kanë ndikuar në zhvillimet demokratike dhe në mënyrën tonë të përditshme të komunikimit.
Pas këtij rrugëtimi njëzet-vjeçar në liri, të gjithë jemi të bindur që media është një vlerë e shenjtë e demokracisë. Kjo bindje përligj interesin e shoqërisë, të institucioneve, organizmave, grupimeve, të vetë insitucionit të Presidentit për t’i shërbyer kësaj vlere, për ta ndihmuar e garantuar atë çdo ditë e më shumë. Shkalla e lirisë së medias tregon shkallën e pjekurisë së demokracisë.
E drejta për lirinë e mendimit dhe shprehjes është një e drejtë themelore, e cila siguron ushtrimin e të gjitha të drejtave të tjera dhe është jetike në forcimin e demokracisë.
Në këto dy dekada sistemi i mediave është plotësuar, falë edhe zhvillimeve të tregut të lirë me investime cilësore teknologjike në industrinë radiotelevizive, apo në shtypin e shkruar.
Gjithashtu një elitë e re profesionale është krijuar dhe tashmë konsiderohet e konsoliduar. Ajo tashmë është konfirmuar profesionalisht dhe ka integritetin e duhur moral. Përgatitjen e kësaj shtrese e ka bërë sistemi i edukimit publik e në vitet e fundit, edhe ai privat, si dhe sistemi i edukimit perëndimor ku një pjesë e mirë janë specializuar dhe më kënaqësi vërejmë një ngritje të nivelit intelektual e kulturor të njerëzve të medias.
Tashmë përvoja e ka dëshmuar e provuar katërcipërisht edhe në Shqipëri postulatin që media është pushteti i katërt. Sigurisht një pushtet jo i zgjedhur, por si i tillë nga marrëdhënia që ai ka me të vërtetën. E vërteta duhet të jetë kufizimi i vetëm i lirisë së medias dhe të gazetarëve si dhe pika e tyre e arritjes. Pushteti që përmendëm është atribut demokratik dhe si çdo pushtet tjetër, atij i kanosen rreziqe të natyrave të ndryshme, teprime apo mediokritete që mund t’ia shpërfytyrojnë natyrën.
Tashmë ne kemi kuptuar pa ekuivok se të gjitha statuset sociale vihen në rrezik kur rrezikohet statusi i gazetarit. Sistemi i mediave në qendër duhet të ketë gazetarin dhe për këtë duhen rregullimet e nevojshme ligjore që e garantojnë këtë marrëdhënie, sepse vetëm kështu ata mund të jenë partnerë të denjë të publikut.
Puna e gazetarit është një kërkim i vazhdueshëm dhe ndershmëria profesionale është guri i themelit për besueshmërinë tonë ndaj tij.
Fuqia e madhe që ata kanë njëkohësisht është edhe përgjegjësi e madhe për të shmangur tundimet për sensacion, për të respektuar të drejtën e individit për privatësi, apo që t’u japin mundësinë atyre që kritikohen publikisht për t’u mbrojtur publikisht në mënyrë që sfera private të mos ngatërrohet me atë publike .
Gazetarët janë dhe mund të jenë akoma dhe më shumë kontribues të dialogut shoqëror, të kulturës së bashkëjetesës me mendimin kritik – shenjë kjo e modernitetit. Partneri nuk është kundërshtar dhe kundërshtari nuk është armik.
Prandaj standardet etike nuk duhet të jenë produkt i rrethanave të rastit, por një vlerë e lartë morale e shoqërisë. Etika nuk është e barabartë me ligjin dhe detyrimet etike nuk janë të ngjashme me rregullat ligjore. Ligji është një detyrim, një cak që nuk mund të shkelet. Ai trajton standardet minimale ndërsa etika sjelljen ideale që dëshirojmë.
Të gjithë përbërësit e shoqërisë duhet të perceptojnë që liria mediatike nuk është vetëm liria politike që kemi fituar, por një tërësi marrëdhëniesh politike e tradicionale, ato me teknologjinë si dhe me nivelin e zhvillimit të shoqërisë.
Marrëdhëniet moderne media-shoqëri nuk konsiderohen të realizuara thjesht në momentin kur shoqëria informohet. Jo, problemi është sa reaguese është ajo ndaj problemeve që media ngre.
Një shoqëri e informuar që hesht e dëmton lirinë mediatike dhe lirinë në tërësi po aq sa një shoqëri e mbyllur që e pengon informacionin.
Aktorët politikë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe të mediave për faktin se një shoqëri e emancipuar dhe demokratike ndërtohet vetëm duke i dhënë përparësi pavarësisë së sistemit mediatik nga politika, një pavarësi maksimale të mundshme.
Realisht kjo fjalë mund të tingëllojë edhe si një estrakt i leksioneve që kurrësesi nuk dëshiroj që të konsiderohet si e tillë, sepse përtej formalizimit të një fjalie, aq më shumë në një auditor me analistë dhe gazetarë shumë të shquar do të ishte e tepërt që, qoftë edhe nga pozicioni im, të kishte mesazhe që tingëllojnë të tepërta për t’u arbsorbuar nga ju.
E kam parë dhe do të vazhdoj ta shikoj, pavarësisht nga pozicioni që unë kam sot, sepse jeta vazhdon pavarësisht nga ai pozicion që ti okupon në një moment të caktuar. Njeriu nuk është e thënë të jetë në një pozicion për të kuptuar dhe për të kontribuar për nevojat e demokracisë. Elita politike gjithmonë do të jenë në lëvizje që është dhe rregulli një i demokracisë, por kemi parë gazetarë, të cilët edhe kur i kalojnë të nëntëdhjetat mbeten pika të rëndësishme reference për një vend, për një komb, për një kontinent, por edhe në nivel global. Kështu që diferenca midis gazetarëve dhe atyre që sot, nesër janë në politikë dhe institucione është një diferencë e madhe. Është një diferencë, sepse të gjithë kontribuojmë në një moment të caktuar në një pozicion, ndërsa ju jeni kontribues të vazhdueshëm. Por, edhe kjo është e kondicionuar nga një binom që duhet ta ketë çdo njeri, nga integriteti, që unë besoj se ju e keni dhe nga profesionalizmi, që besoj që ju e keni arritur dhe do e përsosni.
Edhe një herë duke ju falënderuar për prezencën, duke e konsideruar këtë takim jo vetëm si një ritual të përvitshëm, por të domosdoshëm për të marrë impulse të reja në punën time, ju falenderoj dhe ju uroj ditën e shënuar të gazetarit, të medias që është dhe dita juaj!
Ju falemnderit!
Marre nga faqja e Presidentit.
|
Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e grupit parlamentar të PD
|
|
|
Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e radhës të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij para deputetëve të pranishëm ai u shpreh:
Zonja deputete, zotërinj deputetë!
Sot para jush dua të paraqes dy çështje të rëndësishme. Për njërën ju mund të ndjeheni pak të çuditur, se vërtetë është e pazakontë, por njeriu nuk mund të mos ndajë të mirën me të tjerët. Dhe ajo që unë dua të ndaj me ju, është kënaqësia e Ipad. Ky është kompjuteri që unë kam pritur prej 30 vitesh. Që ditën që në laboratorin ku punoja, ne arritëm të sigurojmë një Apple 2, të Steve Jobs, dhe gjer këto ditë në kërkim të një kompjuteri të tillë, jam përpjekur të siguroj dhe të blejë çdo prodhim që shënonte hapa drejt tij. Dhe këtë e realizoi sërish Steve Jobs. I bën njerëzimit një dhuratë të madhe shumë. Bill Gates, 5 vite më parë, në një editorial të botuar në Herald Tribune, Nju Jork Times, do të paralajmëronte se 5 vitet që vijnë, do të jenë vitet të cilat në fushën e ICT do të sjellin më shumë se 25 vitet e shkuara. Në këtë shkrim fondamental Gates paralajmëronte kompjuterin tablet. Por ëndrrën e Gates dhe të gjithë atyre që pritën me padurim këtë kompjuter që ka përmasat e faqes së një libri, i ka shkrirë në një. Iphone, ipod që transformoi muzikën e botës me dixhitalizimin e saj dhe i dha mundësi njerëzimit të ketë formën më të pastër të muzikës, të regjistruar në formën më të pastër, i shtoi edhe laptopin. Natën që shumë prej jush ndiqnin Interin me Barcelonën, unë ndiqja pasionin tim të vjetër. Mund ta lija, por po familjarizohesha. Mund t’u them se nuk kam patur kurrë në dorë një gjë më të mrekullueshme, më njerëzore, më miqësore, më të sofistikuar se Ipad. Po bëj unë një reklamë tregtare për këtë prodhim të Steve Jobs? Steve Jobs ka qenë idhulli im, për dy gjëra. E para i ka dhënë njerëzimit kaq shumë dhe i dha edhe këtë; së dyti është një hero i vërtetë në luftën kundër sëmundjes. Qëndresa e tij, është legjenda e qëndresës së njeriut ndaj një sëmundje jo të mirë. Dhe kushdo që lexon për të nuk mund të ketë tjetër veçse një admirim të pakufishëm. Kështu që nuk ka të bëjë asgjë me aspektin tregtar, përveçse me vendimin tim që një të mirë mund ta ndajë edhe bashkëpunëtorët dhe qytetarët e mi. Kjo ishte çështja e parë që unë doja të paraqisja para jush.
Çështja e dytë, është një lajm pozitiv që ka të bëjë me ekonominë e vendit. Sot sërish në botë flitet për krizë. Ndoshta jo më globale, por krizë e thellë në vende dhe zona të caktuara. Dhe kjo është një vërtetë e pamohueshme. Për fat të keq kësaj radhe është e përqendruar kryesisht, por të mos thënë tërësisht, në hartën e Evropës dhe në zonën më vitale të saj, që është zona e Euros. Megjithatë ajo që është pozitive, është marrëveshja e fundit, që u arrit mes qeverisë greke, sepse kurrë nuk sheh mirë, nëse një gjë e keqe, apo e rëndë, ndodh te fqinja yt, qoftë ai në shtëpi, qoftë në vend, në çdo rrethanë. Kështu që e kemi ndjekur me shumë vëmendje dhe vazhdojmë të ndjekim zhvillimet të lidhura me borxhin e Greqisë. Por marrëveshja është arritur dhe do ketë një paketë të fuqishme në 3 vjet prej 120 miliardë euro, e cila e shoqëruar me reformat e shpallura nga qeveria greke, do të shënojë kthesën e sigurtë në ekonominë e këtij vendi.
Sot flitet për papunësi dhe ky është një realitet shumë i hidhur. Vendet që për dekada kanë patur papunësi prej 3-4 për qind, apo papunësi fiziologjike siç quhet, thjeshtë çështje përzgjedhje dhe asgjë tjetër, sot e kanë rreth 10 për qind. Rreth 10 për qind është papunësia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 10 për qind është papunësia në zonën më të mëkëmbur të Evropës, që nuk e ka patur ndonjëherë, në zonën e Euros. Nuk ka dyshim se ku cunam i madh financiar botëror, u shoqërua me humbjen e miliona e miliona vendeve të punës. Nuk ka dyshim se në këtë situatë botërore, ekonomia shqiptare do të kishte reperkusionet veta, sepse jo vetëm që jemi pjesë, një segment i vogël i ekonomisë globale, por ekonomitë e vendeve të vogla janë të destinuara, të detyruara, të jenë hiperglobale, më globale shumë herë se sa ato të vendeve më të mëdha. Megjithatë dua të them se në kontrast të plotë me ekonomitë në krizë, është ekonomia shqiptare. Them që i ka ndjerë pasojat, por që është mbajtur dhe që rezistoi me një rritje ekonomike, më të madhe në Evropë, gjatë vitit të kaluar. Dhe që gjatë këtij viti ka disa tregues jashtëzakonisht premtues.
Të nderuara deputete dhe deputetë!
Më lejoni që t’ju njoh me eksportet e 4-mujorit, janar-prill të vitit 2010, krahasuar këto me janar prill të viti 2009.
Eksportet e prillit 2009, kanë qenë 1 milion e 114 mijë tonë të barabarta të 2.6 miliardë lekë për atë çka është “Made in Albania”, kurse në prillin 2010, këto eksperte janë rritur në 1 milion e 163 mijë tonë dhe kanë kapur vlerën 7 miliard lekë, nga 2.6 miliardë lekë. Po është e vërtetë se nga këto 7 miliardë, 2 miliardë janë energji elektrike, por është e vërtetë se edhe pa energjinë elektrike, eksportet “Made in Albania” janë dyfishuar në muajin prill. Në prill të vitit 2010, janë rieksportuar dhe materiale importi 32 mijë e 400 tonë me një vlerë prej 7.5 miliardë lekë, ndërkohë që rieksportet e vitit 2009 kanë qenë 11 mijë e 500 tonë dhe janë 5.2 miliardë lekë, pra ka një shtesë 2.3 miliard lekësh. Në 4-mujor vlera totale e eksporteve nga Shqipëria, për vitin 2010, është 48 miliard lekë; vlera totale e eksporteve nga Shqipëria për vitin 2009, në këtë 4-mujor është gjithsej rreth 30 miliardë lekë. Pra janë afro 180 milionë dollarë më shumë, janë 180 milionë dollarë prodhime më shumë, vende pune më shumë, djersë e derdhur me shumë. Këto zotërinj kanë një kusht themelor për t’u rritur dhe një nga kushtet me themelore është forca e punës, e angazhuar në këtë proces. Ndaj edhe ata të cilët bërtasin se papunësia dhe u fryjnë borive të krizë dhe borive të zisë, dua tu them se pa diskutim krizën dhe zinë, e keni në mendjet tuaja. Është jashtë çdo lloj logjike që të themi që nuk pasqyrohen pasojat e krizës botërore, por nuk ka më të forta se këto statistika. Ata që hedhin gjyq institucionet e statistikave të vendit, le të shkojnë dhe të hedhin gjyq sipërmarrjet që prodhojnë qindra mijëra tonë mallra më shumë se vitin e kaluar. Të mos bëjnë Don Kishotin me Institutin e Statistikave. Instituti i Statistikave të vendit nuk prodhon asnjë statistikë, ai merr të gjitha nga institucionet respektive. Ata që dyshojnë të dhënat e doganave shqiptare për eksportet, le t’u referohen doganave të vendit, ku materialet kanë shkuar. Në qoftë se nuk janë të motos “rroftë kriza, poshtë qeveria”, moto kjo kryekëput e gabuar, çnjerëzore. Kjo është një krizë botërore dhe qeveria ka meritën më të madhe, ndër më të mëdhatë, sepse zbatoi parimet më të ndershme, me solide ekonomike. Kjo qe arsyeja që ajo u pasqyrua, por nuk e rrëzoi ekonominë shqiptare. Të kesh rritje eksporti me 60-70 për qind në vlerë, krahasuar me një vit më parë, me 2009, tregon një dinamizëm, tregon një entuziazëm, tregon një punësim, tregon një besim, tregon një cilësi. Zotërinj deputetë, zonja deputete!
Asgjë nuk sintezon në një këta faktorë së bashku, më shumë se eksporti “Made in Albania”. Ne nuk jemi një ekonomi e udhëhequr nga eksportet; këto nuk kanë ndodhur në parqe industriale eksportesh, do t’i kemi edhe ato dhe është gjë shumë pozitive, këto kanë ndodhur nga gëlimi i ekonomisë shqiptare kudo, në çdo vend.
Ka një tregues tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm, në këtë periudhë dhe ky tregues është rritja e kursimeve. Kursimet janë rritur me 13.7 për qind. Cili është raporti kursime dhe kreditim nga bankat? Kursimet janë 718 miliardë në totalitein e tyre në bankat e këtij vendi, ndërsa kreditë janë 450 miliardë. Në rregullin më të ndershëm dhe më klasik, ky raport duhet të jetë 0.85. Ky raport është 1.6 me sa duket. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që bankat shqiptare, janë ndër bankat më solidet përsa i përket likuiditetit. Nga se erdhi kriza, pasi ishte krizë kredish. Për 100 lekë, institucionet financiare morën aventurën piramidë, duke kredituar 300 lekë, nga 85 lekë që duhej të kreditonin. Pra e çuan drejt stratosferës. Në Shqipëri të nderuar deputetë, disponohen 750 miliardë depozita, janë në kredi gjithsej vetëm 450 miliardë. Pra raporti jo që nuk është 0.85, por as 0.6 nuk është. Është më i shëndetshmi i më të shëndetshmëve. Ndaj dhe dua t’ju informoj ju këtu se politika dhe programi i parashtruar para shqiptarëve do të vazhdojë të zbatohet me përpikmëri. Edhe ngrirja 20 për qind e buxhetit do të zbatohet, nuk e çlirojmë atë. Jo, do të ulim borxhin. Keni dëgjuar ju që flasin për borxh me gjuhën antikapitaliste. Një gjë duhet të dini ju zotërinj: ne borxhin e kemi gjetur 70 për qind e GDP-së, e kemi sjellë në 59 për qind të GDP-së. Kjo është e vërteta absolute. Erdhëm në pushtet dhe gjetëm një borxh 70 për qind. U them këtyre antiglobalëve, pasi këta po e përdorin borxhin, njëlloj si në kohën e Enverit, se na latë me një borxh 70 për qind dhe e sollëm në kulmin e krizës me një borxh 59 për qind. Kjo është e vërteta dhe prapë do ta ulim. Kemi një inflacionin thellësisht të kontrolluar dhe leku, më duhet t’u them kësaj here, se ka qëndruar njëlloj si Skënderbeu. Ritvani të gjitha betejat nuk i bënte ballë për ballë, disa i bënte edhe me krahëmarrje. Është luhatur nga 8-10 për qind, në kohën e një trazire të paparë monetare. Ndaj edhe i garantoj qytetarët se ne e ndjekim me seriozitetin më të madh çdo zhvillim në Evropë dhe në botë, në rrafshin ekonomik, sepse ne jemi parcelë e vogël ekonomisë globale, por nuk jemi ishull. Përkundrazi. Më hiperglobalë se shumë të tjerë, por parimet mbi të cilët ne vendosëm ekonominë bënë që ajo të amortizojë më mirë se çdo ekonomi tjetër cunamin e madh financiar evropian dhe botëror. Me mediat do të kisha folur edhe për një çështje shumë të rëndësishme, por e pata temë të një konference shtypi dhe nuk po ndalem aty. Ju ftoj edhe ju gazetarëve që të blini Ipad, pasi do të ngeleni shumë të kënaqur.
Ju faleminderit!
Marre nga faqja e Kryeministrit.
|
Marre nga Shqip.
| Opozita vazhdon grevën Berisha: Kutitë nuk hapen Policia: Zhbllokoni bulevardin |
![]() |
| TIRANE-Njëzet deputetët grevistë dhe gati 200 mbështetës së tyre kaluan mbrëmë natën e tretë të grevës së urisë në kuadër të protestës të nisur në datën 30 Prill. Gjëndja e grevistëve nis të rëndohet Deputetja Klodiana Spahiu dërgohet urgjent në spital me komplikacione në stomak. Rama sot : “Nuk ndalim protestat” . Berisha: Rama ose ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ose të vijë në komisionin e hetimit të zgjedhjeve.
ORA 16: 30 – TOPALLI VIZITË NË SPITAL DEPUTETES KLODIANA SPAHIU Gjatë vizitës së saj, kryeparlamentarja është konsultuar me mjekët për gjendjen e Spahiut, ndërsa i ka shprehur deputetes mbështetjen e saj. ORA 15: 30- POLICIA LETËR RAMËS: ZHBLLOKONI BULEVARDIN “Nga një vëzhgim i trafikut, i bërë në datën 03.05.2010 nga ora 7:30 deri në orën 10:00, me gjithë punën e bërë për menaxhimin e trafikut nga shërbimet e policisë rrugore, konstatohet se, si rezultat i ndryshimit të regjimit të lëvizjes së mjeteve në qytetin e Tiranës dhe bllokimit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, u përkeqësua ndjeshëm situate e trafikut në 13 segmente rrugore” – citohet në letër. Në letër theksohet, se policia vazhdon të kërkojë ndërhyrjen e kreut të Bashkisë, për të zhbllokuar situatën e rënduar. Ora 14:50 DOKLE: BERISHA SHKELI KUSHTETUTEN 30 HERE Deputeti socialist i cilësoi ftesën e Berishës për dialog “demagogji të radhës” ndërsa PS kërkon hapa konkretë për transparencën e zgjedhjeve. “Të hapen kutitë të shihet maskarada”- kërkoi Dokle në një prononcim për NEWS24 ndërsa shtoi se gjëndja shëndetësore e grevistëve është rënduar ORA 13:00 XHAFAJ: BERISHA PERGJEGJES I KRIZES ORA 12:30- VASILI: SHERBIMI JASHTE CADRAVE “Nuk kemi informacione për kushtet e grevistëve, pasi komunikojmë vetëm me organizatorët e kësaj greve. Shërbimi ynë kryhet vetëm në terren dhe jo në ambientet e brendshme” – deklaroi Vasili Ministri Vasili thekson se shërbimi brenda cadrave bëhet nga vetë Partia Socialiste, por strukturat që ai drejton janë të gatshme të ndërhynë sa herë që iu kërkohet. ORA 12.15 BERISHA: RESPEKTOJ GREVEN, POR KUTITE NUK HAPEN Berisha tha se respektonte të drejtën e opozitës për të hyrë në grevë urie dhe se qeveria kishte “obligim kushtetues për të garantuar lirinë e plotë për të gjitha format e protestave paqësore,” ndërsa në rrafshin njerëzor detyrim mbetej „kujdesi shëndetësor dhe siguria ndaj grevistëve.“ Kryetari maxhorancës tha më tej se ishte i hapur për të biseduar në cdo moment me kundërshtarin e tij politik por që Rama kishte dy opsione: “T’i drejtohet gjykatës Kushtetuese dhe kjo më pas me tagrin e vet ti drejtohet Komisionit të Venecias. Nëse nuk e preferon, të vijë në komision do ketë shumicën në cdo votim për të bërë transparencën e plotë”. Por “ duhet të theksoj se zoti Rama ka ndërmarrë këtë veprim si një përpjekje për të përmbysur vendimet e gjykatavave dhe kjo është në kundërshtim të hapur në themel të një shoqërie të lirë. Vendimet e gjykatava në cdo vend të lirë dhe në interesin më jetik të cdo qytetari edhe të atyre që protestojnë mund të ndryshohen vetëm me gjykata me asnjë mjet tjetër“- tha Berisha duke nënvizuar se “nëse greva kishte të bënte me qeverinë, do ishte zgjidhur cdo gje. Gjatë pyetjeve të gazetarëve kryetari i Qeverisë i kujtoi Ramës se greva që ai po zhvillon „ishte e paligjshme“ pasi po shkelte një nen të Kodit Penal që ndalon bllokimin e qarkullimit.“Mendoj që Rama dalëngadalë të reflektojë“. Duke i uruar shërim të shpejtë deputetes greviste Klodiana Spahiu, e cila gjatë natës u shtrua në spital për shkak të komplikacioneve në stomak, Berisha komentoi: “Historia e vetëflijimeve është histori e gjatë sa vetë njerëzimi dhe secili bën përzgjedhjen e tij, por „po të kishte të bënte me qeverinë, jo me gjykatën do ishte zgjidhur 100 herë por ka të bëjë me gjyqësorin„ Ora 11:00 DEPUTETI GREVIST DOGJANI: QEVERIA TE REAGOJE Ora 10:50 KLOSI:KEMI MBESHTETJEN E QYTETAREVE Ora 10:40 GJERMENI: POLICIA KA RRETHUAR CADRAT E GREVISTEVE Ora 09.59 : RAMA VIZITON SPAHIUN: NUK NDALEMI Ora 09.40- ME PAK POLICE PRANE GODINES SE KRYEMINISTRISE Ora:09:24- RAMA DO VIZITOJE SPAHIUN NE SPITAL USHTARAK Ora 08.30 DEPUTETI GJONI: GREVISTET E LARGUAR DO ZEVENDESOHEN Ora 07:10 GREVA,DEPUTETJA SPAHIU SHTROHET NE SPITAL Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duke folur pasditen e djeshme para protestuesve të grumbulluar në sheshin pranë godinës së Kryeministrisë, tha se kjo betejë nuk është beteja e Partisë Socialiste për të marrë pushtetin, por beteja e një populli të tërë dhe u beri thirrje të përgatiten për të rezistuar deri në fund. |
| PE diskuton krizën para liberalizimit të vizave |
BRUKSEL- Kriza politike dhe cështja e liberalizimit të vizave do të jenë në qendër të diskutimeve në takimin konstruktiv të Parlamentit Europian që sot ka në axhendën e tij Shqipërinë. Komiteti parlamentar i Stabilizim-Asocimit mblidhet në datat 3 dhe 4 maj në Bruksel.
Sipas draftit të programit të punimeve të mbledhjes së parë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, pika e parë e rendit të ditës është adaptimi i punimeve të mbledhjes. Në rend të dytë është përcaktimi i procedurave dhe rregullave të takimit, në rend të tretë, situata e mardhënieve BE-Shqipëri ku përfshihet dhe shkëmbimi i pikëpamjeve të përfaqësuesve të Komitetit, Komisionit Europian dhe Qeverisë shqiptare. Pika e katërt është situata politike në Shqipëri e cila kalon përpara cështjes së liberalizimit të vizave që ndodhet në rend të pestë. Në rend të gjashtë janë zhvillimet ekonomike në Shqipëri ku përfshihen dhe reformat dhe politikat energjetike. Në rend të shtatë, cështja e zbatimit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës, më pas do diskutohet mbi cështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut , në vecanti liria e medias. Në rend të nëntë, përcaktimi i rekomandimeve për Shqipërinë e më pas do të diskutohen cështje të tjera. Ndërkaq konferencapër shtyp është caktuar të mbahet ditën e nesërme. Komisioneri për Zgjerim Fule dhe Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu do të debatojnë mbi cështjet e përcaktuara për Shqipërinë. |
| Berisha: Shqipëria ndjeu krizën, leku qëndroi si Skënderbeu |
TIRANË- Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, Kryeministri Berisha ka deklaruar se Shqipëria e ka ndjerë krizën ekonomike, por nuk është prekur nga ajo sa vendet e tjera. “Kuptohet që në këtë krizë globale edhe ekonomia shqiptare do prekej, se ekonomitë e vogla janë të destinuara të jenë hiperglobale. Në kontrast të plotë me ekonomitë e krizës është ekonomia shqiptare, e ka ndjerë krizën por dhe këtë vit ka disa tregues jashtëzakonisht të mirë ekonomikë” – deklaroi kreu i qeverisë.
Ndër treguesit e mirë ekonomikë Berisha përmendi rritjen e eksporteve, rritjen e kursimeve në bankat shqiptare, uljen e borxhit si dhe qendrueshmërinë e lekut të cilin e krahasoi edhe me Skënderbeun. “Eksportet në prill të 2010 janë dyfishuar, në 4 muaj, 180 mln $ eksporte më shumë se në 2009. Kursimet në banka janë rritur 13.7 %. Bankat në Shqipëri janë ndër më solidet. Borxhi është ulur nga 70% në 59 % të GDP, ndërsa leku mbeti i fortë si Skënderbeu. Në lidhje me krizën që ka prekur vendin fqinjë, Greqinë Berisha u shpreh se “Pakti FMN-BE me Greqinë është pozitiv.” Në fillim të mbledhjes kryeministri nuk ka hezituar të prezantojë edhe komjuterin e tij të ri, bëhej fjalë për një ipad.“Ky është kompjuteri që unë kam pritur prej 30 vjetësh” – u shpreh kryeministri. |
Gjendet pas një viti i vetëvrarë gardiani i paraburgimit të Komisariatit të Beratit. Trupi i pajetë i Foto Buhalit, i cili rezultonte i zhdukur që prej muajit shkurt të vitit të kaluar, është gjetur gati i dekompozuar nga disa fëmijë në lagjen “Kala”
të qytetit të Beratit, në një banesë private të braktisur. Burime zyrtare të Policisë së Beratit bëjnë me dije se rreth orës 11:00 të paradites së djeshme është marrë informacioni për gjetjen e një kufome në lagjen periferike “Kala”. Informacioni i mbërritur në sallën operative ka bërë me dije se kanë qenë disa fëmijë të lagjes, të cilët ishin futur për të luajtur në banesën që nuk jeton njeri dhe në oborrin e pasmë të saj kanë parë mes shkurreve trupin e pajetë të një njeriu. Të frikësuar ata kanë lajmëruar banorët e lagjes dhe më pas policinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni ekspertët e policisë kanë mbërritur në vendin e sinjalizuar. Sipas ekspertëve të policisë, menjëherë pas verifikimit të të dhënave është konstatuar se bëhej fjalë për 53-vjeçarin Foto Buhali, i cili ishte deklaruar i zhdukur prej 14 muajsh. Identitetin e kufomës e kanë pohuar edhe familjarët e 53-vjeçarit. Trupi i pajetë, pjesërisht i dekompozuar, është dërguar më pas në morgun e spitalit të Beratit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore për të mësuar shkaqet e vdekjes së Buhalit. Nga ekspertimi mjekoligjor ka rezultuar se 53-vjeçari, ish-gardian i paraburgimit të Komisariatit të Beratit, i kishte dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me armën e tij të shërbimit. Nga ekspertiza është përcaktuar se shkak i vdekjes ka qenë vetëqëllimi në gjoks me një armë, tip pistoletë. Arma me të cilën 53-vjeçari ka kryer aktin e vetëflijimit, ka rezultuar të jetë pistoleta e tij e shërbimit.
BRUKSEL- Kriza politike dhe cështja e liberalizimit të vizave do të jenë në qendër të diskutimeve në takimin konstruktiv të Parlamentit Europian që sot ka në axhendën e tij Shqipërinë. Komiteti parlamentar i Stabilizim-Asocimit mblidhet në datat 3 dhe 4 maj në Bruksel.
TIRANË- Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, Kryeministri Berisha ka deklaruar se Shqipëria e ka ndjerë krizën ekonomike, por nuk është prekur nga ajo sa vendet e tjera. “Kuptohet që në këtë krizë globale edhe ekonomia shqiptare do prekej, se ekonomitë e vogla janë të destinuara të jenë hiperglobale. Në kontrast të plotë me ekonomitë e krizës është ekonomia shqiptare, e ka ndjerë krizën por dhe këtë vit ka disa tregues jashtëzakonisht të mirë ekonomikë” – deklaroi kreu i qeverisë.