REZULTATI I KEQ I REFERENDUMIT KA TRE TË MIRA
Shkruan: Xhelal NEZIRI
Ia arritën ta bëjnë një hap të madh drejt legalizimit të pasurisë së tyre të bërë nëpërmjet korrupsionit, kurse qytetarët një hap të madh drejt humnerës.
Referendumi dështoi nga shkaku se partitë që kërkonin të kalojë në heshtje luteshin të dështojë. Si ajo thënia stereotipizuese për malazezët: kërkoj punë, por i lutem Zotit të mos e gjejë. Këtu nuk ka vend për analiza sa shqiptarë e sa maqedonas votuan, por në cilat komuna kemi cenzus prej 50% të daljes në votime. Numrat flasin se në 14 komuna me shumicë shqiptare, vetëm në 4 kemi arritje të pragut kurse në 4 kemi dalje prej nën 40%. Te komunat me shumicë etnike maqedonase, rezultati është katastrofal. Në një vend normal, të dielën në ora 20.00 kryeministri dhe komplet qeveria do të duhej të jepnin dorëheqje. Njëjtë si ish-kryeministri italian Mateo Renzi në 2016-ën, kur dështoi ta kalojë në referendum reformimin e sistemit të komplikuar shtetëror, apo ish-kryeministri britanik David Kameron i cili dështoi ta mbajë vendin brenda BE-së pas suksesit të referendumit për Brexit.
Rezultati i referendumit pa mëdyshje është një lajm i keq për 610 mijë votuesit që kërkojnë vlera, barazi, liri, standarte, jetë më të mirë, drejtësi dhe të tashme e të ardhme më të mirë. Është lajm i keq edhe për vendet mike të Maqedonisë dhe rajonit, të cilët recetën e zhvillimit evropian deshën t’ua japin qytetarëve të këtij vendi. Por, çdo e keqe ka një të mirë. Në këtë rast tre të mira:
E para, integrimi në NATO dhe BE tash e tutje nuk mund të përdoret e keqpërdoret për të qëndisur përralla dhe gënjyer votuesin. Partitë shfrytëzuan paratë e buxhetit për reklama pa pare, por në ditën e votimit ikën në piknik. Nuk ishin të pranishëm njerëzit e tyre me fletoret ku shënoheshin kush ka dalë e kush ka mbetur pa dalë në votime. Nuk kishte as makina me xhama të zi që bartin votues që nuk kanë dalë, apo që kanë pritur t’u rritet çmimi i votës.
E dyta, u dëshmua një pjekuri e lartë e votuesit shqiptar që pa këto terenjakë të partive, pa telefonata nga shtabet, pa shitblerje votash…të dalin të votojnë në referendum për të ardhmen e tyre më të mirë. Edhe pse në pjesën më të madhe nuk u arrit cenzusi, një pjesë e konsiderueshme e votuesve që dolën janë nga korpusi i atyre që janë të papërcaktuar. Pra, kemi një zgjim të votuesit të fjetur që nuk është i kënaqur me asnjë nga partitë që në këtë periudhë kanë qenë aktive. Kjo krijon një bazë të mirë për kthesa pozitive në zgjedhjet e ardhshme, të cilat pritet të jenë të parakohshme.
Dhe e treta, partitë pranuan publikisht që gjysma e votuesve, shqiptarëve të Maqedonisë, jetojnë jashtë vendit dhe janë krejtësisht të painteresuar se çfarë ndodh në atdheun e tyre. Kur jemi te diaspora, duhet nënvizuar fakti se nuk u organizua asnjë takim me to, siç rëndom ndodh në fushatat parazgjedhore. Nuk kishte ardhje të organizuar me autobusë e avionë të votuesve në vendlindje e as eufori për votime në përfaqësitë diplomatike në kryeqendrat evropiane. Madje, një pjesë e diasporës shqiptare në Perëndim çuditërisht ishte në një vijë me bojkotuesit e mbështetur nga Lindja.
Bojkotit aktiv apo pasiv më së shumti iu gëzuan funksionarët e ish-qeverisë, të cilët janë nën hetime për korrupsion dhe krim të organizuar. Edhe ato janë në ankthin se një ditë Prokuroria Speciale do të kumtojë raste të reja keqpërdorimesh. Kjo klikë politike mbase ishte edhe sponsori kryesorë të bojkotuesve maqedonas e shqiptarë, të ndihmuar nga shtete që keqpërdorin ndjenjën religjioze për të ndikuar te këto etni. Ia arritën ta bëjnë një hap të madh drejt legalizimit të pasurisë së tyre të bërë nëpërmjet korrupsionit, kurse qytetarët një hap të madh drejt humnerës. Për fund, një mikeshë e imja në FB, kishte postuar një status shumë ironik dhe njëkohësisht domethënës.
Pasi dështoi ky për NATO dhe BE, ajo propozon që të mbahen edhe tri referendume tjera në Maqedoni: I pari me pyetjen: A jeni për integrim me Rusinë? I dyti: A jeni për integrim me Turqinë? I treti: Po tregoni më se me kënd doni të integroheni?