Luigj Shkodrani-LAJME NGA SHQIPËRIA

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare dyditore në vendin tonë.
Presidenti Topi, pasi i uroi mirëseardhjen zotit Hyseni dhe delegacionit shoqërues, shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, të cilat mund të konsiderohen si model i bashkëpunimit konstruktiv dhe moderacionit në rajon, në përputhje me dëshirat dhe aspiratat tona të përbashkëta për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
Presidenti Topi vlerësoi maturinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në kapërcimin e sfidave të ndryshme, konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike si dhe arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare sidomos përsa u përket rritjes së numrit të njohjeve ndërkombëtare nga sa më shumë shtete

.
Në vijim të bisedës me Ministrin e Jashtëm Hyseni, Presidenti Topi vuri në dukje se “përkushtimi i dy vendeve tona ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike përbën një platformë të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.” Në këtë kuadër, Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi “sidomos bashkëpunimin parlamentar, që është tepër jetik, veçanërisht atë mes komisioneve të ndryshme ligjore për të bërë të mundur sinkronizimin dhe harmonizimin e legjislaturës, me synim edhe përafrimin me legjislacionin evropian.”
Duke shprehur vullnetin për një zhvillim më intensiv të marrëdhënieve të gjithanshme, sidomos atyre ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës, Presidenti Topi përshëndeti nënshkrimin e kontratës midis Qeverisë së Kosovës dhe firmës Bechtel-Enka për fillimin e autostradës Morinë-Merdarë, e cila, së bashku me funksionimin e plotë së shpejti të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, do t’i japë dimensione të reja bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal.
Të dy personalitetet e larta ndanë të njëjtin mendim përsa i përket orientimit të qartë dhe të ardhmes së sigurtë euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit pa përjashtim të bazuar mbi një bashkëpunim të frutshëm e konstruktiv.
Gjithashtu, Presidenti Topi inkurajoi përpjekjen e Qeverisë së Kosovës duke shprehur vullnetin se “Shqipëria mbështet fuqimisht të gjitha përpjekjet e institucioneve kosovare për të realizuar reformat e nevojshme që do t’i mundësonin Kosovës t’i bashkohet pjesës tjetër të rajonit në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst i bashkohemi mendimit se edhe Kosova duhet të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave, në mënyrë që në Ballkan të mos mbeten ‘njolla leopardi’ përsa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve.” – theksoi më tej Presidenti Topi
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, pasi falënderoi për pritjen e rezervuar nga Kreu i shtetit, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për ndihmesën dhe përkrahjen e mbarë shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij, që ia kanë lehtësuar shumë punën Kosovës në kapërcimin e sfidave, me të cilat i është dashur të përballet.
Zoti Hyseni përshkroi gjithashtu punën e deritanishme të Ministrisë së Jashtme që ai drejton, procesin e suksesshëm të njohjes nga gjashtëdhjetë e gjashtë shtete të pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se Kosova është optimiste dhe krenare për gjithçka që ka arritur deri tani.
Në takim ishin të pranishëm edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Selim Belortaja si dhe dy Ambasadorët e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë respektivë në Prishtinë e Tiranë: Islam Laukaj dhe Gazmend Pulaj.
 
Marre nga faqja e Presidentit
 
Kryeministri Berisha pret ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës Skënder Hyseni
  
 

 
Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Jashtëm të Kosovës, zotin Skënder Hyseni. Duke vlerësuar arritjet e mëdha të Kosovës, Kryeministri Berisha theksoi se Kosova është shndërruar tashmë dhe po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një faktor thelbësor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Në këtë kontekst, zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë dhe në veçanti, pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë nivelin e lartë të standardeve demokratike, të arritura në Kosovë.
 
Ministri Hyseni e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli përshëndetjet e Presidentit Sejdiu, Kryeministrit Thaçi.
 
Ministri Hyseni i shprehu urimet më të ngrohta e vëllazërore Kryeministrit Berisha për dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar këtë një ngjarje historike e madhore për Shqipërinë, por edhe për mbarë kombin shqiptar, një akt për të cilin jemi të gjithë krenar.
 
Ministri Hyseni e informoi Kryeministrin Berisha për fillimin e punimeve për pjesën e rrugës së kombit që kalon në Kosovë dhe e falënderoi edhe një herë për kontributin e tij për realizimin e veprës madhore të kombit, rrugës Durrës-Kukës-Morinë.
 
Në takim u diskutua për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer e të gjithanshëm mes të të dy vendeve në të gjitha fushat, në veçanti për promovimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, në fushën e energjisë si dhe bashkëpunimit rajonal dhe në kuadër të integrimit europian dhe atë euroatlantik. Kryeministri Berisha vlerësoi se është e rëndësishme që të dy vendet të ndërmarrin hapat për studimin e fizibilitetit për një projekt të dytë madhor që do të zgjeronte lidhjet midis tyre, por edhe mbarë rajonin, ndërtimin e linjës hekurudhore midis dy vendeve.
 
Në fund të takimit, ministri Hyseni u shpreh se për të, si edhe për çdo qytetar të Kosovës është një nder dhe kënaqësi e veçantë të takohet me Kryeministrin Berisha dhe të ketë rastin t’i shprehë atij mirënjohjen për kontributin e tij personal dhe të qeverisë shqiptare për gjithçka kanë bërë për Kosovën.

20/04/2010
 
Marre nga faqja e Kryeministrit
 
 
Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllime Kryeministrit të Kinës, z. Wen Jiabao, për pasojat tragjike të tërmetit të rënë në Provincën Qinghai
 
Kryeministri Berisha, me anë të një telegrami, i ka shprehur ngushëllime Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, z. Wen Jiabao, për pasojat tragjike të shkaktuara nga tërmeti i rënë në 14 prill,  në Provincën Qinghai.
 
Në këtë telegram, Kryeministri Berisha shkruan:
 
“Shkëlqesi,
 
Me hidhërim të thellë mësova lajmin për pasojat tragjike të shkaktuara nga tërmeti i rënë në datën 14 prill,  në Provincën Qinghai. Me këtë rast, dëshiroj që në emër të Qeverisë shqiptare t’ Ju transmetoj, Shkëlqesi, ngushëllimet e mia më të sinqerta për viktimat dhe dëmet materiale të shkaktuara si pasojë e këtij tërmeti.
 Me lejoni t’ju siguroj se Qeveria dhe populli shqiptar i gjendet pranë Qeverisë dhe popullit mik të Republikës Popullore të Kinës, duke ndarë dhimbjen që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore dhe t’ Ju shpreh ndjenjat më të ngrohta të solidaritetit dhe ngushëllimet më të sinqerta për të afërmit e viktimave.
 
Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
 
Sinqerisht Juaji,

Sali Berisha”
 
 
Marre nga faqja e Kryeministrit
 
Darka, Berisha: Pesë arsyet e takimit me Fatos Nanon

 
   Valentina Madani
 
image

 Kryeministri “Duke takuar Nanon, respektova të majtën shqiptare”
Kryeministri Sali Berisha vendosi ta rishfaqte tek shqiptarët dhe ta rikthente në skenën politike ish-kreun e PS-së, Fatos Nano, duke i njohur atij meritat e pamohueshme të kauzës së integrimit të vendit. Një takim i tillë mes dy ish-kundërshtarëve të fortë që kanë ditur të nënshkruajnë edhe marrëveshje historike në çaste të vështira për Shqipërinë, vjen pikërisht në momentin më solemn, atë të dorëzimit në Bruksel të pyetësorit që i hap rrugën shqyrtimit të statusit të Shqipërisë për vendin kandidat për në BE. Sipas Berishës, takimi me Nanon erdhi 20 vite pas darkës së përbashkët në Trieste. Duke folur për rrugëtimin e tij të gjatë, Kryeministri Sali Berisha, pas kthimit nga Brukseli ku dorëzoi përgjigjet e pyetësorit për Shqipërinë, zbardhi mbrëmë arsyet e ftesës për darkën vjeneze me z. Nano. Përmes një konference të gjatë për shtypin, ku të pranishëm ishin edhe stafi kryeministror dhe dy ministrat Lulzim Basha dhe Majlinda Bregu, kreu i qeverisë e quajti ish-kundërshtarin e dikurshëm politik “liderin historik të socialistëve”, me një rol të rëndësishëm në integrimin e Shqipërisë. “Në Vjenë ftova liderin historik të së majtës në takim, i cili kishte disa arsye për të më takuar, nuk mund të anashkaloja pa e takuar Fatos Nanon në këtë moment historik për vendin”, – deklaroi Berisha. Sipas tij, ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, ka merita të mëdha, pasi themeloi një parti të re, ktheu Partinë e Punës në Partinë Socialiste, ndërsa shtoi se gjithmonë marrëveshjet e tij me Nanon kanë qenë në të mirë të vendit. “Lideri i opozitës ka meritat e tij që askush nuk mund t’ia mohojë. E çmoj atë, pasi e ktheu Partinë e Punës së Shqipërisë në Partinë Socialiste, nga një parti e një njeriu, në një parti evropiane, e anëtarësoi PS-në në Internacionalen Evropiane. Të gjitha marrëveshjet me Nanon kanë qenë me karakter integrues, për të mirën e vendit. E vlerësoj, pasi e mbajti premtimin që në rast mosfitoreje do jepte dorëheqjen, duke vendosur një standard në politikën shqiptare. Duke takuar Fatos Nanon, kam shprehur respekt për të majtën shqiptare në të gjitha proceset integruese në vend”, – sqaroi publikun Kryeministri i vendit. Z. Berisha pohoi më tej se në një moment historik për Shqipërinë, siç ishte dorëzimi i përgjigjeve të pyetësorit, nuk mund të anashkalonte takimin me liderin historik të së majtës shqiptare përgjatë rrugës së gjatë me makinë nga Brukseli drejt Tiranës. “Nuk mund ta anashkaloja Fatos Nanon pa e takuar në këtë moment historik për vendin. Lideri historik i së majtës shqiptare, pavarësisht se ku ndodhet, ka meritat e tij dhe askush nuk mund t’ia mohojë”, – sqaroi Berisha për takimin, i cili zgjoi kërshërinë e gjithë opinionit publik fundjavën që sapo kaloi. Më tej, Berisha tha: “Ishte pikërisht Fatos Nano ai që e mori Partinë e Punës së Shqipërisë të kryesuar nga një njeri për 50 vjet me radhë dhe e ktheu atë në një parti që e zgjodhi kryetarin edhe anëtar të thjeshtë, siç ishte ai vetë. Nano e anëtarësoi Partinë Socialiste në Internacionalen Socialiste, ndërsa në vitin 2005, ai me një qëndrim dinjitoz, mbajti fjalën që u kishte dhënë mbështetësve të tij se do të dorëhiqej pas humbjes, duke dhënë një standard të qytetëruar të politikës shqiptare”, – u shpreh z. Berisha. Kryeministri bëri të qartë se duke takuar Nanon, ka shprehur respekt për të majtën shqiptare në proceset integruese të vendit dhe prandaj e quan për detyrë të bëjë transparencën e këtij takimi, i cili zhvillohej në një darkë, 20 vjet pas darkës së përbashkët në Trieste. Pavarësisht kundërshtive që ka pasur me ish-kryetarin socialist, Berisha deklaroi në mënyrë të qartë se marrëveshjet e tij me z. Nano i kanë shërbyer vendit dhe interesave të Shqipërisë. “Është e vërtetë se kundërshtitë e mia me Nanon kanë qenë të panumërta, por marrëveshjet tona i kanë shërbyer të mirës së vendit, siç i shërbeu marrëveshja me Ramën integrimit tonë në NATO”, – theksoi z. Berisha. Për rishfaqjen e tij në skenën politike Berisha vijoi më tej duke thënë: “Fatos Nano, dua unë apo jo, është lideri historik i së majtës shqiptare. Dhe e majta shqiptare është një realitet madhor i politikës në Shqipëri. Në takimin me Nanon kishte respekt pikërisht për këtë”. Kurse marrëveshja e përfolur 20-vjeçare mes tij dhe Nanos, sipas Berishës, mbetet vetëm një trillim.
20/04/2010
 
Marre nga Standart
 
 
Pengmarrja e autobusit, policia zbardh detajet 
 
 Pengmarrja e  autobusit, policia  zbardh detajet
 
TIRANE- Të moshuar, gra dhe fëmijë kanë kaluar minuta të tëra në panik dhe frikë pa e ditur se gjithcka do përfundonte fatmirësisht pa të lënduar gjatë pengmarrjes së autobusit të linjës Tiranë-Sarandë.
Ngjarja zë fill në Fratar të Ballshit pak pas mesditës, aty ku zakonisht autobusët e linjave të gjata ndalojnë për të pushuar. Sipas pasagjerëve të autobusit me targa Sarandë 4911 B, autori i identifikuar si Eduard rexhepi nga Patosi i ka kërkuar drejtuesit të automjetit ti mundësojë udhëtimin deri në Kakavijë.
Drejtuesi i autobusit i ka thënë 32-vjecarit të presë sa të gjithë të mbarojnë drekën ndërsa autori është irrituar duke rrëmbyer celësat e shoferit e duke nisur autobusin me shpejtësi.
Por ka mjaftuar një gabim teknik, pasi ai i ka dhënë mjetit pa caktivizuar frenat e dorës dhe autobusi ka nisur të marrë flakë, situatë të cilën pasagjerët e tregojnë të shokuar. Gjatë rrugës autobusi është aksidentuar dhe me një automjet duke e përplasur në rrezik, drejtuesja e së cilit tregon se e ka ndjekur autobusin derisa ai ndaloi tërësisht.
Pasi ka humbur shpresat se nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje tjetër, 32-vjecari Eduard rexhepi ka braktisur autobusin që kishte marrë flakë dhe është larguar, duke lënë derën hapur.
Pasagjerët e mbetur aty brenda kanë përfituar duke dalë nga automjeti dhe duke i shpëtuar flakëve që përfshinë të gjithë autobusin, ndërsa policia arrestoi autorin e kësaj pengmarrje, e cila fatmirësisht zgjati vetëm një segment rrugor prej 20 km në më pak se gjysëm ore.
Burime të policisë së Fierit kanë zbardhur së fundi dëshminë e pasagjerëve, autorit dhe shoferit të automjetit. Policia tregohet e rezervuar për dëshminë e autorit të kësaj ngjarje ndërsa pohon faktin se ai ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Policia konfirmon se Rexhepi nuk ka qenë i armatosur dhe se ai vuante nga probleme mendore.
Shoferi i autobuzit ka rrëfyer në polici gjithë ngjarjen, kur ai është ballafaquar për herë të parë me pengmarrësin në lokalin në Fratar dhe deri momentin kur ka parë se si 32 vjecari ka rrëmbyer autobuzin dhe ka ecur me ata pasagjerë që ishin brenda tij.
Pasagjerët ndërkohë kanë pohuar në Policinë e Fierit se gjatë gjithë rrugës autori i grabitjes së autobusit u thoshte se nuk kishte asgjë me ta dhe qëllimi final ishte që ai të shkonte në Kakavijë.

(e.n/News24/Balkanweb)
 

 
Shkodër 1280 ha nën ujë, Basha: Situata e rënduar
 
Shkodër 1280 ha nën ujë, Basha: Situata e rënduarTIRANE–
KESH: Shkarkimet nga HEC-et deri ne oren 16:00
Ora 17:20- Shkarkime nga të gjitha HEC-et kryesore në vend, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në Fierzë, Koman e Vau i Dejës. KESH bën të ditur gjendjen e shkarkimeve nga HEC-et kryesore të vendit deri në orën 16: 00.

Të dhënat e fundit të KESH flasin për një nivel uji rreth 296. 63 m, duke u rritur me 1 metër nga paraditja. Prurjet në Fierzë arrijnë në kuotën 1160 m kub/sek, ndërsa derdhjet janë 710 m kub / sek. Shkarkimet vazhdojnë edhe nga liqeni i Komanit, kështu niveli në Koman ka arritur në 173. 9 metra, prurjet janë në kutotën 282 m kub/sek, ndërsa shkarkimet janë 900 m kub/sek.

KESH bën të ditur edhe situatën për liqenin e Vaut të Djesë, ku edhe këtu kanë filluar shkarkimet. Niveli i ujit këtu arrin kuotën 75.68 m, ndërsa prurjet arrijnë në 200 m kub/sek. Deri në orën 16: 00, nga Vau i Dejës po shkarkohen rreth 1500 m kub ujë në sekondë.

Ministri Basha: Situata ne Shkoder emergjente. mbi 1 280 ha nen uje. Nisem evakuimet

Ora 14:30
-Ministri i Brendshëm Lulzim Basha bëri të ditur se situata në Shkodër paraqitete emergjente për shkak të përmbytejeve. Shtabi i Emergjencave ka nisur evakuimet e banorëve nga fshatrat qe rrezikohen nga rritja e nivelit te ujit. 

Në këto orë të pasdites numërohen plot 1 280 ha tokë, nderkohe qe paraditen e sotme METE deklaroi se ishin permbytur 500 ha. Ndër zonat më të rrezikuara ashtu si dy herët e kaluara, paraqitet fshati Obot, Dajc.

Ministri Basha tha se situata po precipitohet “Situata në Hidrocentrale është e rënduar. Fierza është në nivelin 296. 62 m, duke u rritur me 5 cm, nga niveli që u raportua paraditen e sotme. (kuota maksimale është 296 metër)- deklaroi Basha. Në një panoramë të situatës së përmbytjeve, Basha tha se në harkun e Bërdicës, pjesë e aksit Shkodër- Tiranë, niveli i ujit ka arritur në 10 cm mbi asfalt. Fshati Obot është izoluar nga uji dhe rruga nuk mund të kalohet as nga mjetet e mëdha. Janë marrë masa për të vënë në dispozicion mjete lundrimi”.  Uji ka arritur dhe në periferi të Shkodrës, në lagjen Ajasëm.
Janë marrë masa nga rezervat e shtetit për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm dhe ushqime të banorëve të prekur nga përmbytjet.

Permbytjet ne Shkoder, 500 ha nen uje

Ora 11: 30-Përkeqësohet situata nga përmbytjet gjatë natës në zonën e Nënshkodrës dhe Lezhës duke risjelle ne kujtese permbytjet e Janarit e Shkurtit.

Muharrem Stojku drejtori i Koorporatës Elektroenergjetike deklaron se shkarkimet nga tre hidrocentralet në kaskadën e Drinit kanë shkaktuar 500 ha tokë të përmbytura në zonën e Shkodrës.
“Niveli i ujit arrin në 10-30 cm, ndërsa uji nuk ka hyrë në banesa” deklaroi sot paradite Muharrem Stojku në një konferencë për shtyp nga godina e METE.

Pamjet e ofruara nga korrespondetja e NEWS 24 në Shkodër Eliona Kodra faktojne toka të përmbyta dhe deshmi te banoreve ne fshatin Berdice, te cileve uji ka hyre ne banesat e tyre.

Në harkun e Bërdicës, pjesë e aksit Shkodër- Tiranë ka prezencë të ujit, Gjithashtu nen uje eshte dhe rruga që të con në Bërdicën e Sipërme, dhe në fshatin Obot.

Rruga që lidh komunën Ana e Malit me qytetin është e bllokuar nga uji për automjetet e vogla. Ushtria ka marrë masa për vënien në dispozicion të mjeteve lundruese për lëvizjen e banorëve.

Ministria e Ekonomisë, Telekomunikacionit dhe Energjetikës pranoi sot paradite se rreziku i përmbytjeve ishte evident pasi të dhënat e orëve të fundit në kaskadën e Drinit ishin shqetësuese.

“Nga ora 12 e natës prurjet kanë ardhur duke u rritur prurjet në Fierzë janë 1550 metër kub, nga 1600 qe jane kuotat  maksimale”- deklaroi zv ministri i Energjetikes, Leonard Beqiri. 

METE ka njoftuar ministria e Brendshme për të marrë masat si dhe pushteti vendor për të njoftuar popullatën për rrezikun e përmbytjeve.

Ora 09. 49 Permbytje gjate nates ne Shkoder dhe Lezhe
Përkeqësohet situata nga përmbytjet gjatë natës në zonën e Nënshkodrës dhe Lezhës duke risjelle ne kujtese permbytjet e Janarit e Shkurtit. Pas hapjes së portave të shkarkimit në HEC-in e Fierzës dhe si shkak i reshjeve te fundit me intensitet, në Shkodër janë përmbytur 280 ha sipërfaqe tokë bujqesore, ndërsa niveli i ujit ka pësuar rritje me rreth 30 cm. Situata paraqitet e pa ndryshime dhe në këto orë të paradites.
Redaksia e TVNews24 në Shkodër referuar të dhënave nga shtabi i emergjencës njofton se më serioze paraqitet në fshatin Arren ku 6 banesa rrezikojnë seriozisht përmbytjen dhe në komunën Ana e Malit ku është dëmtuar rëndë nënstacioni i pompave duke lënë banorët e zonës pa ujë të pijshëm për orë të tëra.

Ndërkohë prezencë uji por pa bllokim rrugësh janë vërejtur mëngjesin e sotmë në Obot. Po kështu edhe në komunën Dajç, një pjesë e fushës në fshatin Dragushë është e mbuluar me ujë. Fatmiresisht rruget jane ende te kalueshme ne zona.
Edhe pse argjinaturat jane perforcuar qe pas permbytjeve te Janarit e Shkurtit, uji po shfaqet frikshem ne zone pasi Drini dhe Buna jane tejfryre ne shtreterit e tyre.

Lezhë
Por jo vetëm zona e Nënshkodrës po vuan pasojat e përmybtjes për të disatën herë këtë vit. Shirat e rrëmbyeshëm kanë kthyer dhe në Lezhë të njëjtën situatë të muajit Janar e Shkurt. Situata me problematike ka qene në lagjen “Skanderbeg” ku uji ka depërtuar në ambientet e nje shkolle 9-Vjecare duke sjellë ndërprerjen e mësimit . Te rrethuara nga uji ne kete lagje dhe dy banesa.
Gjithjë sipas informacionit të marrë pranë shtabit të emergjencës civile në prefekturën e Lezhës, mësohet se probleme nga reshjet e shumta të shiut janë krijuar në fshatin Grykë Manati, si dhe në fshatin Zejmen dhe Markatomaj, të komunës së Zejmenit, ku disa banesa gjenden në prezencën e ujit. Problem paraqet edhe rruga automobilistike, aksi i vjetër Lezhë-Milot, për shkak të mbetjeve inerte që kanë sjellë përrenjtë.
Ndërsa, përsa i përket dy rretheve të tjerë të Qarkut të Lezhës, burimet në fjalë bëjnë të ditur se në rrethin e Kurbinit rrugët janë të kalueshme dhe nuk paraqesin probleme. Ndërsa, në rrethin e Mirditës të gjitha akset rrugore janë të kalueshme dhe nuk paraqesin probleme, si dhe nuk ka patur probleme të furnizimit me energji elektrike.
(d.b/s.g/m.a/BalkanWeb)

Starton nesër edicioni i pestë i Tirana Music Festival
 
Starton nesër edicioni i pestë i Tirana Music FestivalTIRANE- Starton nesër edicioni i pestë i Tirana Music Festival, ku do të perfmormojnë muzikantë të njohur vendas e të huaj, si dhe artistë të rinj të cilët kërkojnë të afirmohen në tregun shqiptar.
Aktiviteti organizohet nga Akademia e Arteve në Tiranë, në bashkëpunim me Akademinë e Muzikës Internacionale në Perugia, falë ndihmës së Institutit Italian të Kulturës.
Përgjatë një jave të aktivitetit, do të organizohen masterklase, koncerte, bashkëpunime dhe shkëmbime mes grupeve italiane dhe atyre shqiptare, si dhe do të jepen bursa studimi për muzikantët e rinj shqiptarë.
Drejtorët artistik Marsida Koni dhe Piero Vincenti, gjatë promovimit të aktivitetit, u shprehën mjaft optimistë për suksesin e tij, dhe premtuan një pjesëmarrje edhe më të gjerë nga ajo e vitit të shkuar.

Aktivitetet e Tirana Music Festival:
21 prill ora 19:00 -Salla e Akademisë së Arteve, interpreton orkestra e frymës ‘Big Band’ e Akademisë së Arteve, me dirigjent Fatos Qerimin
25 prill- Koncert i pjesëmarrësve të Masterave TMF
26 prill- Gran Gala e Profesorëve
27 prill- Universiteti Kristal, Koncert i i pjesëmarrësve të Masterave TMF
28 prill- Në mbështetje të projektit FAO dhe nën kujdesin e veçantë të Presidentes së Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptar,’ znj.Liri Berisha , koncert i violinistes Anila Kraja.
29-prill- Koncert përmbyllës në Teatrin Kombëtar.
(e.n/BalkanWeb)