image
 Armatimi i sekuestruar dje në katër bunkerë.

Pjesëtarët e forcave speciale të policisë kanë zbuluar edhe një tjetër bunker me sasi të mëdha armësh dhe municioni në afërsi të Bllacës pranë kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës. Sipas MPB-së gjatë ditës së sotme janë sekuestruar granata, minahedhës ‘Zola’ dhe pushkë snajper, ndërkohë që forcat policore po vazhdojnë të kontrollojnë terrenin. Ndërkohë në kazermën Ilinden në Shkup, ministrja e brendshme Gordana Jankullovska prezentoi armatimin që u sekuestrua në 4 bunkerë gjatë ditës së djeshme, po në këtë rajon.
“Bëhet fjalë për një aksion të kryer në mënyrë profesionale nga ana e njësive speciale të MPB-së ku u sekuestrua një sasi e madhe armatimi ku ka më shumë armë të vjetra, por edhe armatim me datë më të re prodhimi. Bëhet fjalë për numër të madh granatahedhës, mitraloza kundër avionëve, janë zbuluar dy topa të palëvizshëm, një pushkë snajper, shumë pushkë automatike, mbi 100 bomba dore, mbi 80 kilogram eksploziv, Tritol, eksploziv plastik, 114 granata për granatahedhës, mina anti-tank. Ajo që është karakteristike, është se për herë të parë janë sekuestruar mina anti-këmbësorie, të cilat janë hequr nga përdorim prej dekadash… asnjë ushtri në Botë nuk i përdor, janë prodhimit kinez”, deklaroi Gordana Jankullovska, ministre e Brendshme.
Jankullovska tha se në bazë të armatimit të sekuestruar bëhet fjalë për grup ekstremist që nuk kishte për qëllim veprimin në territorin e Maqedonisë, por në tërë rajonin.
“Bëhet fjalë për grup ekstremist, qëllimi i të cilit nuk ishte vetëm Republika e Maqedonisë por ka për qëllim veprim në rajonin më të gjerë. Nga këtu nuk ka arsye për shqetësim, policia ka kontroll të plotë në tërë territorin e Maqedonisë dhe çdo herë kur është e nevojshme do të reagojmë në mënyrë më të ashpër, dhe do të dërgojmë përsëri porosi të qartë se asnjë lloj dhune nuk mund të tolerohet”, shtoi ministrja Jankullovska.
Jankullovska tha se policia e Maqedonisë dhe ajo e Kosovës po bashkëpunojnë për të zbuluar anëtarët e këtij grupi.

Shkëlzen Aqifi