“Ministria e Kulturës jo vetëm që nuk ndihmoi në sigurimin e mjeteve për përmendoret e këtyre personaliteteve, por ende vazhdon të na ngacmojë kinse i kemi vendosur pa leje, kurse për projektin ‘Shkupi 2014’ ndahen me miliona euro për përmendore të personaliteteve të cilët as që i takojnë kombit maqedonas”, tha Xhemi Hajredini, udhëheqës i sektorit të kulturës në komunën e Strugës.

Përderisa ministria e kulturës mbështet projektin “Shkupi 2014”, në të cilin janë parashikuar me qindra përmendore dhe buste të personaliteteve maqedonase, në komunat shqiptare jo që nuk investohet, por edhe ato që janë bërë deri më tani konsiderohen ilegale nga ana e ministrisë së kulturës. Në komunën e Tetovës nga ana e komunës është ndërtuar përmendorja e Naim Frashërit, për të cilën nuk ka ndarë mjete financiare ministria e kulturës. “E vetmja përmendore e personaliteteve shqiptare në Tetovë është ajo e Naim Frashërit, e cila është ndërtuar në kohën kur kryetar i komunës ishte Murtezan Ismaili. Ndërsa për ndërtimin e kësaj përmendoreje u kujdes komuna e Tetovës, e cila ndau një pjesë të madhe të mjeteve për ndërtimin e saj si dhe me ndihmën e qytetarëve u realizua ky projekt”, tha Bardhyl Zaimi, nga sektori për informim i komunës së Tetovës. Gjithashtu edhe në qytetin e Dibrës, të gjitha përmendoret të cilat deri më tani janë ndërtuar janë bërë falë komunës dhe qytetarëve të këtij qyteti. “Në qytetin e Dibrës janë ndërtuar gjithsej tre përmendore edhe ato të Skënderbeut, Josif Bagerit dhe Sait Naidenit, të cilat u mundësuan nga komuna e Dibrës dhe organizatat joqeveritare”, tha Ylli Mirzo, shef i kabinetit të komunës së Dibrës. Ndërkaq, në komunën e Çairit në Shkup, kohë më parë u realizua vendosja e përmendores së Skënderbeut, e cila gjithashtu nuk u financua aspak nga Ministria e Kulturës. “Sigurimi i vendit, punimet të gjitha janë kryer nga ana e komunës, kurse Ministria e Kulturës jo vetëm që nuk ndihmoi aspak në anën financiare, por deri në momentin e fundit ishte kundër vendosjes së kësaj përmendoreje në lokacionin në të cilin ndodhet tani”, tha Avni Kallaba, zëdhënës në komunën e Çairit. Gjithashtu edhe qyteti i Strugës hasi në vështirësi gjatë vendosjes së përmendoreve të personalitetve Ibrahim Temo dhe Dervish Hima. “Ministria e Kulturës jo vetëm që nuk ndihmoi në sigurimin e mjeteve për përmendoret e këtyre personaliteteve, por ende vazhdon të na ngacmojë kinse i kemi vendosur pa leje. Gjithashtu donim që ta vendosim edhe përmendoren e Nuri Mazarit, i njohur si Komandant Struga, por u kritikuam ashpër nga Ministria e Kulturës dhe nga ndërkombëtarët”, tha Xhemi Hajredini, udhëheqës i sektorit të kulturës në komunën e Strugës. Ai gjithashtu shtoi se përmendoret e këtyre rilindësve të buzë Drinit nuk figurojnë në regjistrimin e monumenteve andaj vlerësohen si përmendore ilegale nga ana e Ministrisë, kurse për projektin “Shkupi  2014” ndahen me miliona euro për përmendore të personaliteteve të cilët as që i takojnë kombit maqedonas. Si duket Ministria e Kulturës e diskriminon kulturën shqiptare, ngase asnjë përmendore e ndonjë personaliteti shqiptarë në Maqedoni nuk është e financuar nga ky institucion, duke përjashtuar përmendoren e Nënës Terezë në Qendër të Shkupit, e cila gjithashtu u vendos për arsye të ndryshimit të identitetit nga ana e maqedonasve. (natyra grubi)

Gostivari pa asnjë përmendore shqiptare

Në qytetin e Gostivarit nuk ka fare përmendore të personaliteteve të shquara shqiptare. “Shumë herë ka pasur iniciativë nga ana e qytetarëve dhe e vetë komunës, por projektet tona asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga ana e Ministrisë së Kulturës”, tha Shemije
Elezi, zëdhënëse e komunës së Gostivarit.