Ministri Limaj: Unë nuk do të jap dorëheqje
“Unë nuk do të jap dorëheqje, do të vazhdojë me detyrat”, tha Limaj. “Unë personalisht nuk kam qenë i hetuar dhe nuk kam qenë i njoftuar
Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit Fatmir Limaj tha se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje. “Unë nuk do të jap dorëheqje, do të vazhdojë me detyrat”, tha Limaj. “Unë personalisht nuk kam qenë i hetuar dhe nuk kam qenë i njoftuar”, tha Limaj.
Unë do të vazhdojë detyrat e mia të përditshme dhe detyrat e mia dhe projektet e filluara. Ky është një zhvillim normal. Sot e gjithmonë jam në dispozicion të realizimit të detyrave, në këtë rast edhe hetuesisë, mekanizmave prokurorial. Pushtetet janë të ndara, ata kanë punën e tyre ne tonën. Do të vazhdojmë të mbështesim ligjin. Ne jemi këtu për të ndihmuar të gjithë ata që duan ndihmën tonë. Unë do të vazhdojë me detyrat e mia. Ne jemi thellësisht të përkushtuar në zbatimin e ligjit. Mendoj se ka ardhur koha të shkojmë në shtëpi, tash është vonë. Për mua është me rëndësi që të vazhdojë dhe do të ndihmojë në çdo rast kur kërkon ndihmën”, tha ndër të tjera në deklaratën e tij, Fatmir Limaj, në një takim me gazetarë, pak orë para orës 23.00, pak minuta pasi ka përfunduar ndeshja gjysmfinale, Barcelona – Interi, në garën për Kampinonin e Evropës, për të cilën gjë u ka kërkuar falje gazetarëve që kishin mbetur pa e parë ndeshjen, duke e pritur ministrin.
Kjo ishte deklarata e ministrit Limaj teksa përpiqej të fshihte emocionet dhe brengën e tij për procesin kaq transparent të hetimit të tij, të përcjellë nga forca masive policore, të cilat kanë hetuar shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës, banesa të familjes Limaj dhe vetë Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, nga ku janë parë të nxjerrin materiale të shumta
Ministri Limaj dhe as kryeministri Hashim Thaçi nuk kanë marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të ministrit të Jashtëm të Italisë, Franko Fratini. Gjatë kësaj kohe kryeministri Thaçi është takuar me ambasadorin amerikan Kristofer Dell. Gjatë ditës deri në orët e vona është takuar edhe kryesia e PDK-së, si dhe kryeministri Thaçi është takuar me ministrat e PDK-së, takim në të cilin më vonë ka prezantuar edhe ministri i Kulturës Lutfi Haziri, i vetmi nga ministrat e LDK-së.