image

 Gruevski e vlerëson si të arsyeshme dhe të pjekur deklaratën e djeshme të partnerit të tij të koalicionit, Ali Ahmetit, se nuk do të largohet nga Qeveria nëse edhe deri në qershor nuk zgjidhet problemi rreth emrit me Greqinë. Sipas Gruevskit, largimi nga qeveria nuk do të zgjidh problemet shumë vjeçare, por dialogu dhe bisedimet e pranueshme janë zgjidhja e vetme.
“Largimi i kujtdo nga Qeveria nuk do të zgjidh problemet tani më 20-30 vjeçare. Duhet të ulemi në bisedime të arsyeshme që të gjejmë zgjidhje, kjo është edhe në fakt ajo çfarë bëjmë. E jo të bëjmë akrobacione politike duke hyrë, dalë, me kërcënime apo presione, prandaj kjo është një deklaratë mjaft e pjekur”, deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski. 
Ndërsa sa i përket kërkesës për aplikimin e votimit të dyfishtë në Gjykatën kushtetuese, Gruevski edhe një herë theksoi se kërkesa e Ahmetit është larg asaj që parashikon Marrëveshja e Ohrit.
“Unë para disa ditësh u deklarova lidhur me kërkesat e caktuara që erdhën sa u përket ndryshimeve në Kushtetutë dhe që nuk kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Ohrit, në fakt janë shumë larg Marrëveshjes së Ohrit. Prandaj nuk do ta përsëris të njëjtën edhe një herë ”, shtoi kryeministri Gruevski.
Ndryshe, dje Ahmeti tha se BDI do insistojë për aplikimin e Bandenterit në Gjykatën Kushtetuese, sepse gjithçka nuk është e parashikuar në detaje në Marrëveshjen e Ohrit. Sipas tij ky ndryshim është i domosdoshëm për rritjen e besimit të shqiptarëve te ky institucion dhe që mos të përsëritet fati i njëjtë që pësoi ligji për përdorimin e simboleve kombëtare.
Semra Jakupi