SKANDALOZE-Me vendim arbitrar të ministrit,mbyllet Qendra Kulturore e Kosovës në Malmö
Bordi i Qendrës Kulturore së bashku me komunitetin shqiptarë në Suedi, shpreh indinjatë të thellë, pakënaqësi dhe e kundërshton në tërësi vendimin e minstrit të Diasporës, Dardan Gashi për mbylljen e kësaj Qendre.
“Është vendim i pakuptueshëm, arbitrar dhe qëllimkeq karshi diasporës. Nuk i dimë arsyet dhe nuk e kuptojmë fare ligjshmërinë e vendimit. Për këtë arsye pyesim njëzëri përse u vendos kështu?! Cilat janë arsyet?
Kundërshtimet tona bazohen në punën që kemi bërë prej se Qendra u shpërngul në Malmö. Ministri ka deklaruar se QKK kanë dështuar, e kjo nuk është aspak e vërtetë për QKK në Suedi. Nuk kishte datë, ngjarje historike shqiptare që nuk e kemi shënuar, përkujtuar ashtu siç është dashur brenda kësaj kohe sa ka funksionuar Qendra. Janë festuar festat kombëtare, janë përkujtuar datat historike, janë përuruar vepra e ekspozita dhe janë organizuar programe muzikore shqiptare e suedeze. Qendra Kulturore në Suedi ka pritu bashkëkombës nga shtete të ndryshme Skandinave, albanologë të huaj, diplomatë suedezë e danezë, përfaqësues të ambasadave e konsullatave tona, si dhe dashamirës të kombit e kulturës shqiptare në përgjithësi. Qendra Kulturore e Kosovës në Suedi ka ftuar e mirëpritur sidomos fëmijë të shumtë shqiptarë të diasporës, mësues, studentë shqiptarë e suedezë, ata fëmijë që sot e mot do të jenë vazhdimësi e qenies shqiptare dhe trashëgimisë sonë në Diasporë.
Të gjitha aktivitetet tona kulturore janë mirëpritur dhe janë dokumentuar në mjetet e komunikimit në Kosovë, si në RTK , gazeta e portale të ndryshme dhe në faqen e Qendrës në Facebook .
Ministria e Diasporës që nga themelimi i Qendrës Kulturore në Suedi nuk është treguar serioze. Ministria emëron e shkarkon drejtorë pa kriter, sipas qejfit e pëlqimeve individuale e private. Duke vepruar kështu ajo nuk ka menduar fare për çështjen kulturore, punën dhe traditën kulturore të krijuar me mund në këtë Qendër. Për ne, në Suedi nuk janë relevante dallaveret e njerëzve, zyrtarëve të kësaj Ministrie me njerëz të caktuar këtu në Suedi e atje në Prishtinë. Relevante, jetike për ne është puna, angazhimi i sinqertë i njerëzve tanë në Qendër e jashtë saj, vazhdimësia, kultura, bashkimi e bashkëpunimi i komunitetit tonë.
Vendimi i Ministrisë së Diasporës për të suspenduar aktivitetin tonë, pa paralajmërim, pa shpjegim, pa arsyetim, për ne është lojë e fëlliqur dhe një veprim i ulët i kësaj Ministrie.
Rreth shqetësimeve të komunitetit tonë në Suedi
Ministria e Diasporës nuk ka vepruar mirë as në Halmstad (kur u themelua së pari Qendra), nuk ka bërë mirë as tash me vendimin e vet për Qendrën këtu në Malmö. Nuk është përfillur fare komuniteti ynë, e do të duhej se në fund të fundit për ne është themeluar Qendra. Apo ndoshta, po del se është themeluar për nevojat e dikujt e interesat e ngushta të disave.
Vendimi vret punën tonë, dëshirat e mira të te gjithëve, aspiratat e vullnetin e treguar për ta ruajtur kulturën tonë, për të tubuar rreth kulturës e identitetit tonë kombëtarë njerëzit tanë, fëmijët tanë.
Suspendimi është skandal.
Me këtë vendim dëmtohet komuniteti ynë në tërësi, jo vetëm drejtori. Dëmtohen gjeneratat tona të reja, fëmijët e Kosovës, ata fëmijë që për ditë e për natë padiktueshëm i nënshtrohen asimilimit.
Përhirë të kulturës sonë, Qendra duhet të funksionojë, pavarësisht konjukturave, qëllimeve të ulëta, pështjellimeve e dyfytyrësive të disave në Prishtinë.
Me një vendim të tillë arbitrar (arbitrar-sepse nuk dimë se çka është bërë keq apo çka s´është punuar) shkelet kontributi ynë, gjaku ynë, djersa jonë, lufta jonë.
Për ne është nënçmuar Qendra Kulturore nga dikush, ajo Qendër ku ne jemi tubuar, kemi festuar e jemi çmallur.
Të shfrytëzohet mundësia e pjesëmarrjes në një tubim të paralajmëruar në Halmstad me deputetë të Parlamentit të Kosovës. Para tyre të shtrohet pyetja përse suspendohet puna e Qendrës Kulturore në Suedi?
Të organizohemi më mirë, të fuqizohet puna e bordit kulturor dhe të pamundësohet veprimi i kujtdo qoftë që të luajë me ne, me punën tonë.
Të bëhet publik halli ynë si Qendër në mjetet e komunikimit masiv në Kosovë.
Të stopojmë të këqijat e mundshme të deritashme, të analizojmë punën tonë dhe të marrim përgjegjësitë për të ardhmen.
Të kërkohet analizë e plotë për arsyen e suspendimit nga Ministria e Diasporës . Përse është bërë ky suspendim?
Të kontaktohen mediat në Kosovë dhe të sqarohen punët”, thuhet në një reagim të QKK-së në Suedi.
Ndërkaq, ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka raportuar ditë më parë në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë ku edhe ka paraqitur Ligjin për Diasporën.
Ai ka thënë se duhet të bëhet një televizion publik për diasporën, por kjo të bëhet bashkërisht me Shqipërinë dhe të mos këtë kosto. Sipas tij, Qendrat Kulturore nëpër diasporë të hapen bashkërisht me Shqipërinë.
“Sa i përket amendamentimit të ligjit ekzistues për Kosovën, Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës ka bërë një marrëveshje gjithëpërfshirëse sa i përket diasporës. Ideja që qendrat kulturore kanë gjetur dështim, ju pata thënë që do të mbyllen dhe janë mbyllur. Ideja është që tash me Shqipërinë këto qendra të jenë të përbashkëta. Që të krijohet një ligj gjithëpërfshirës dhe adekuat propozimi ynë është që të kemi debate publike të përbashkëta në diasporë që ta diskutojmë draft-ligjin”, ka thënë ai.