BDSH-KOMUNIKATË
Politika arrogante e Qeverisë Maqedonisë ka tensionuar në ekstrem raportet ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni. Si rezultat i tensioneve të këtilla është krijuar një situatë eksplozive ku edhe shkëndija më e vogël mund të ndez zjarrin me pasoja të pa parashikueshme.
Bashkimi Demokratik Shqiptar përshëndet deklaratën e përbashkët të Misioneve të BE-së, të NATO-s, të OSBE-së dhe SHBA-ve në Shkup dhe kërkesën e qarte që ”të gjitha palët të dyfishojnë përkushtimin e tyre ndaj harmonisë ndër-etnike dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të shkaktojë tensione”.
Montimi i proceseve gjyqësore të diktuara nga partitë politike në pushtet, që është denoncuar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, tani është fakt i pakontestueshëm edhe nga të gjitha forcat politike në Maqedoni.
Nuk mjafton të konstatohet ajo që shqiptarët e kanë përjetuar në lëkurën e tyre. Ulja e tensioneve dhe revoltës së shkaktuar nga kjo logjike e diktatit politik mbi gjyqësinë mund të bëhet vetëm me lirimin e menjëhershëm të të gjithë të dënuarve në këto procese, ndërprerjen e menjëhershme të proceseve të hapura nga ky diktat, riparimi material dhe moral i të dëmtuarve …
Prandaj, autoritetet shtetërore duhet të shpallin amnistinë e menjëhershme për këtë kategori të dënuarish për të dëshmuar se kanë kuptuar momentin kritik për të ulur tensionet;
Qeveria e Maqedonisë duhet të ndërpres krijimin e historisë së vet artificiale në kurriz të historisë tonë kombëtare dhe zhdukjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoni;
Qeveria e Maqedonisë duhet të anulojë menjëherë vendimin për t’u imponuar nxënësve shqiptar mësimin e gjuhës maqedonase nga klasa e parë fillore;
Qeveria e Maqedonisë duhet menjëherë të heqë dorë nga Projekti “Skopje 2014”;
Qeveria e Maqedonisë duhet menjëherë të heqë dorë nga zhvillimi i politikës dhe projekteve monoetnike dhe monofetare, dhe të ruaj diverzitetin multietnik të shtetit;
Qeveria e Maqedonisë duhet të heqë të gjitha format praktike të diskriminimit racial që aplikon ndaj shqiptarëve;
Kemi bindjen e plotë se vazhdimi me arrogance i logjikës luftënxitëse (ndëretnike dhe ndërfetare) në vend dhe politikës izolacioniste të VMRO-së në relacion me institucionet euro-atlantike nuk do të gjejë mbështetjen e asnjë force politike të demokracive perëndimore.
Bashkimi Demokratik Shqiptar udhëhiqet nga parimi se problemet politike duhet të zgjidhen përmes mjeteve politike. Ata që I fryjnë zjarrit, në fund të fundit, do të digjen vetë në te.
Bashkimit Demokratik Shqiptar
Bardhyl Mahmuti
28 prill, 2010