Nijazi Idrizi-Kush fitoi e kush humbi në LDK
Zgjedhjet e përgjithshme në LDK janë pritur me interesim të madh nga rivalët politik të saj, por edhe nga opinioni kosovar në përgjithësi. Derisa të parët kanë pritur thyerje dhe qarje në këtë proces, duke u bazuar në zgjedhjet e kaluara ku pati edhe “luftë karrigesh”, të dytët të lodhur nga mungesa e demokracisë në vend, kanë pritur reformim evropian të saj. Kjo pritje ka qenë e arsyeshme duke u bazuar në faktin se ndryshimet në Partitë e Kosovës për shkak të diktatit të Liderëve, mund të ndodhin vetëm te ato Parti të cilave u kanë vdekur Lideri që i ka themeluar. Në anën tjetër edhe deklarimet e Udhëheqjes para fushatës për përfshirjen eë femrave dhe të rinjve aty, ka qenë një motiv shtesë për të besuar në ndryshim.
Mirëpo me fillimin e zgjedhjeve në nivelin lokal u pa se nuk do të ketë proces të rregullt zgjedhor, por do të bëhet një luftë për forcimin e Liderëve lokal të cilët do të diktonin rrjedhën e rivalitetit në mes të pretendentëve për kreun e LDK i cili pritej që të jetë shumë i ekuilibruar. Nga katër pretendentët që pritej të sfidoheshin për kreun e LDK, kryetari Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani i kishin shpallur publikisht ambiciet e tyre, ndërsa Fatmir Sejdiu dhe Lutfi Haziri, këto ambicie i shpallnin herë vet e herë përmes zëdhënësve të tyre, për shkak të frikës që të përballen me këtë sfidë, të rënd për ata.
Por të gjitha këto “përgatitje” për ndeshjen e madhe shkuan huq, sepse në momentin e fundit u hoq dorë, pothuajse me konsensus nga votimi, për shkak të zbatimit të formulës magjike të eliminimit, me të cilën u eliminua kandidatja më serioze e kësaj gare, Vjosa Osmani, ndërsa dy të tjerët as që guxuan të maten.
Në të vërtet ajo u linçua si rezultati i marrëveshjes që luftëtari i paepur i garës për pozitën e Nënkryetarit, Lutfi Haziri e arriti me vasalët e Isa Mustafës!
Në këtë proces zgjedhor u pa qartë, (edhe nga ata që nuk e dinin), se pretendimi i Lutës për të udhëhequr LDK përherë ka qenë verbal, ndërsa lufta e vërtet e tij është bërë për eliminimin e rrezikut të pozitës së Nënkryetarit e cila kësaj here ka qenë e rrezikuar seriozisht!
Ai e ka ditur se pozita e Kryetarit të LDK tradicionalisht ka qenë “pozitë e rezervuar” për njerëzit me nivel akademik të shkollimit, (Rugova, Sejdiu, Mustafa), të cilin Luta nuk e ka, por të cilin e ka arritur në moshë të re kandidatja rivale Vjosa Osmani.
Nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve doli hapur edhe një fakt i njohur për njohësit e politikës në Kosovë: antifeminizmi i LDK! Këtë fobi ndaj femrave e ka mbjell themeluesi i LDK i ndjeri Ibrahim Rugova, i cili sa për sy e faqe i mbante aty diku, disa femra burrnesha, (me pamje dhe sjellje burrash) dhe sikur të ishte amanet, ky refuzim u bartë edhe te Isa Mustafa i cili siç u pa edhe nga përbërja e Qeverisë e edhe e Këshillit Drejtues u bë realitet. Për fat të keq mentaliteti i ri Vjosa Osmanit, këtë të vërtet nuk ka mundur as ta imagjinoj, sepse në të kundërtën ajo sigurisht se ndoshta do të ishte hamendur për këtë sfidë të dyfishtë!
Poashtu nga ky rezultat u vërtetua fakti i njohur për të gjithë aktorët politik të Kosovës se ujqit e vjetër mund të sillen me fodullëk ndaj njëri tjetrit, por kur të rrezikohen nga ujqit e rinj, ata bëhen bashkë dhe jo vetëm që kafshojnë, por edhe i trembin ata që të mos provojnë më kurrë t’ua cenojnë territoret.
Nga zhvillimet e shpejta që ndodhën në Kuvendin zgjedhor të LDK, shumëkush mbeti gojëhapur, me shumë pyetje, të cilat kanë mbetur pa përgjigje. Ka të ngjarë që dikush i interesuar po i bënë magji (sehire) skenës politike të Kosovës, sepse pikërisht atëherë kur sytë tanë drejtohen andej ku gjasat janë më të mëdha për të ndodh ndryshimi, që kjo shoqëri të kaloj në rrethin virtuoz, si me dorë ndodh fatkeqësia! Pa asnjë nevojë, gjithçka përmbyset në çast, duke u kthyer sërish në rrethin vicioz nga i cili sikur të prekur nga mallkimi, nuk po mund të dalim, e dha këtë koment një pjesëmarrës aty!
Në të vërtet në të gjithë këtë garë më së keqi ka pësuar vet LDK, për shkak të favorizimit të të dëgjueshmëve dhe injorimit të përfaqësuesve të vërtet të saj në nivelet lokale, të cilët për shkak të nevojës për gishtat e tyre “për luftën e madhe”, liderët lokal i sollën si argat në Kuvendin zgjedhorë të LDK, duke i lënë të zhgënjyer të dytët.
Se sa është i madh ky zhgënjim, do të shihet shumë shpejt, në zgjedhjet kombëtare që pritet të mbahen, në të cilat ajo mund ta paguaj tagrin e braktisjes së rrugës evropiane të demokratizimit e cila në këtë kohë u ofrua si shans e madhe, vetëm për LDK.
Fituese e vetme reale e zgjedhjeve në këtë parodi votimi doli Vjosa Osmani e cila i bëri sfidë të përhershme ndryshimit jo vetëm në LDK, për misionin e madh të ndryshimit të Kosovës.