Kërcënohet Myslim Pashaj: 'Do përfundosh si Trebicka..'“Edhe ti si Trebicka do përfundosh o tellall. Paret që të ka dhënë Edi Rama do t’i marrësh me vete në varr, se ditët të numëruara i ke”.
Ky është vetëm një nga mesazhet që kolonel Myslym Pasha, profesori i hartografisë, i njohur si denoncues i Paktit Detar me Greqinë, ka marrë në adresën e tij në Facebook dhe në telefonin celular.
Mesazhet janë dorëzuar prej javësh në organet përkatëse, por deri më tani nuk ka asnjë ecje përpara me hetimet. Profesor Pasha ka preferuar të hesht për to, për të mos shqetësuar në veçanti familjarët e tij, megjithëse rrethi i ngushtë i miqve të kolonelit ka qenë në dijeni të tyre që në kohën që u dërguan.
Pas angazhimit publik në mbrojtje të intergritetit territorial të vendit, qeveria në detyrë e kryeministrit S.Berisha, zhvilloi një fushatë denigruese ndaj z.Pasha.
Gazeta e PD, “Rilindja Demokratike”, e quante Pashën “pensionist të lajthitur” dhe “folklorist”. Ajo botonte në faqe të parë foto ku hartografi i moshuar shfaqej duke kënduar me grupin polifonik të Mallakastrës.
Vetë S.Berisha, në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” në ditët e fundit të vitit të kaluar e etiketoi profesor Pashën si “sharlatan”.
Lexoni gjithashtu edhe -Doli nga shtypi libri ” Deti që nuk falet” i Kolonel (R) Prof. Myslim Pashaj.
Një libër për Paktin Detar

Doli nga shtypi libri ” Deti që nuk falet” i Kolonel (R) Prof. Myslim Pashaj, i cili i përcillet lexuesit me trajtesa dhe përfytyrime të cilat zgjojnë një interes të veçantë.

Kush do të ishte ajo shtysë dhe prej kujt drejtimi do të vinte? Kush do të ishte ajo erë që do të frynte? Një bashkësi e tërë, për herë të parë do të njihej prej tronditjejes që do t’i sillte Pakti Detar, dypalësh Shqipëri-Greqi. Ky libër na sjell përballjen dhe sfidat: (1) për të takuar Ligjin e Detit dhe (2) për të kundërshtuar një Padrejtësi që ishte bërë në të Drejtën Ndërkombëtare.

Kuptimësia e saktë dhe implementimi dypalësh diplomatik, do të vihej në tavolinë, për të kënaqur interesat e ndërsjellta por edhe drejtësinë e Ligjit të Detit. Sfida bëhej edhe më e madhe, sepse këtu kishim të bënim me një fushë me shumë dimensione që përfshinte në vete shumë nënfusha të tjera. Aty kish kufij historikë, jurisprudencë, marinë detare, oqenografi, pasuri nënujore si naftë e gaz, peshkim, arkeologji, projekte të transportit të energjisë në brigjet Apenine, gjeologji, gjeografi, mjedis dhe në tërësi interesa kombëtare.

Qeveria mori një grusht të befasishëm, megjithate, ajo me buzëqeshje cinike, e hodhi poshtë, me sharje, përbaltje, pëbuzje dhe një besim të plotë se gjithçka ishte një sajesë, e ndërtuar dhe frymëzuar nga armiqë politikë, kur në të vërtetë kishim të bënim me Ligjin e Detit, dhe ndërjen e kufijëve detarë. Ky ishte një projekt profesional në tri fusha : (I) Diplomaci (II) Ligji i së Drejtës Ndërkombëtare Detare dhe (III) Hartografi. Del tanimë e qartë se për tri këto fusha aktorët shqiptarë ishin të papërgatitur, e në të gjithë krahët, po kaq të tronditur.

Kjo ndodhi sepse autori i këtij libri dhe i studimit përkatës u paraqit jo thjesht si një roja i interesave kombëtare, por si një roja i profesionit, i kulturës dhe formimit të tij. Kjo ishte pak a shumë e pazakontë, për një mjedis shqiptar kur shumë institucione studimore, janë kredhur në një gjumë letargjik të frikshëm. Në këtë vështrim, ky libër, është vijim i një vepre që u mbrojt para një auditori me një ndjeshmëri të lartë, por edhe që mbriti deri në kullën Rojtare të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Aty u mbyll perdja e kësaj shfaqeje duke u dhënë verdikti, për një drame e cila ishte luajtur nga aktorë shqiptarë, që kishin qënë në fund, të gjithë humbës, duke ekspozuar për herë të parë në historinë e Ligjit të Detit, se si brenda një shteti, lozte absurdi i madh, i erozionit që e prodhonte vetvetja shqiptare.

Autori, për herë të parë paraqet një përvojë të re se ligjet ndërkombëtare janë një instrument i diplomacisë, por që mund të ndërthuren të dyja: politika dhe ligji ndërkombëtar. Është konsideruar si diçka heretike që të quhej përcaktimi i kufijëve detarë, vetëm si një sfidë diplomatike.

Botimi ” Deti që nuk falet” ruan një përpjestim të lakmueshëm të shkencës së hartografisë që i shërbeu implementimit të ligjit, me vet Ligjin e Detit, duke u bërë për herë të parë, një lëndë, e cila ra në duar të një drejtësie të vërtetë, si Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e cila me vendimin e saj nuk ruajti vetëm të Drejtën Detare Shqiptare, por në radhë të parë, tiparin thelbor të parimësisë së lartë, duke mos e lënë atë të përlyhet, si jo rrallë, ka ndodhur në Shqipëri.

Në libër do të gjeni studim, përjetime publiçistike, esse intervista të cilat e bëjnë atë të larmishëm dhe të lexueshëm nga një lexues i gjerë. Teksa del botimi ” Deti që nuk falet” i Prof. Myslim Pashës, që rrëfen, atë betejë të pabarabartë, ne s’kemi si rrijmë si ndoca spektatorë të përhumbur, por si pjesë e mitit dhe e mbijetesës së racës sonë, gjejmë në të dinjitetin kombëtar që qeveria shqiptare, për shkaqe që s’është vendi t’i analizojmë, nuk e ruajti dot.

Botimi i tanishëm i Pashajt është pjesë e shpirtit tonë të qëndresës, në rrugën e gjatë të progresit, në integrimin Europian dhe Botëror, si pjesë edhe e trashëgimisë sonë që nuk mungon.

Libri është botuar me kontributin financiar të avokatit Alban Mësonjësi, gazetarëve Adrian Thano e Mero Baze dhe ish-zv.shefit të Shtabit të Ushtrisë, Armand Vinçani. Ai do shpërndahet nga Shtëpia Botuese MAX.