Në Shkup, përveç që është e vështirë të gjesh tabela komunikacioni në gjuhën shqipe, problematike janë edhe gabimet e shumta drejtshkrimore dhe shkarravitja e atyre pak tabelave që sinjalizojnë  edhe në shqip. Thuajse të gjitha tabelat 3 gjuheshe që paralajmërojnë Klinikën Universitare “Nënë Tereza”, në gjuhën shqipe janë të shënuara gabimisht si “Nëna Terëze”.

Gjithashtu edhe tabelat e shumta që paralajmërojnë vendndodhje e stadiumit të Filipit të Dytë, vetëm në gjuhën shqipe janë shënuar gabimisht.

Ndërsa tabela që shpie drejt fshatit Sopishte, para emrit mbanë shkronjën “S” që nënkupton fjalën maqedonase “Sello” e jo shkronjën “F” që do të nënkuptonte fjalën “Fshati”.

Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov i quan anomali këto gabime drejtshkrimore duke e hedhur kështu fajin te paraardhësi i tij, Koce Trajanovski. Megjithatë Shilegov thotë se askush deri më tani nuk i ka paraqitur këta gabime dhe u zotua se do angazhohen që t’i përmirësojnë të njëjtat, duke mos dhënë një afat.

Ajo që është nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, në vendosjen e shenjave, ne mundohemi që të jetë në kuadër të ligjeve te fundit. Për atë se diku është vërejtur anomali, së paku tek unë deri më tani nuk është paraqitur një gjë e tillë por nëse është e nevojshme dhe në kompetenca të Qytetit të Shkupit, së shpejti do t’i rregullojmë këto gabime- deklaroi Kryetar i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov.

Ky problem daton që nga fillimi i përdorimit të gjuhës shqipe nëpër udhërrëfyes dhe tabela të komunikacionit. Problem në vete është edhe diskriminimi që bëhet duke fshirë vetëm mbishkrimet në gjuhën shqipe nëpër udhërrëfyesit që gjenden brenda dhe jashtë Qytetit të Shkupit.

Besian Leka

Shpërndaje artikullin në: