Argumentet “historike” serbe dhe situata aktuale
Nga Bardhyl Mahmuti-Me rastin e vdekjes së Alain Ducellier-së
Më 29 shtator të këtij viti vdiq historiani i shquar francez Alain Ducellier (Alen Dyselie). Studimet e tij përfshihen në mbi dyzet vepra kushtuar periudhës së Mesjetës dhe veçanërisht botës bizantine. Nga tërësia e veprës së çmuar të këtij bizantologu po shkëpus dy paragrafë që më duken tepër interesante për situatën tonë aktuale.
Në veprën e titulluar “Shqipëria midis Bizantit e Venedikut”, botuar në Londër në vitin 1989, Alain Ducellier shkruan: ““Ekziston rreziku i përdorimit të argumenteve “historike” në mbështetje të së drejtës së një populli për të sunduar territoret që i ka humbur apo ku ka mbetur pakicë… Kur shohim me çfarë këmbëngulje përdoren argumentet historike për të dëshmuar se serbët kanë një të “drejtë” mbi Kosovën, banorët më të vjetër të së cilës paskëshin qenë para se të shpronësoheshin nga shqiptarët, nuk do të ishte keq të tregohet se edhe një herë historia dhe situata aktuale përputhen (…) Të gjitha punimet më të reja nga fusha e linguistikës dhe arkeologjisë dëshmojnë se ilirët janë pa asnjë dyshim paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Secili e di se sllavët janë populli indo-evropian që më së voni kanë ardhur në Evropë, sepse vala e pushtimeve të tyre shtrihet nga shekulli i VI dhe VII të epokës sonë. Të gjitha argumentet e tipit “historik” kthehen kundër tezës serbe, sepse Historia na mëson që serbët, në raport me Kosovën, janë pushtuesit që kanë ardhur shumë vonë””.
Është në nderin e akademive të shkencave të shteteve tona që të mbajnë, së paku, një akademi përkujtimore për shkencëtarin që varrosi tezat serbe për gjoja pushtimin e Kosovës nga shqiptarët.