Rama prezanton flotën e re të autoambulancave: 3 mijë jetë të shpëtuara, nuk janë thjesht taksi!
Gjatë prezantimit të ‘Flotës së re të autoambulancave”, kryeministri Edi Rama publikoi disa shifra, ku sipas tij, janë 3 mijë jetë njerëzish të shpëtuara nga shërbimi i Urgjencës Kombëtarë
Rama tha sot se Urgjenca Kombëtare sot është autonome dhe është shndërruar nga një shërbim i degraduar, në një shërbim që garanton pa diskutim asistencën bazë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Kemi dyfishur investimet në shëndetësi. Tashmë urgjenca është një sistem tërësisht autonom. Urgjenca përgjigjet në kohë reale për rastet e pacientëve dhe njerëzve që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Tashmë 50% e shërbimeve jepen direkt në banesë. Gjithashtu kemi dyfishuar edhe personelin e urgjencës. Uniformat e standartizuara të urgjencës nuk janë fasadë, por standard. Nuk vjen më urgjenca me pallto dhe pardesy. Janë 52 autoambulanca të reja që i janë shtuar flotës së urgjencës. Kemi një urgjencë mjekësore që është realisht në punë, 24 orë. Kemi 3 mijë jetë njerëzish të shpëtuara nga shërbimi i Urgjencës Kombëtarë. Për kazanët kjo nuk përbën lajm”.
Rama tha se personeli i urgjencës sot është i dyfishuar. “Kemi 448 mjekë e infermierë më shumë e personel mbështetës. 49 mijë njerëz shqiptarë e të huaj janë shërbyer në qendrat shëndetësore turistike nga qershori deri në shtator.
Shifrat sot janë 900 thirrje në ditë, të cilat shkojnë direkt përmes sistemit të kompjuterizuar në veshin e urgjencës kombëtare.
Çdo shërbim sot regjistrohet online, ndërkohë që koha e ndihmës së parë është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme. Akoma më e rëndësishme, 50% e shërbimit është e përqendruar në banesa falë gatishmërisë së personelit të urgjencës”, tha Rama