Suroi: Përgatiten bisedime të fshehta mes Kosovës dhe Serbisë
Komuniteti ndërkombëtar po përgatitet për negociata të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të ishin të fshehta, thotë në deklaratën për Televizionin ALSAT-M, publicisti dhe analisti kosovar, përndryshe njohës i mirë i ngjarjeve në Ballkan, Veton Surroi. Sipas tij, rajonit të Ballkanit Perëndimor ende i kërcënohet destabilizimi, kurse Kosova, sipas Surroit, do të ishte burimi kryesor i këtyre proceseve për shkak të status kuos atje.
”Kosova si edhe gjithmonë, madje edhe në situatën e tanishme mund të jetë burim i destabilizimit për shkak të faktit se Serbia me politikën e vet të përzierjes në pavarësinë e Kosovës po kontribuon për destabilizimin e rajonit. Ajo që duhet theksuar është se pritet ndikimi dhe presioni edhe më i madh nga vendet e BE-së dhe SHBA-të për edhe një proces tjetër të fshehtë të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Sikurse edhe çdo proces tjetër edhe ky do t’i ketë rreziqet dhe përfitimet e veta. Duhet të shihet se çka do të ndodh mëtej, por një gjë është e rëndësishme se më nuk është e nevojshme të krijohet situata e ashtuquajtur “konflikti i ngrirë”, thotë analisti Veton Surroi.
Sipas Suroit në këtë moment nuk ekziston asnjë mundësi reale që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian para vitit 2020. Andaj, dhjetë vitet e ardhshme duhet të jetë shfrytëzohen për rregullimin e gjendjes në këtë pjesë të Evropës që filloi me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Për Suroin një rol i rëndësishëm në zgjidhjen e situatës në Ballkan më shumë se kurrë deri më tash duhet ta kenë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë angazhimin e tyre edhe në procesin e zgjidhjes së kontestit për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë.
“Në këtë problem unë shoh një situatë të re. Ai mund të zgjidhet vetëm nëse ka intervenim nga Komuniteti Evropian dhe SHBA-të. Ato me premtimet e tyre ndaj Maqedonisë për anëtarësimin e shpejtë në BE dhe NATO, sipas mendimit tim, do t’i obligojnë të dy vendet që të gjejnë mënyrën që të fillojnë negociata të tjera që do të ishin në nivel më të lartë, ku do të ishin ndërmjetësit e drejtpërdrejtë. Vetëm kështu procesi do të zhbllokohet dhe do të gjendet një zgjidhje e shpejtë”, parashikon analisti Surroi.
Sipas Suroit gjendja katastrofike ekonomike dhe varfëria janë faktor kryesor për gjendjen e brishtë në Ballkanin Perëndimor.
