Premtimet për të pasur një fund pozitiv nga Gjykata Supreme për Sopotit kanë bërë që pesë të burgosurit për këtë rast të ndërpresin grevën e urisë. Samet Lutfiu për gazetën agjencinë e lajmeve “INA” ka theksuar se greva është ndërprerë pas premtimeve të bëra nga ana e deputetëve të BDI-së, Hajrulla Misini dhe Tahir Hani si dhe Avokatit të Popullit, Ixhet Mehmeti se Gjykata Supreme do të marrë vendim pozitiv pas shqyrtimit të raportit të komisionit parlamentar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut që përfshin fakte dhe dëshmi për pafajësinë e sopotasve.

“Vendosëm që të ndërpresim grevën, pasi deputetët e BDI-së dhe Avokati i Popullit premtuan se Gjykata Supreme do të marrë vendim pozitiv lidhur me konkluzat e komisionit parlamentar për Sopotin. Presim edhe këtë vendim. Jemi ka shpresojmë se do të ketë vendim pozitiv, por të shohim”, theksoi Samet Lutfiu.

Lidhur me rastin e Sopotit janë alarmuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shkup, të cilëve u ka rënë në duar raporti 200 faqesh i komisionit parlamentar dhe se ata gjithashtu rekomandojnë zgjidhje pozitive për të mbyllur këtë proces, i cili është konsideruar i montuar nga politika shqiptare, por edhe sektori joqeveritar.

Deputeti i BDI-së, Tahir Hani ka theksuar për “INA” se greva e urisë ka sensibilizuar dhe mobilizuar të gjitha palët që ky rast të trajtohet seriozisht. “Janë krijuar parakushtet që sistemi gjyqësor të merr vendim për përsëritjen e rastit. Jemi në pritje të vendimeve dhe mekanizmave juridike që do të marrin parasysh gjitha ato dëshmi të komisionit”, ka theksuar deputeti i BDI-së. (INA)