Mongolia vs Singapuri - Fitim Dika

Republika e Maqedonisë ka një histori të zymtë dhe si rrjedhojë edhe jeta sociale në të është e tensionuar. Shqiptarët, më e pakta që kërkojnë është një shtet multietnik si shembulli i Zvicrës dhe Belgjikës, ndërsa maqedonasit për shqiptarët më së shumti aprovojnë ligje nën suazat e një minoriteti. Këto dy qëndrime kontradiktore kanë rënë shpeshherë edhe në vesh të shurdhët nga ana e ndërkombëtarëve, të cilët për problemet e shtetit flasin në formë përgjithësuese, por jo të vendosur dhe tërësisht konkrete. Pra nuk të lënë të kuptosh se kush është fajtori dhe zgjidhja përfundimtare. Xhanëm mirë e kanë, që të na tregojnë se problemet duhet të zgjidhen vetë dhe jo nga të tjerët.

Le të kthehemi në fillim të shkrimit, te historia e zymtë. Gjatë Perandorisë Osmane dhe defterëve të kohës së saj, kurrë ose shumë pak është regjistruar ndonjë popullsi si maqedone. P.sh sipas censusit të vitit 1912 në Vilajetin e Kosovës me kryeqytet Shkupin dhe atë të Manastirit, popullsia është vetëdeklaruar si shqiptare, bullgare dhe serbe, dhe me pakicë si vllahe, hebreje dhe rome, por askund nuk gjejmë ndonjë krahinë ku ka maqedonas.

Pas pas pavarësisë së Ballkanit nga Perandoria Osmane, në Deklaratën e Korfuzit të vitit 1917, shpallet vëllazëria mes sllovenëve, kroatëve dhe serbëve, nga ku maqedonasit nuk përmenden fare. Këtë mund ta vërejmë edhe më vonë, gjatë luftës së dytë botërore, ku në Maqedoni ekzistonin vetëm parti komuniste jugosllave dhe bullgare, por jo edhe maqedone. Për këtë shkak ka konflikte mes bullgarëve dhe serbëve për Republikën e Maqedonisë, pasi serbët pretendojnë se Kisha Ortodokse e Maqedonisë dhe maqedonët janë serbë, ndërsa bullgarët të kundërtën. Kjo është e shtjelluar edhe në librin e diktatorit Enver Hoxha “Titistët”, ku flitet për lëvizjet dhe partizanët në Maqedoninë e sotshme.

Historia tendencioze vërehet edhe te figurat politike maqedonase, ku promotori i pavarësisë së Maqedonisë, Kiro Gligorov, kundërshton lidhjen mes maqedonasve të sotëm dhe atyre antikë, por edhe djali i tij, Vladimir Kligorov, sot udhëheq një parti serbe. Edhe ish kryeministri i Maqedonisë, Ljubco Georgievski, promovon rrënjët bullgare të maqedonasve, madje së fundi u shpall ambasador i Bullgarisë në Maqedoni.

Historia plot kontradikta, qeveria e VMRO-së në vend që ta bënte sqarimin dhe unifikimin mes maqedonasve dhe sllavëve, ajo e ka bërë edhe më tepër romantike duke pretenduar gjëra tragjikomike për veten e saj, ku spikasin si gjëja studime gjenetike te popujt e ndryshëm dhe prejardhjen e tyre si dhe me ndërtimin e përmendoreve dhe kuajve ku në Evropë prej para një shekulli nuk ndërtohen më gjëra të tilla.

Mua gjithsesi nuk më intereson shumë prejardhja historike e një populli, pasi kemi plot shtete që janë shumë të vogla, pa histori por me një GDP shumë të lartë si Singapuri dhe në anën tjetër kemi shtete me plot histori dhe të mëdhenj si Mongolia por që kanë një kualitet disa dhjetra herë më të dobët se Singapuri. Sot Mongolia ka vetëm një etni, mongolët dhe një territor prej 1.5 milion km2, por një ekonomi më të keqe se vendet ballkanike. Singapuri ka tre fe kryesore, disa etnitete dhe një territor prej vetëm 18 mijë km2, por një ekonomi dhe jetë kulturore më të zhvilluar se vendet evropiane.

Maqedonia ka vetëm dy fe dhe dy etni, por edhe territor më të madh se Singapuri. Shqiptarët dhe maqedonasit duhet të vendosin vetë, se cilën rrugë duhet të zgjedhin, atë të nacional-romantizmit dhe Mongolisë, apo të multikulturalizmit si të Singapurit!