TIRANE-Kur Italia fashiste erdhi në Shqipëri për pushtim, si sot e 71 vite më parë, e kur disa patriotë dolën ta prisnin me armë, në një familje në Lushnjë kishte gëzim. Shtëpia e Zelajve do të gëzohej me një vajzë. Kohë më pas kjo vajzë do të bëhej e njohur e do të mbahej mend, jo se lindi në ditën e pushtimit, po se do të pushtonte zemrat e popullit të saj me këngën e zërin e veçantë. Vaçe Zela, e lindur më 7 prill të ’39-ës, një vajzë nga Lushnja, që u bë artistja e popullit, nuk e kishte menduar se të kënduarit e këngës shqipe do ta përfshinin në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris është krahasuar me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina.
Edhe pse prej disa vitesh për shkak të sëmundjes jeton në Zvicër me bashkëshortin dhe me vajzën, miqtë dhe kolegët nuk e kanë harruar. Tenori shqiptar që po korr sukses në operat europiane ka vizituar para disa ditësh këngëtaren shqiptare në shtëpinë e saj në Zvicër, së bashku me pianisten e mirënjohur Edlira Dedja- Bytyqi, gazetaren e BBC-së në Londër Mirela Shtembari, etj. Ndërkaq, gjithçka që Vaçe Zela ka regjistruar në Radio Tirana është gati në një album të quajtur “Larg dhe pranë njerëzve”. Janë 56 këngë, ashtu siç janë regjistruar për herë të parë që prej fillimit të karrierës në vitet ’60, e deri në festivalin e fundit në RTSH. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka përgatitur këtë edicion të veçantë muzikor me rastin e vitit 2009 “Viti Vaçe Zela”, që përkoi me 70-vjetorin e këngëtares.

(d.b/BalkanWeb)