Eurodeputet: 'Moszgjidhja e emrit çon drejt destabilizimit'
Maqedonia rrezikon destabilizimin nëse nuk zgjidh së shpejti kontestin e emrit me Greqinë. Kështu për emisionin EUROFOKUS që do të emetohet sonte në orën 21 e 30 në Alsat kanë deklaruar eurodeputetët Zoran Taler dhe Jorgo Shacimarkakis. Në Maqedoni jeton popullsi e konsiderueshme shqiptare por edhe minoritete tjera këtë fakt qeveria duhet ta ketë parasysh ka deklaruar eurodeputeti slloven Taler . Sipas tij shumica gjegjësisht qeveria është ajo që mbanë përgjegjësinë dhe që duhet marrë vendime të rëndësishme për të mos lejuar destabilizimin e vendit . “Do ti bëja thirrje sërish të gjithë politikanëve të përgjegjshëm, që të mos harrojnë, se çfarë pasojash mund të kenë mbi të tjerët ç‘do gjë që ata po bëjnë. Këtu unë nuk po flas thjesht për problemet mes pozitës dhe opozitës apo gjëra të tilla, por në vend kemi një popullsi të rëndësishme shqiptare dhe minoritete të tjera, dhe ç‘do vendim politik, në qeveri, në parlament e kështu me radhë, duhet ta marrë mirë parasysh këtë fakt. Jo vetëm prej Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, por sepse kjo është, ashtu siç unë e besoj fort, faktori kryesor i stabilitetit në Maqedoni. E nëse kjo gjë nuk respektohet, Maqedonia rrezikon një destabilizim tjetër. Ne e dimë se çfarë ndodhi atje 9 vjet më parë dhe është me të vërtetë e rëndësishme të parandalohen përkeqësime të këtij lloji në zhvillimet e marrëdhënieve ndëretnike. Dhe sigurisht që për këtë, shumica, qeveria vetë, ka përgjegjësinë më të madhe. Nuk është minoriteti që mund të vendosë e kështu me radhë, por është shumica ajo që po i respekton apo që nuk po i respekton të drejtat e minoritetit. Dhe këtu duhet të arrihet ekuilibri i duhur”, deklaroi Zoran Thaler, eurodeputet. “Më duhet të them se kemi ende një situatë të mirë. Por, të gjithë personat dhe politikanët përgjegjës, e siç thatë dhe ju, njerëzit në Shkup, por unë mendoj se edhe ne kemi këtu një përgjegjësi për të kuptuar se kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Dhe këtë gjë duhet t’jua themi juve, por edhe kolegëve tanë këtu. Në këtë moment ne duhet me të vërtetë të preokupohemi për situatën që kemi tani dhe të bëjmë gjithçka mundemi për ta ruajtur këtë shoqëri multietnike si një model për pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit. Pasi ka vende ku nuk funksionon kaq mirë dhe ne e dimë të gjithë këtë. Prandaj kjo situatë është e ndjeshme, pra le të heqim qafe çështjen e emrit, sa më shpejt të jetë e mundur, pasi kjo më pas do të hapë mundësinë për të vazhduar me modernizimin e shoqërisë edhe në këtë çështje”, deklaroi Jorgo Shacimarkakis, eurodeputet.