Deputeti, Nait Hasani ka bërë një kallëzim penal kundër ish punëtorëve të sistemit komunist jugosllav

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i burgosuri poltik, Nait Hasani, bëri të ditur për mediet se ka bërë një kallëzim penal kundër ish punëtorëve të sistemit komunist. Këtë padi e ka dorëzuar në prokurorinë vendore dhe atë të EULEX-it. Bashkëpunëtorët e regjimeve të huaja antishqiptare që akuzon se kanë bërë krime kundër njerëzimit në periudha të ndryshme kohore, që nga viti 1945 e deri në fund të vitet e 90-ta janë Fadil Hoxha, Sinan Hasani, Dushan Mugosha, Ali Shukriu, Rexhai Surroi, Imer Pula, Veli Deva, Xhevdet Hamza, Xhavit Nimani, Sahit Zatriqi, Mehmet Maliqi, Mehmet Shoshi, Jusuf Karakushi, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, Remzi Kolgeci, Rrahman Morina, Jusuf Zejnullahu, Hashim Rexhepi, Metë Kuçi, Mehmet Lumi, Hasan Mehmeti, Ibush Kllokoqi, Nazmi Mustafa, Xhemshit Gjuriqi, Hazër Susuri, Nikë Lumezi, Miftar Jasiqi, Hilmi Zhitia, Rexhep Haxhimusa dhe Vesel Latifi. Deputeti, Nait Hasani tha se kjo listë në ditën e ardhshme do të vazhdojë edhe më tutje.

Nait Hasani ka deklaruar me këtë rast se këta persona janë pjesëmarrës të masakrës së Tivarit, të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të Byrosë informative të njohur si Goli Otokut, të shpërnguljes masive, ose aksionit të armëve në kohën e Rankoviqit dhe mbështetës të politikës së Rankoviqit për shpërnguljen e 250 mijë shqiptarëve për në Turqi, po ashtu janë pjesëmarrës të ngjarjeve të viteve 1968, 1981, 1990 e tutje. Ai ka kërkuar me këtë rast distancim nga krimet e komunizmit nga të gjithë, duke përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës, i cili sipas tij, duhet që me një rezolutë të distancohet nga krimet e këtij sistemi. Shumë prej të përmendurve në listën e deputetit Hasani më nuk janë në jetë dhe për ta ai thotë se duhet të ketë një dënim moral, ndërkaq ata që janë sot në pozita nëpër pushtet, duhet të deklarohen për krimet e bëra dhe të japin dorëheqje morale. Hasani e ka bërë këtë kallëzim penal në mënyrë individuale, mirëpo nuk e përjashton mundësinë që të ketë padi të tjera nga Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. (Zhurnal)