Sheshi Tajms i Nju Jorkut rihapet pas gjetjes së një autobombe
(E plotësuar) Autoritetet e Nju Jorkut hapën Sheshin Times për makinat dhe këmbësorët, disa orë pas paralajmërimit për vënien e një bombe që i detyroi ata të evakuonin qendrën e argëtimit të qytetit.
Policia largoi sot nga sheshi një makinë ku ishte vënë një mjet shpërthyes, për të cilën Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkël Blumberg tha se do të ishte bërë shkak për një “ngjarje të rëndë vdekjeprurëse”.
Gazeta “New York Times” citon zëdhënësin e policisë së qytetit, i cili tha se kur makina u gjet mbrëmë ishte në fazën e shpërthimit, por nuk funksionoi.
Një ekip për çaktivizimin e bombave u dërgua të kontrollonte fuoristradën, për të cilën zoti Blumberg tha se kishte bombola benzine, fishekzjarre komerciale dhe një sahat.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut thotë se autoritetet nuk e dinë se kush qendron pas kësaj makinebombë, por Byroja Federale e Hetimeve dhe agjenci të tjera po hetojnë çdo informacion që marrin.
Presidenti Barak Obama lavdëroi përgjigjen e shpejtë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut.
Guvernatori i Nju Jorkut, David Paterson, lëshoi një deklaratë, ku e quan incidentin “akt terrorizmi”.
Qendra IntelCenter, një kompani që studjon grupet terroriste, thotë se është shumë shpejt të përcaktohet nëse një grup xhihadist apo ndonjë organizatë vendase qendron pas vendosjes së kësaj autobombe.
* * * * * *
Policia e Nju Jorkut mbrëmë vonë ka evakuar një pjesë të Tajms Skverit në Menheten pasi që një automjet janë gjetur pjesë të bombës që për fat nuk kanë eksploduar.
Policia ka evakuar disa ndërtesa afariste dhe të banimit, ndërsa forcat policore janë vendosur në gjithë këtë pjesë të qytetit, në të cilin rëndom qarkullojnë mijëra turistë.
Agjencia Asoshieted Press citon një zyrtar policor të ketë thënë se në automjetin e llojit “Nisan” kishte filluar të dalë tym dhe se ekspertët në te gjetën shishe të gazit, pluhur, benzin dhe mjet për shpërthim.
Zyrtarët pohojnë se bomba ishte bërë në formë “amatore”, por se është hetuar një person që në çastin e shpërthimit të tymit me shpejtësi ka braktisur automjetin.
Presidenti amerikan ka lavdëruar reagimin e policisë amerikane dhe ka premtuar mbështetje e forcave federale.
Tajms Skver gjendet në pjesën e Nju Jorkut ku ka qarkullim të madh dhe është rreth 6 kilometra nga vendi ku ishte Qendra Tregtare Botërore, që u rrënua në sulmet terroriste të 11 shtatorit.
Gadishmëri e lartë
Agjencitë e sigurimit në SHBA kishin disa kohë që ishin në gjendje gadishmërie të lartë nga kërcënime brenda dhe jashtë vendit.
Ka patur një seri incidentesh dhe komplotesh terroriste në Nju-Jork që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.
Katër persona ishin në gjyq vitin e kaluar për rolin e tyre në një komplot për t’i vënë bombën një sinagoge.
Në shkurt, një imigrant afgan, Najibullah Zazi pranoi se ishte fajtor në komplot për të shpërthyer bomba në sistemin e metrosë të Nju-Jorkut.
Gjithashtu ka patur një seri kërcënimesh kundër Presidentit Obama nga ekstremistët në SHBA.
