Bllokohen 50 mijë euro false në Tiranë. Policia arreston 12 persona
Shekulli OnlineTIRANE- Bllokohen 50 mijë euro false nga oficerët dhe agjentët e Njësisë së Operacioneve Speciale të policisë së kryeqytetit, ndërsa ndalohen 12 persona prej saj, disa prej të cilëve shqiptarë nga Maqedonia. Pjesa tjetër e të ndaluarve mësohet se janë shqiptarë me banim në kryeqytet, me origjinë nga Kukësi, Laçi dhe Tirana.
Burimet pohuan se një pjesë e mirë e të shoqëruarve pritet të arrestohen nga policia me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pasi mendohet se janë përfshirë në linjën e falsifikimit të parave dhe që mendohet se kanë ardhur nga Maqedonia.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë së kryeqtetit si dhe të Prokurorisë, të cilët më parë mësohet se kishin firmosur urdhër arrestet për disa prej tyre me akuzën e falsifikimit të kartmonedhave, dhe hedhjes në qarkullim të kartmonedhave të falsifikuara. Policia ende nuk ka bërë të ditur emrat e personave të arrestuar apo të shoqëruar, ndërkohë që sipas tyre operacioni pritet të vazhdojë edhe me arrestimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet të falsifikimit dhe të hedhjes në treg të kartmonedhave të falsifikuara.
Operacioni nisi katër ditë më parë, pas miratimit të planit përkatës nga krerët e policisë së kryeqytetit të cilët më parë kishin marrë garanci nga një burim i infiltruar në grup për mbërritjen e pakos, si dhe të personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ndërkaq, burimet pohuan se të arrestuarit, banojnë në kryeqytet të ardhur nga zona të ndryshme të vendit. Operacioni u krye në kryeqytet në rrugën “Lekë Dukagjini”, në një nga lokalet që ndodhen në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa”, në krahun verior të tij. Policia prangosi në flagrancë në momentin e ndërhyrjes pesë persona, të cilëve iu kap sasia e konsiderueshme e parave të falsfikuara të destinuara për tregun shqiptar. Sipas burimeve të policisë, ndërhyrja u krye në momentin që personat e arrestuar, po kryenin shkëmbimin e shumës prej 50 mijë eurosh me kartmonedha të falsifikuara me një shumë prej 27 milionë lekësh të vjetra të rregullta. Eurot, sipas burimeve të policisë, në pjesën më të madhe të tyre ishin kartmonedha të prerjes 100 dhe pjesa tjetër e prerjeve më të vogla.
Menjëherë pas arrestimit të personave në ambientet e lokalit që ndodhet në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa”, policia ndaloi edhe një grup tjetër prej shtatë personash, në banesa të ndryshme në Qytetin Studenti, në afërsi të Ministrisë së Jashtme dhe në afërsi të kryqëzimit të “21 dhjetorit”, si dhe pranë Shkollës teknologjike. Gjatë operacionit, policia veç arrestimit të personave, ka bllokuar pesë automjete të markave të ndryshme, kryesisht “Mercedez- Benz” dhe BMW.
Veç tyre, policia iu ka bllokuar të arrestuarve edhe disa aparate telefonash celularë, dhe sende të tjera që mendohet se mund të shërbejnë si provë për zbardhjen e linjës së falsifikimit të parave. Policia ka kryer kontrolle të ndryshme në banesat e të arrestuarve, ku edhe ka bllokuar objekte të ndryshme që sipas saj mendohet se mund të përbëjnë prova për hetimin e mëtejshëm. Pas operacionit, hetuesit e Antikrimit Ekonimik, nisën intervistimin e të shoqëruarve dhe të dyshuarve, për pozicionin e tyre në këtë ngjarje.