Bosnja, “Jerusalemi” i Erdoganit në Zemër të Evropës
Arbana Xharra-Ndërkohë që Presidenti i Turqisë Erdogan është duke mbetur pa para, ai është tani, më shumë se çdo here më parë, duke përdorur fenë për të “ushqyer” Ballkanin, veçanërisht shtetet që janë më të ndjeshme ndaj ndikimit islamik.
Bosnja është në ballë të axhendës ambicioze islamike të Erdoganit, ku ai nuk
kursen burime politike, kapitale apo financiare, madje edhe nën
vështirësitë e tij të tanishme ekonomike, për të shtrirë ndikimin e tij
dhe për ta distancuar Bosnjen sa më shumë nga BE-ja.
Boshnjakët padyshim se nuk mund të mbijetojnë thjesht duke qenë muslimanë të
devotshëm, me përqindjen e papunësisë së të rinjve në gati 60 përqind.
Turqia nuk ka gjasa të rimëkëmbet ekonomikisht në një të ardhme të
afërt, dhe premtimet e Erdogan për të ofruar ndihmë financiare dhe
investime do të bien në ujë përballë krizës së tij financiare.
Lufta e fjalëve, hiperinflacioni, sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe
investimet e pamatura mbi paratë e huazuara e kanë ulur me të madhe
vlerën e Lires Turke. Pesë vjet më parë, $ 1 ishte me vlerë 2 lira; sot,
gjashtë lira shkëmbehen për një dollar, por kjo nuk i ka dekurajuar
udhëheqësit boshnjakë që të kërkojnë bashkëpunim më të afërt me
Erdoganin.
Bakiri Izetbegoviç, kreu musliman boshnjak dhe kryetari i presidencës
trepalëshe të Bosnjës, deklaroi në Maj (përpara mijëra emigrantëve turq
dhe mbështetësve boshnjakë të Erdoganit që kishin udhëtuar nga e gjithë
Evropa në Sarajevë) se “Perëndia i dërgoi kombeve tona një person për
t’i kthyer ata në fenë e tyre … Ai është Rexhep Tajip Erdogan. Ne
qëndrojmë në këmbë me ndihmën e Perëndisë”. Turma brohoriste kur një
udhëheqës i diasporës turke e barazoi dhe e idealizoi Sarajevën si
“Jeruzalemi në zemër të Evropës”.
Bosnja ishte më shumë se e gatshme të hapte derën për presidentin turk që të
organizonte një tubim zgjedhor në Sarajevë, veçanërisht pas refuzimit të
BE-së për të lejuar atë të bënte fushatë në shtetet anëtare. Për
Erdoganin, Ballkani është rajoni që mund ta vendosë atë në një pozitë
për të realizuar qëllimin e tij politik për ringjalljen e disa dukurive
të Perandorisë Osmane, duke minuar ndërkohë ndikimin e BE-së në këto
vende.
Bosnja përbëhet nga dy entitete: Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës,
popullsia e të cilës përbëhet nga boshnjakë myslimanë dhe kroatë
katolikë; dhe Republika Srpska, ku serbët ortodoksë janë shumicë. Rreth
gjysma e qytetarëve të Bosnjes 3.8 milionë janë myslimanë, shumë prej të
cilëve e konsiderojnë Erdoganin si udhëheqës të tyre të besuar, nëse jo
shpëtimtarin e tyre.
Për më shumë se një dekadë, Erdogan ka investuar shumë në përhapjen e
ndikimit të tij në shtetet e Ballkanit dhe Bosnja ishte dhe është ende
një nga objektivat kryesore të tij. Ai premtoi një investim shumë
miliardësh për autostradën kryesore që do të lidhë Serbinë dhe Bosnjën.
Turqia dhe Bosnja nënshkruan marrëveshjën për ndërtimin e autostrades që
lidh dy kryeqytetet e Ballkanit, një projekt që llogaritet të kushtojë
rreth 3.5 miliard dollarë, mirëpo që ende nuk ka nisur për shkak të
mungesës së burimeve financiare.
Ndërkohë që Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) – një “makineri”
përmes të cilit Turqia përhapë axhendën e saj islamike në Ballkan – ka
përfunduar më shumë se 800 projekte të vogla në Bosnje, kryesisht që
kanë të bëjnë me institucionet fetare.
Krerët evropianë tashmë kanë shprehur shqetësime lidhur me ndikimin e Turqisë
në Ballkan. Vetëm pak muaj më parë, Presidenti francez Emmanuel Macron
deklaroi: “Nuk dua që një Ballkan të kthehet drejt Turqisë apo Rusisë”.
Gjatë fjalimit të tij në muajin Maj në Sarajevë, Erdogan u bëri thirrje
mbështetësve të marrin pjesë aktivisht në politikën evropiane për të
kundërshtuar sentimentin anti-turke. “Duhet të jeni në ato parlamente në
vend të atyre që tradhtojnë vendin tonë”, tha ai, duke iu referuar
ligjvënësve evropianë me rrënjë turke.
Në një bisedë me ne, Orhan Hadzagic, analist politik nga Bosnja, tha se
Erdogan nga boshnjakët konsiderohet më shumë se vetëm një udhëheqës i
huaj. Ai pyet se, “Nga vizita e fundit e Erdoganit në Bosnje, cili ishte
përfitimi për qytetarët boshnjakë nga ajo tubim elektoral, një ngjarje
që paraqiste krerët e dy partive që mbështesin haptazi njëri-tjetrin?”
Hadzagic është i bindur se vendi i tij po e rrezikon hyrjen në BE duke hapur
dyert për Erdogan, nga ku ai po sfidon direkt Brukselin. “Shumë OJQ”,
tha ai, “janë të afërta meTurqinë; ato marrin mbështetje financiare për
të ndryshuar imazhin negativ dhe perceptimin rreth sundimit autoritar në
rritje në Turqi, në mesin e boshnjakëve “.
Një shumicë e madhe e boshnjakëve nuk sheh ndonjë alternativë drejtë
Bashkimit Evropian, ata janë të pasionuar në mbështetjen e tyre ndaj
Erdoganit. Në një sondazh të kryer nga Instituti Ndërkombëtar
Republikan, i publikuar në mars të këtij viti, thotë se 76 për qind e
boshnjakëve janë deklaruar se kishin qasje pozitive rreth rolit të
Turqisë në vendin e tyre.
Për Erdogan, Bosnja zë një vend të veçantë dhe ai do të përpiqet të mbajë
imazhin e tij aty si një udhëheqës fetar dhe shpëtimtar ekonomik. “Lista
e përparësive të Erdoganit po rritet, kështu që Bosnja është në mënyrë
të pashmangshme duke zbritur në atë listë,” tha Hadzagic, “i cili do të
zvogëlojë [ndikimin e Erdoganit] mbi shtetin, organizatat joqeveritare
dhe mediat këtu në Bosnje. Si pasojë, kjo do të çojë në uljen e ndikimit
të Ankarasë në Bosnje”.
Si i tillë, Erdogani është duke e rritur fokusin e tij në mediat vendore
dhe institucionet joqeveritare në Bosnje duke u ofruar atyre ndihmë
financiare për të mbështetur axhendën e tij politike. Por edhe kjo po
bëhet financiarisht e rëndë, duke e bërë më të vështirë të vazhdojë me
fushatën e tij mediatike.
Sead Numanoviç, një gazetar i mirënjohur nga Bosnja, na tha se “BE dhe SHBA
janë ende (dhe kam frikë se do të vazhdojnë të jenë) shumë pasivë në
Ballkan, ky mjedis i jep një hapësirë shtesë Erdoganit për të punuar
lehtësisht me axhenden e tij anti perëndimore “. Kjo shpjegon pse Partia
e AK Erdogan ka hapur kohët e fundit një zyrë në Sarajevë, dega e saj e
parë zyrtare në Ballkan.
Zëdhënësi i Ambasadës Turke në Sarajevë tha për “Foreign Policy” se Turqia e
mbështet fuqishëm procesin e anëtarësimit të Bosnje dhe Herzegovinës në
NATO-s dhe BE. “Turqia nuk është [në Bosnje] të shtrijë ndikim, por të
inkurajojë stabilitetin politik për hir të të gjithë rajonit”.
Xhemal Ahmeti, historian dhe ekspert për çështjet e Evropës Juglindore, tha se
myslimanët e Bosnjes aktualisht janë më besnikët ndaj autokratit turk.
“Muslimanët boshnjakë kanë humbur shpresat se shteti i tyre trinitar do të bëhet
një anëtar i BE. Kjo është arsyeja pse ata mbështeten në Turqinë për të
mbijetuar, duke qenë se ata si një sendviq mes katolikëve, kroatëve
konservatorë dhe juridiksioneve ortodokse “, tha Ahmeti për të shtuar se
“Paradoksalisht, ndërsa myslimanët boshnjakë kërkojnë mbrojtjen e
Erdoganit nga ortodoksët (serbët dhe rusët), aleatët e ngushtë të
Erdoganit janë Putini dhe [kryeministri i Serbisë] Vuçiç.”
Krerët dhe qytetarët boshnjakë duhet të kuptojnë se Erdogan po lëviz gjithnjë e
më afër Rusisë dhe Iranit. BE-ja tashmë e ka bërë të qartë, veçanërisht
në lidhje me të drejtat e njeriut, lirinë dhe demokracinë, të cilat
janë parakushte për anëtarësimin në BE, prandaj Bosnja nuk duhet të
flirtojë me Erdoganin për shkak se ai i ka braktisur në mënyrë flagrante
parimet themelore të BE-së dhe zhvillimi i një demokracie të plotë në
Bosnje nuk i shërben interesit të tij.
Tani është në dorë të liderëve boshnjakë të përcaktojnë fatin e tyre, të
cilat duhet të lidhen në mënyrë të pashmangshme me anëtarësimin e plotë
me BE në qoftë se duan të rriten e të përparojnë ndërsa përqafojnë
demokracinë e plotë.
Kjo nuk sugjeron që ata të shkëpusin marrëdhëniet me Turqinë si një fuqi
rajonale, me të cilën ata do të duhet të intensifikojnë zhvillimin e një
marrëdhënie reciproke fitimprurëse sapo Erdogani të largohet nga skena
politike.
Ata duhet të jenë të kujdesshëm në marrëdhëniet e tyre me Erdoganin, i cili
po i manipulon duke e përdorur Islamin për të ndjekur axhendën e tij të
rrezikshme politike.
Ky shkrim është në bashkëautorësi me profesorin e Universitetit te New Yorkut, Alon Ben Meir